Intervistë | Minxhozi: Raportet Kosovë-Shqipëri nuk përcaktohen nga dy veta, mospajtimet janë të përkohshme - NACIONALE

Intervistë | Minxhozi: Raportet Kosovë-Shqipëri nuk përcaktohen nga dy veta, mospajtimet janë të përkohshme

2 vjet më parë

nga Muhamet Koci

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, është shprehu i emocionuar me përfundimin e mandatit. Ai ka treguar se përgjatë shërbimit gati 10 vjeçar në Kosovë nuk është trajtuar si diplomat, por si kosovar. Diplomati që ka shërbyes më se gjati në Prishtinë ka thënë se Kosova dhe Shqipëria janë një dhe mospajtimet aktuale në mes të kryeministrave janë të përkohshme.

Ambasadori në largim i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, nuk mendon se raportet Kosovë-Shqipëri janë ftohur.

Duke komentuar raportet e kryeministrave, ai ka thënë se raportet në mes të dy vendeve nuk mund të përcaktohet nga dy individë.

Diplomati shqiptar ka vlerësuar se marrëdhëniet vëllazërorë në mes të dy vendeve po konsolidohen çdo ditë dhe se mos pajtimet aktuale janë të përkohshme.

Në këtë intervistë dhënë gaztës Nacionale, ambasadori në largim ka thënë se në mes të dy kryeministrave ka papajtueshmëri për problematika të veçanta.

Kur themi ngërç, unë do të thoja papajtueshmëri për problematika të veçanta. Unë do e quaja qasje të ndryshme për probleme të rëndësishme. Janë shtjelluar qasje në një drejtim të caktuar që nuk kanë gjetur atë mirëkuptimin e duhur. Por, kjo nuk do të thotë se mungon kohezioni, mungon bashkëpunimi institucional. Me sa duke këto janë karakteristika të zhvillimit që jo gjithmonë ecin në atë valë që duam ne, por prapë së prapë janë të përkohshme”, ka thënë Minxhozi.

Ai ka vlerësuar se raportet në mes të Kosovës dhe Shqipërisë janë institucionale dhe nuk ndikohen nga raportet që kanë dy kryeministrat.

Sipas tij, Kurti dhe Rama kanë qasje të ndryshme për situata të caktuar gjeopolitike.

Raportet nuk përcaktohen nga dy veta. Raportet janë nder institucionale. Tani që po flasim bashkë, ne presim nesër të vijë një delegacion nga Shqipëria në Kosovë. Pra, ka lëvizje. Nuk është puna se janë ngurtësuar institucionet e shtetit dhe nuk funksionojnë. Krerët për problemet e caktuar të situatës gjeopolitike kanë qasje të ndryshme.”, ka thënë ai, duke shtuar se qëllimi i të dy kryeministrave është që Kosova dhe Shqipëria të kenë raporte sa më të mira.

Kjo nuk duhet parë si fundi i botes. Unë mendoj se shkëmbimi i mendimeve, ndonjëherë zhvillohet edhe nëpërmjet kontradiktave që kanë, por gjithësi qëllimi i liderëve tanë pozitiv për ta pasur marrëdhënie sa më të mira, për t`i përafruar sa më tepër pikëpamjet për probleme edhe të rajonit, jo thjeshtë të Shqipërisë dhe Kosovës”, është shprehur ai.

Ambasadori është shprehur i bindur se mospajtimet aktuale do të tejkalohen shumë shpejt.

Herë pas here ka pasur praktika të tilla. Por unë jam shumë i bindur se këto do të tejkalohen patjetër. Ka një vullnet, ka një komunikim që këto patjetër do të tejkalohen”, ka thënë ai.

Minxhozi ka treguar se mbledhja e ardhme e përbashkët në mes të dy qeverive do të mbahet vitin e ardhshëm.

Vitin e ardhëm do të jetë mbledhja e radhës në mes të dy qeverive. I bije mbledhja e dhjetë. Akoma nuk është diskutuar se kur do të mbahet, sepse kjo përcaktohet nga fundi i vitit ose fillimi i vitit të ardhshëm. Por, gjithësi jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet për të paraqitur ide se si do të jenë projektet për vitin që do vije”, është shprehur ai.

Qëndrimet e Ramës për Kosovën duhet të merren si këshilla

Ambasadori Minxhozi ka komentuar edhe kritikat e eksponentëve të VV-së ndaj kryeministri të Shqipërisë, Edi Rama.

Ai ka thënë se kryeministri Rama ka të drejtë të flasë për Kosovën dhe për çështje tjerë të rëndësishme për rajonit.

Gjithë çështja është se si Kosova dhe Shqipëria janë dy elemente të rëndësishme të rajonit të Ballkanit Perëndimor, ashtu siç është edhe pjesa shqiptare e Maqedonisë, pjesa shqiptare e Malit të Zi. Çështja shqiptare nuk është një diçka që i takon vetëm një segmenti të hapësirës shqiptare, por e të gjithëve bashkë. Ne duhet të kemi politika të përbashkëta për sa i përket çështjeve me interes të madh rajonal që afektojnë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriu”, ka thënë ai.

Sipas tij, mendimet e Ramës në Kosovë duhet të merren si këshilla.

Në këtë plan do të thoja se ato mendime që kryeministri Rama ka dhënë janë mendime në fazën e një këshille, një sugjerimi për tu marrë në konsideratë. Nuk do të thotë që ajo që thuhet në Tiranë patjetër duhet të zbatohet në Prishtinë, ose ajo që thuhet në Prishtinë të zbatohet në Tiranë. Çështja është që ne duhet të jemi më të hapur edhe nga mendimi ndryshe për çështje që janë me interes jo vetëm për Kosovë dhe Shqipërinë, por për gjithë rajonin”, ka thënë Minxhozi.

Ai ka thënë se këto këshilla duhet të priten më me dashamirësi.

Një mendim i Tiranës zyrtare, apo një mendim i Prishtinës zyrtare ndaj njëra tjetrës duhet pritur më me dashamirësi. Sepse bota në të cilën jetojmë nuk është bota e djeshme, sot jetojmë në një klimë tensioni ndërkombëtar”, ka thënë ai, duke shtuar se është shumë i rëndësishme shkëmbimi i mendimeve.

Shumë e rëndësishme është që shkëmbimi i mendimeve dhe ideve të mos na çoi në ngelje hatri në një moment të caktuat apo një tjetër. Por, t`i ballafaqojmë ato për të qenë në një sintoni edhe me dëshirat e BE për të dhënë zgjidhej më të mundshëm, më adekuatet për problematiken që jetojmë sot”, ka thënë ambasadori.

Lajme të ngjashme