Intervistë | Maliqi: Mund të kemi Qeveri Teknike, presidentja duhet të bëjë një punë të hairit në fund të mandatit
Analisti Shkëlzen Maliqi ka treguar skenarët e mundshëm për formimin e institucioneve të reja. Duke marrë për bazë rezultatin zgjedhor, ai nuk e ka përjashtuar formimin e një Qeveria Teknike.
Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, Maliqi ka thënë se kjo qeveria do të mund t`i kryente disa punë që kanë të bëjnë me dialogun me Serbinë.
Ai ka bërë me dije se në këtë drejtim duhet ta luaj rolin e saj edhe presidentja Vjosa Osmani.
Sipas tij, në vitin e fundit të mandatit të saj, presidentja Osmani mund të bëjë një punë të hajrit.
Në këtë intervistë të gjatë, Maliqi ka komentuar rezultatin e secilës parti politike.
Ai ka vlerësuar se rezultatet që kanë shënuar partitë politike më 9 shkurt kanë qenë të pritshme.
Nacionale: Z. Maliqi, kanë kaluar disa javë nga dita e zgjedhjeve. Deri me tani kemi vetëm rezultatet preliminare, si i keni parë këto rezultate?
Maliqi: Rezultatet kanë qenë të pritshme, para zgjedhjeve e postova te Facebook një parashikim me hamendje, pa mbështetje në sondazhe (nuk kam bërë anketa nga viti 2020). E pata paralajmërua rënien e Vetëvendosjes, ma merrte mendja se do të ketë maksimum 35%. E qëllova trendin, por e huqa përqindjen. Për PDK-në dhe LDK-në me renditje dhe përqindje kam qenë afër votës reale, si dhe për AAK/Nismën. Pas shokut të vitit 2001 kur PDK dhe LDK u dërmuan fortë, tani janë këndellë, por jo mjaftuershëm për vetëkënaqësi. E kam përshtypjen se kanë mundur të dalin më mirë, sidomos LDK-ja, ajo e ka pas një kontingjent votash që i patën ikur te VV-ja në vitin 2021, por arritën t’i kthejnë vetëm një pjesë. Te PDK-ja vërehet se është investuar në stabilitet dhe përtëritje, po kap më shumë vota jashtë bastioneve, por duhet të profilizohet më qartë, më pranë shtresave të caktuara të votuesve, te rinia, ndërmarrësit, bujqësia dhe sidomos te gratë.
Nacionale: Çka ju ka befasuar më se shumti nga ky rezultat?
Maliqi: Më ka befasuar se një pjesë e madhe e elektoratit sërish nuk e ka kuptuar seriozitetin e dy çështjeve që Qeveria e Albin Kurtit i mjegullonte dhe minimizonte. E para, është çështja e përfundimit të shtetndërtimit dhe nevoja e njohjes universale të Kosovës, ku për shumë vite kemi çaluar duke mos u koordinuar me partnerët strategjik. Kurti dhe trabantët e tij i arsyetonin politikat e moskoordinimit me partnerët duke thënë se kryeministri thjeshtë po e zbaton detyrën që e ka për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës, për çka është zgjedhur nga populli i Kosovës.
E harronte se, kur ishte në opozitë, edhe vetë thoshte se Kosova nuk është shtet tamam, nuk e ka sovranitetin e plotë. Me ardhjen e tij në pushtet nuk ka ndryshuar asgjë në këtë aspekt, jemi po ai shtet me gjysmë sovranitet. Shtetin e Albinit dhe tonin e mbron KFOR-i, ushtarët e NATO-s, e kemi edhe bazën ushtarake Bondstil të SHBA-ve, si garanci të sigurisë. Koordinimi më partnerët ndërkombëtarë nuk është luks ose servilitet, siç e sheh Kurti, por nevojë jetike sepse na duhet t’i bëjmë me ta edhe disa hapa për njohje universale.
Te kjo çështje e kemi skandalin me huqjen e ofertës për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës. Kurti ia pat dredhur keq kancelarit gjerman Sholc, që e përgatiti terrenin te shtetet mosnjohëse të BE-së, e kishte vetëm një kusht që të dërgohet projekti i BE-së për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, në Gjykatën Kushtetuese, që të vlerësohet a është në harmoni me kushtetutën. Nuk e bëri këtë edhe pse e kishte premtuar. Madje e kontradiktoi në mënyrrë frapante edhe vetveten: e ka pranuar propozimin Franko-Gjerman që përfshinë Asociacionin, dhe nuk e çon te Kushtetuesja, kjo s’ka logjikë!
Nacionale: Në këto zgjedhje partia në pushtet, siç e thatë, ka humbur diku rreth 10 për qind. E keni pritur këtë rënie të VV-së?
Maliqi: Kjo është kuptuar edhe më herët, që nga zgjedhjet lokale të vitit 2021, pasi që VV-ja, pas 8 a 9 muajsh të “triumfit historik” nuk doli me fitore bindëse, përkundrazi pati fijasko, VV-ja mezi i fitoi katër komuna, dështoi edhe në Prishtinë dhe Prizren ku e ka pas pushtetin.
Mendoj se Kurti e ka ditur trendin, çka e pret, se nuk do të përsëritet më 50.1 për qindëshi i shkurtit të vitit 2021. Prandaj, fushatën për zgjedhje aktuale e bëri pothuajse fikall vetë, si babë dhe alfa e omega i VV-së, me gjoksin përpjetë dhe bertimat e sforcuara të zërit deri në shterrje. Arriti, megjithatë, për VV-në, me atë koalicion hibrid me Alternativën e një personi dhe me Lëvizjen “Guxo” vendnumëruese, ta nxjerrë të parën me 41 %, dhe ta hap rrugë për mandat të ri. E thash më herët, kam prit se i merr 35 %, sepse 50 % i pat marrë një situatë të jashtëzakonshme jo sall me votat pro-Albin, por edhe ato kundër “regjimit të vjetër”, konkretisht anti-Hashim.
Për këtë e ndihmoi Vjosa Osmani kalkulante, e bëri pazarin që ajo të votohet presidente, dhe ia ktheu shërbimin Albinit duke ia dhënë gjysmën e votueseve të LDK-së. Gati 100 mijë vota Kurti i ka pas peshqesh prej Vjosa Osmanit, dhe me që janë të rastit, nuk janë të qëndrueshme, sepse janë me habitat të LDK-së, votues që, kur ajo përçante LDK-në e Isa Mustafës, Kurtin e quante Çavez. Kurti mbase nuk e ka harruar këtë, dhe ka kohë që sërish janë rinovuar mospajtimet me presidenten Osmani, e cila po favorizohet nga Perëndimi, ndërkaq që Kurti mbahet në izolim.
Por duhet thëne se Albini e ka luajtur mirë lojën që të dalë i pari me vota, duke e sforcuar popullizmin dhe nacionalizmin me narativin e “çliruesit” të Veriut nga strukturat paralele të Serbisë, në rrethanat kur për këtë i shkonte në favor tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës, si dhe dështimi i ekstremistëve serbë që të provokohet kryengritja e armatosur, si qëllimi i sulmit terrorist në manastirin Banjska. Këto rrethana e ndihmuan “koalicionin” hibrid të Kurtit që të humb rreth 10% dhe jo 15%, sa mendoja. Plus, dalja në zgjedhje ka qenë më e madhe se zakonisht dhe në kontingjentin relativisht të madh të atyre që votonin për herë të parë, si duket VV-ja dhe Albin Baba kanë qenë zgjedhje më atraktive se sa PDK-ja dhe LDK-ja, që edhe pse u rinovuan, rezultatet ishin gjysmake.
Nacionale: Kur e përmendet PDK-në, duket se doli e kënaqur me rezultatin. Cili është vlerësimi i juaj për rezultatin e PDK-së?
Maliqi: PDK-në e ka hendikepuar mjaft mungesa e liderëve historik që po gjykohen në Hagë, sepse është dashur të punojnë në konsolidimin e udhëheqjes pa autoritetin suprem që vendos për çështjet kapitale rreth kohezionit të brendshëm në parti, ngase ka pasur tensione mes bastionit Drenicë dhe udhëheqësisë të re me politikan të aftë por të pakalitur në luftë... Thjesht, është dashur të bëhet një tranzicion i kujdesshëm i brezave dhe, njëkohësisht, të punohet në riprofilizimin dhe zgjerimin e ndikimit të partisë në shtresat e reja të shoqërisë, sidomos te rinia dhe gratë. Mendoj se PDK-ja ka arrit mjaftë, i qëlluar ka qenë sidomos vendimi që si kandidat për kryeministër të propozohet Bedri Hamza, si njeri me përvojë, i pakorruptuar dhe i qetë, ai i ka dhënë një frymë racionaliteti dhe pragmatizmi kundrejt fushatës tejet nervoze dhe përçarëse të Kurtit.
Nacionale: LDK-ja duket e zhgënjyer me rezultatin. Çka mendoni se ndikoi në këtë rezultat?
Maliqi: LDK-ja ka mbetur në gjysmë rruge për shkak të hendekut që ia ka lënë Vjosa Osmani, peshqeshin e 100 mijë votave që i çoi te Kurti. Beteja e Lumir Abdixhikut ka qenë që t’i kthejë këto vota, por nuk ishte konsistent se si ti qaset atyre, e për më shumë edhe liderët e subjektit “Guxo”, si një ansambël i vogël karrieristësh që gjatë tërë mandatit u rreshtuan në poste qeveritare dhe borde, preferuan që edhe më tej të rrinë pranë pushtetit. Vjosa Osmanin, që ka qenë themeluese dhe lidere e tyre, e kufizonte posti i Presidentes për t’u përfshirë hapur në fushatë, pastaj ndodhi që nuk ishte më në një vijë me Kurtin dhe Gërvallën, ministren e jashtme që katër vite bëri vetëm dëme, asgjë të hajrit.
LDK-ja në të vërtetë, ka kaluar mirë, u këndell pak pas nokdaunit të dytë të rrezikshëm, tani duhet të gjejë rrugën për këndellje të plotë, nëse Abdixhiku i ka kapacitetet drejtuese t’a profilizojë dhe energjizojë LDK-në. Dikur, në kohën e Rugovës, LDK-ja përfitonte nga dualizmi lëvizje/parti, atëherë ishte në ballë të një rezistencë gjithëpopullore, tani ajo po mëdyshet a e ka rivale të vërtet Lëvizjen Vetëvendosje, që e ka zëvendësuar më suksesshëm në dy rolet lëvizje/parti, apo duhet të ketë kundërshtare para së gjithash PDK-në, që më parë ia kishte mohuar dhe marrë primatin. Nuk ka receta të gatshme për asnjë lëvizje dhe parti se si të profilizohen në rrethanat e turbulencave politike dhe ekonomike të të mëdha në krejt botën, e edhe në vendin tonë, të cilin mund ta përshkosh në këmbë për një ditë e gjysmë.
Nacionale: Ishim ndal pak edhe te koalicioni AAK-Nisma, sikur nuk funksionoi diçka. Çka nuk shkoi me këtë koalicion?
Maliqi: Në të vërtetë, ky ka qenë koalicion i shpëtimit për të dy subjektet, për Nismën dihej, ajo e ka votën e koncentruar në një rajon, Malishevë dhe Banjë, të pamjaftiueshme për ta kaluar pragun si e vetme. AAK-ja, që po ashtu e ka votën e koncentruar në një rajon të Dukagjinit dhe Podrimjës, e nga pak edhe nëpër qytete, gjithnjë ka qenë e sigurt mbi pragun, por kësaj here bëri mirë që i kishte edhe votat e Nismës, ka mundur të mbetet jashtë Kuvendit. Tani si koalicion e kanë pozitën king-makers, duke ofruar deputetë edhe Kurtit edhe formacionit opozitarë, për të siguruar mazhorancën. Madje, ka gjasa që Nisma si e vetme të luaj këtë rol, nëse Fatmir Limaj vendos, siç pat deklaruar, nga shkaku i interesit nacional, me tre deputetët që i ka, të bëhet faktori kyç në sigurimin e numrave për mazhorancën qeverisëse.
Nacionale: Deri me tani po shihet se qeveria e re nuk mund të formohet pa ndonjë koalicion. Si e shihni formimin e institucioneve të reja?
Maliqi: Ky do të jetë skenari: ka pak gjasa që VV të ketë as 50 deputetë por mbetet te 48, që të mund të krijonte qeverinë me 10 deputetët e pakicave jo serbe dhe një deputetë të pavarur serb. Nëse i ka 48 kjo skemë bie, por mund të ketë ndonjë kombinim tjetër, duke peshkuar deputetët e partive opozitare, - ka thashatema se po bëhen pazare të tilla, nuk do të ishte hera e parë. Por, duhet të pritet fundi i numërimit të votave, pastaj edhe ankesat eventuale, kjo do të marrë edhe pak kohë.
Nacionale: Tri partitë opozitare i kanë thënë “jo” bashkëpunimi me VV-në për formimin e institucioneve të reja. A është i mundshme krijimi i qeverisë se re nga opozita?
Maliqi: I përshkrova shkurtazi opsionet e VV-së se si do të mund të krijonte qeverinë me numra minimal të deputetëve të mjaftueshëm për të krijuar qeverinë. Por, Kurti si mandatar i parë e ka edhe mundësinë e peshkimit tjetër, duke bërë koalicion me të gjitha subjektet, ose veç e veç, që po i thonë jo bashkëpunimit me VV-në për krijimin e institucioneve të reja. Ky është, kuptohet, opsion teorik, por i mundshëm, me nënvariante të ndryshme për realizim, p.sh. që Kurti të mos jetë kryeministër, do të bëhej një Qeveri teknike dhe e përkohshme, me detyra të caktuara që, p.sh. të kryente obligimet e Marrëveshjes të Ohrit, e cila, më sa mund të kuptohet, është sintezë e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015, që i kanë nënshkruar Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, me Marrëveshjen e Ohrit e para dy viteve, të pranuar nga Albin Kurti pa nënshkrim, por BE-ja e ka të protokoluar si të obligueshme edhe për Kosovën edhe për Serbinë.
Nëse Kurti e ka pas vështirë të nënshkruaj dhe realizojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, si një akt kyç për realizimin e tërësisë të marrëveshjes, sot në rrethanat tejet të trazuara ndërkombëtare ndoshta do të reflektoi a duhet të vazhdojë me kokëfortësinë e tij në raport me partnerët strategjikë, duke u pajtuar që të bëhet një marrëveshje xhentlemene për qeveri teknike që i kryen disa punë taksative rreth marrëveshjes me Serbinë. Kuptohet, nuk di a ka ai fare gatishmëri për këtë. E kuptoj pse dyshohet për këtë sepse gjatë fushatës dhe me shpalljen e “fitores” natën e 9 shkurtit, që po del si një fitore e Pirros, ai i ka thelluar animozitetet me liderët tjerë. Mirëpo, Presidentja Osmani, po e bëj edhe një spekulim pa parë, e mbështetur nga këshilltarët ndërkombëtarë, do të mund të bënte në vitin e fundit të mandatit të saj një punë të hajrit, duke luajtur rolin e instancës racionale që na nxjerrë nga pozicionimet idhnake të liderëve që ua ka rra hise të vendosin për fatin e vendit. Fundja, kjo i takon edhe me funksinin që e ka, nëse e ka ndërgjegjen për këtë.