Intervistë | Lladrovci: Opozitarizimi i PDK-së “s’e ndot ambientin politik” - NACIONALE

Intervistë | Lladrovci: Opozitarizimi i PDK-së “s’e ndot ambientin politik”

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kritikuar videot e Lëvizjes Vetëvendosje në të cilat kritikohen qeveritë e kaluara.

Ai ka thënë se Qeveria Kurti ka marrë besimin e qytetarëve për të bërë punë të mira e jo për t`i goditur kundërshtarët politik me video propaganduese.

Në një këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka thënë se ato video ishin mjerim.

Lladrovci, i cili është njëri ndër themeluesit e PDK-së, ka folur edhe për 23-vjetoirn e themelimit të kësaj partie.

Ai ka thënë se opozitarizmi i kësaj partie ndryshon nga opozitarizmi i LV-së.

Sipas tij, opozitarizmi i PDK-së lidhet me çështjet jetike për qytetarët dhe jo për marrje pushteti.

Duke lavdëruar aktivitetin opozitar të PDK-së, Lladrovci ka thënë se kjo parti jep propozime dhe alternativa qeverisëse për problemet e caktuara dhe nuk fyen institucionet.

Nacionale: Z. Lladrovci, PDK-ja ka shënuar 23-vejtorin e themelimit. Si e sheh PDK-në në këtë përvjetor?
Lladrovci: E shoh me krenari, optimizëm dhe dhimbje, me krenari për të kaluarën e saj, nga çlirimi, shtetformimi, pavarësia e projektet e bazës së shtetit e këndej, me optimizëm për vizionin, për fuqizimin e shtetit dhe mirëqenies së qytetarëve, ndërsa e dhimbshme, sepse, në mesin tonë nuk ishin themeluesit e UÇK-së dhe PDK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të tjerët.

Nacionale: Si do ta vlerësonit rolin që kjo parti ka pasur gjatë kësaj periudhe kohore?
Lladrovci: Si një nga themeluesit e PDK-së, e vlerësoj si rrugë plotë sfida në shërbim të shtetit, por ka mundur të ishte më mirë e të bënte më shumë. Ne kishim ëndrra madhështore për shtetin, ato ëndrra ishin ideale se si duhej të ishte një shtet i lirë për qytetarët tanë, për të cilin ishim gati të japim çdo gjë, madje edhe jetën. Ëndrrat ishin më të mëdha se sa mundësitë që na ofroheshin, pa rrymë, pa rrugë, pa spitale, pa shkolla, pa shtëpi e me njëmijë halle, pas shkatërrimeve të papara që kreu okupatori serb. Sot jemi këtu, duke ecur e zhvilluar, si parti politike në shtet të lirë e demokratik. Në të gjitha zhvillimet pozitive deri sot, e shoh kontributin e PDK-së.

Nacionale: PDK-ja është prej partive që ka qenë më se gjati në pushtet. Për këtë ka edhe shumë kritika nga partitë tjera. Cili është qëndrim i juaja ndaj këtyre kritikave?
Lladrovci: Më së gjati në pushtet, nuk do të thotë se e kishte edhe gjithë pushtetin sikur kjo qeveri. PDK-ja nuk e kishte asnjë herë krejt pushtetin. Ju i dini koalicionet, krijimi i institucioneve të para, deri te pavarësia dhe heqja e pavarësisë së mbikëqyrur. Kritikat mund t’i pranoj se ka mundur të bëhet më shumë, por se nga sot, të flasim për 2000, 2002, 2004 e deri në 2007 e 2014, e të thuhet se PDK nuk bëri asgjë, është vërtetë gabim i madh. Aq më parë, po ashtu me koalicion, arriti shumë suksese, të shpall pavarësinë dhe t’ia ndryshojë përgjithmonë fytyrën Kosovës me të arriturat tjera, me shkolla, infrastrukturë e të gjitha fushat, deri te ngritja e pagave dhe sfidat e çështjeve sociale. Kosova sa ishte në qeverisjen e PDK-së, nuk ishte sikur kjo e sotmja. Andaj, kritikat i shoh për poenë politik. Çdo punë të paraardhësve duhet ta vlerësoni, edhe kjo qeveri kur të shkojë, ajo që do të vije, nëse ka diçka të mirë, duhet ta thotë, por, të nxihet paraardhësi, për të fshehur paaftësinë personale, nuk është as e drejtë. Mandati nga qytetari është dëshmi se ti duhet të punosh më shumë se paraardhësit.

Nacionale: Po bëhen tri vite që PDK-ja është në opozitë. Çfarë vlerësimi keni për opozitarizmin e PDK-së?
Lladrovci: Opozitarizmi i tashëm ka dallim nga opozita e mëparshme e cila hidhte gurë e çirrej rrugëve, digjte objektin e qeverisë, lëndonte policë dhe synonte republikën e tretë, madje edhe çlirim të ri. Ky opozitarizëm i sotëm, lidhet me çështjet jetike për qytetarët, jo për marrje pushteti. Kjo opozitë jep propozime dhe alternativa qeverisëse, jep propozime si të dilet nga kriza, propozime konkrete dhe nuk e fyen as kuvendin me shprehje e sjellje që na patën bërë gazin e botës dhe shembull se si nuk bëhet opozita. Ky opozitarizëm i sotëm, nuk e ndot ambientin politik as kulturën politike sikur disa më herët që sigurisht edhe sot turpërohen nga ato sjellje rrugaçërie.

Nacionale: Në prag të këtij përvjetorit ka pasur edhe kritika të zyrtarëve të lartë të kësaj partie ndaj lidershipit të ri. Z. Ramë Buja ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit, ndërsa deputetja Ganimete Musliu publikisht ka kritikuar një “grup në parti”. Si keni parë këto kritika?

Lladrovci: Kritika e shëndoshë i bën mirë partisë, mendimi ndryshe nuk e ka heq askënd nga partia, as nuk janë larguar nga PDK-ja, as Ramë Buja e as Ganimetja. Ata kanë shprehur qëndrimet e veta, vizionin e vet si të bëhet PDK më e mirë. Se a është ashtu apo jo, se a pajtohem apo jo me qëndrimet e tyre, është tjetër gjë. Konsideroj se PDK ka pjekuri e përvojë të mjaftueshme, ashtu sikur edhe kryetari Krasniqi, me vizion për t’i adresuar qëndrime e tilla.

Nacionale: A po e bën rolin që i takon PDK-ja në opozitë?
Lladrovci: Po, por, mundet më shumë. Aq shumë ka vendime paradoksale nga qeveria, vendime në baza ditore sa vetëm një pjesë e tyre po merr përgjigje. Për shembull, ministrja thotë bëni izolim të shtëpive, thuajse materiali ndërtimor dhe mjeshtrit janë pa pagesë, ministrja thotë “bleni kaldaja”, thuajse peleti është falas. Ajo ka harruar se peleti nga 200 euro vjet, sivjet ka çmim 600 e 700 euro një ton, e vendime të ngjashme, të cilat opozita duhet t’i godas se janë të dëmshme për të gjithë qytetarët. Po ashtu, edhe të qartësojë mungesën e investimeve, mungesën e perspektivës për të rinjtë, heqjen e projekteve nga buxheti e shumë çështje tjera. Thjeshtë, të tregojë pse po dëmtohet qytetari.

Nacionale: Z. Lladrovci, Qveria Kurti po i bën gati dy vite në pushtet. Sa jeni i kënaqur për këtë qeverisje?
Lladrovci: Shumë pak jam i kënaqur, sepse, me përqindjen e fitores, kam pritur më shumë punë. Kjo qeveri i ka të gjitha mundësitë, edhe me vota, të bëj më të mirën e mundshme, pa asnjë pengesë, por, fatkeqësisht nuk po ndodh. Kosova është më e madhe se partia në pushtet. Kosova ka më shumë vlerë se çdo interes i një partie në pushtet, andaj, pres të punojnë, jo për partinë e vet apo ku i fituan zgjedhjet, por të punojnë për të gjitha komunat. Kosova ka ligje dhe ato duhet të zbatohen pa bërë dallime. Pres të ketë më shumë punë e perspektivë që të rinjtë të mos largohen. Pres të binden qeveritarët aktualë se lehtë është të flasësh, kërkohet punë, së paku për të zbatuar zotimet e veta, të gjitha kritikat që i kishin për qeverisjet e kaluara t’i zbatojnë vet, të mos e shkelin Kushtetutën, të mos i shkelin ligjet, të zbatojnë rekomandimet e instancave ndërkombëtare e shumë të tjera, pra, më shumë punë, e më pak propagandë e polemika që çojnë në përçarje.

Nacionale: Si kryetar i komunës, keni ndonjë bashkëpunim me Qeverinë?
Lladrovci: Po, kam bashkëpunim për aq sa kemi kompetenca e përgjegjësi, sipas hierarkisë. Unë jam institucionalist. Unë kam qenë i hapur dhe i gatshëm të them qëndrimin tim sa i takon interesit të qytetarëve të komunës së Drenasit. Unë përpiqem të mos e zhgënjej qytetarin tim, të tjerat kanë më pak rëndësi, normalisht, duke respektuar ligjin dhe barazinë para ligjit.

Nacionale: Se fundi, partia në pushtet po i nxjerrë disa video, duke akuzuar qeveritë e kaluara për keqqeverisje. Në këto video kritika kryesore është për PDK-në. Si i keni parë këto video dhe pse mendoni se po bëjnë këtë?
Lladrovci: Për fat të mirë, qeveritë e mëparshme, nuk janë sjellë në këtë mënyrë me opozitën, sepse, qeveria ka marrë besimin për punë e jo për propagandë dhe goditje të kundërshtarëve. Merrni me mend nëse qeveritë e mëparshme do të bënin video për “punën” e partisë së tashme në pushtet sa ishte në opozitë. Merrni me mend po të silleshin qeveritë e mëhershme sikur sillet kjo qeveri, nga Bajram Rexhepi e këndej. Për mungesën e ujit, rrugëve, shkollave, policisë, ushtrisë, gjyqësisë...do të duhej ta shante gjatë mandatit komunizmin dhe pushtuesit, apo të tjerët. Qeveria ka mandat të punojë e të mos merret me propagandë. Thjeshtë, ato video janë të tejkaluara dhe mjerim. Uroj të mos përsëriten sepse Kosova ka halle më të mëdha.

Lajme të ngjashme