Intervistë | Limaj: Sot në Kosovë kemi një politikë zyrtare anti-UÇK
Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kritikuar qëndrimin e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti ndaj UÇK-së. Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka thënë se sot në Kosovë ka një politikë zyrtare anti-UÇK, e cila po udhëhiqet nga institucionet qendrore. Limaj ka ftuar shoqërinë kosovare që të mos heshtë ndaj kësaj politike.
Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kërkuar shkarkimin e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Ai ka bërë me dije se qëndrimet e saj ndaj UÇK-së janë qëndrime të Presidentes Vjosa Osmani dhe të kryeministrit Albin Kurti.
Ish-komandanti i UÇK-së, ka thënë se sot në Kosovë ekziston një politikë zyrtare anti-liri dhe anti-UÇK.
Sipas tij, kjo politikë po udhëhiqet nga institucionet qendrore të Kosovës.
Limaj i ka bërë thirrje shoqërisë kosovare që të mos heshtë ndaj kësaj politike.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai e ka kritikuar edhe qasjen e partive opozitare ndaj pushtetit.
Nacionale:
Limaj, kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, nuk e përmendi kontributin e UÇK-së për Ditën e Çlirimit. Si e keni parë këtë veprim të saj?
Limaj:
Meqenëse jemi në ditët kur shënohet çlirimi i Kosovës, ku çdo komunë pothuajse ka ditën e çlirimit, shfrytëzoj rastin që gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës t’ua uroj ditët e tyre të çlirimit. Në këto ditë nderojmë dhe respektojnë të gjithë ata burra dhe gra që kanë kontribuar dhe kanë sakrifikuar edhe me jetën e tyre për këtë ditë që ne gëzojmë sot.
Sa i përket pyetjes tuaj, besoj se më këtu nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Fatkeqësisht për vite është krijuar një narracion i tillë, një mbarësim i asaj që po shpaloset. Në Kosovë vazhdimisht ka qenë një grup i njerëzve, të cilëve liria e Kosovës ua ka prishur qetësinë e tyre. Sepse lirinë e Kosovës ata e shohin me interesat e tyre personale. Pra, është në grup i vogël në Kosovë, që interesat e tyre janë prishur me lirinë e Kosovës.
Ky narracion nuk është thjesht i ministres së jashtme. Ky është narracion i qeverisë dhe institucioneve tjera qendrore. Një ministre nuk do ta përsëriste në vazhdimësi atë qëndrim po mos të kishte miratimin e shefave të saj. Atë që ne sot e dëgjojmë nga ministrja, është qëndrim i Qeverisë dhe i Presidentes, sepse po të ishte ndryshe, ajo do të ishte shkarkuar. Pra, atë që kryeministri Kurti dhe Presidentja Osmani e kanë qëndrim politik të tyre, ministrja e jashtme po e shpërfaq.
Nacionale:
Mendoni se do të duhej të shkarkohej ministrja Gërvalla?
Limaj:
Në një shtet normal, një person i tillë nuk do të ishte bërë ministre fare. Pra, në një shtet normal, një personalitet me ato qëndrime të njohura, asnjëherë nuk do ta kishte rastin të bëhej ministre. Dhe një kryeministër do të duhej ta shkarkonte një ministre të tillë. Nëse nuk reagon qeveria, në një shoqëri normale do të duhej që qytetarët e Kosovës të ngrihen në këmbë dhe të kërkojnë shkarkimin e kësaj qeverie. Sepse kjo është fyerje, ofendim, dhe mohim i shtetësisë së Kosovës dhe lirisë së Kosovë.
Fatkeqësisht, ne jetojmë në një situatë jonormale dhe na ndodhin gjëra të tilla.
Nacionale:
Kush duhet ta ndërmarrë një nismë për shkarkimin e ministres Gërvalla? Shoqatat e dala nga lufta? Opozita?
Limaj:
Të gjithë. Më së paku shoqatat e dala nga lufta. Sepse nuk është punë e tyre. Rinia e Kosovës, opinionistët, intelektualët e Kosovës, shoqëria kosovare në tërësi duhet ta dijë se është momenti i fundit kur duhet ta refuzojë një narracion të tillë, i cili është antikombëtar dhe anti-njerëzor. Sot kemi një politikë zyrtare anti-liri dhe anti-UÇK, e cila po drejtohet nga kjo Qeveri. Shoqëria kosovare përballë kësaj politike nuk duhet të heshtë dhe nuk duhet ta ulë kokën.
Nacionale:
Pse mendoni se këtë qasje e ka edhe kryeministri Kurti dhe Presidentja Osmani?
Limaj:
Kjo rrjedh nga e kaluara e tyre. Sepse siç thashë, ka një grup të njerëzve që nuk i janë gëzuar lirisë. Në vazhdimësi ata kanë qenë kundër të gjitha proceseve që na kanë sjellë deri të liria e Kosovës. Prej 88-tës , në vazhdimësi kemi pasur një grup njerëzish që në një mënyrë apo në tjetrën kanë kontestuar përpjekjen për liri dhe u kanë penguar zhvillimet demokratike.
Nacionale:
E thatë që qasja e ministres ndaj UÇK-së bëhet me leje të z. Kurtit. Mirëpo kryeministri vazhdimisht e përmend UÇK-në dhe përkujton betejat e lavdishme të UÇK-së.

Limaj:
Kurti është shef i kësaj ministre. Nëse kryeministri hesht në qëndrimet e njëpasnjëshme të saj, atëherë ka vetëm një shpjegim: ajo është duke i zbatuar qëndrimet e kryeministrit. Por, ajo çka flet dhe çka bën kryeministri janë dy gjëra të ndryshme. Më mos e dëgjoni se çka bën ai njeri, shikojeni se çka po bën. Sepse duke e dëgjuar se çka po flet, kemi ardhur deri këtu. Ky njeri ka pësuar metamorfozë. Unë nuk njoh personalitet tjetër politik në Kosovë që ka bërë një transformim të tillë të mashtrimit, duke thënë diçka tjetër e duke vepruar krejt diçka tjetër. Fjalët dhe veprimet e Kurtit janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, në të gjitha aspektet.
Nacionale:
Cili është vlerësimi juaj për qeverisjen e z. Kurti?
Limaj:
Ma thoni vetëm një gjë të mirë që e ka bërë ai gjatë kësaj periudhe të qeverisjes. Ma thoni një vendim, një qëndrim, apo një projekt, i cili do të tregonte se këtu ka një ndryshim. Mendoj se ky i ka tejkaluar parashikimet negative. Unë nuk kam pritur asgjë nga ky, por megjithatë na i ka tejkaluar me parashikime negative. Në qeveri është grumbulluar një grup njerëzisht të paaftë, të papërvojë, pa motiv dhe pa dashni për vendin. Ata sot i kanë dhënë një status quo zhvillimit të shtetit të Kosovës në tërësi.
Nacionale:
Kjo qeveri, të cilën ju po e cilësoni si të dobët, shumë shpejt do të përballet me marrëveshjen finale me Serbinë. Çka prisni nga ky proces?
Limaj:
Ashtu siç po e humb besimin çdo ditë edhe të optimistët më të mëdhenj të tij, ai çdo ditë po e humb seriozitetin në sytë e atyre me të cilët ka me bisedu. Pra, po e humb seriozitetin në sytë e miqve tanë ndërkombëtarë. Kur jeni joserioz e mashtrues në ato që i keni premtuar popullit tuaj, nesër në tavolinë të bisedimeve të tjerët kanë më iu shiku me të njëjtin sy. Do të shikohen si njerëz që lehtë largohen nga zotimet e tyre dhe nga qëndrimet e tyre. Frika ime është se miqtë tanë ndërkombëtarë para vetes kanë një palë të cilën e shohin si joserioze dhe narcizoide, e cila lehtë mund te heqë dorë dhe të bëjë kompromise të paimagjinueshme dikur në Kosovës.
Nacionale:
Çka ju bën të mendoni se z. Kurti, i cili vazhdimisht ka kundërshtuar dialogun me Serbinë, do të mund të bëjë tash kompromise të paimagjinueshme?
Limaj:
Ai ka hequr dorë nga ato gjëra që kanë qenë identitet i kësaj lëvizjeje. Ka thënë “jo negociata, Vetëvendosje”, ka thënë se nuk bisedon me Serbinë pa kërkuar falje, ka thënë se nuk bisedon me Serbinë pa e njohur Kosovën, pa e ditur fatin e të pagjeturve, e shumë gjëra tjera. Ne kur u orvatshim për të biseduar me Serbinë, këta të shpallnin tradhtar. Ndërsa, sot po ndodh krejt e kundërta. Shikoni sot, procesin e ka kthyer në një dialog teknik.
A e dini se dje dhe pardje ka ndodhur ajo që nuk ka ndodhur kurrë me procesin e dialogut me Serbinë. Sot për çështje të rëndësishme të energjetikës flet kompania private në emër të Kosovës. Pra, KEDS dhe Qeveria serbe takohen në Stamboll për të rregulluar se si duhet të inkorporohet një pjesë e Kosovës në sistemin tonë energjetik. Ndërsa, tani del ai zëvendëskryeministri, i cili nuk ka lidhje me këtë punë, e mundohet të tregojë se çka po ndodh në Stamboll. Ai doli pasi mediat raportuan për këtë çështje. Si mund të bisedojë për një temë të tillë nacionale një kompani private? Ka pasur bisedime të vazhdueshme për këtë çështje, por nuk kemi arritur të një marrëveshje sepse nuk kemi luftuar për të hequr ndikimin e Serbisë, kurse Serbia ka kërkuar ta shtrijë ndikimin e vet. Ky është skandal në vete. Politika në shumicën e rasteve bëhet me simbolika. Kjo tregon se këta nuk dinë, me pyet nuk pyesin, dhe janë mosbesues. Këta janë të ndërtuar në teorinë e konspiracionit dhe kjo kthehet pastaj.
Nacionale:
Duke pasur për bazë këto që keni parë deri më tani, mendoni se kjo qeveri mund ta sjellë një marrëveshje përfundimtare me Serbinë?
Limaj:
Një marrëveshje përfundimtare me Serbinë ka mundur ta sjellë secila qeveri e deritashme. Pyetja është se çfarë marrëveshje. Me këta njerëz, me ata që kemi parë për një vit e gjysmë nuk e kanë as përgatitjen, as përvojën dhe as nuk kanë qëndrime qendrore. Burrështetasi duhet me pasë qëndrim shtetëror. Ne një qëndrim të tillë nuk po e shohim as nga presidentja, as nga kryeministri e as zëvendëskryeministrat. Ne sot shohim se çdo zyrtar që del para publikut mundohet ta arsyetojë të paarsyeshmen, mundohen ta përjashtojnë atë që është arritur në këtë vend, dhe mendojnë se me të ka filluar çdo gjë. Ndërsa, kur shikon se çka po bëjnë ata, nuk po bëjnë asgjë.
Vazhdimisht mundohen të manipulojnë. Shikoni se çka po bëjnë me shifra. Ku janë ato 50 mijë vende pune, ku është ajo rritje ekonomike në Kosovë që po e proklamojnë. Lavdërohen se janë rritur të hyrat. Për një vit e gjysmë Kosova është shumë më keq sesa ka qenë, qytetari është më i varfëruar, fuqia blerëse ka rënë, ndërsa çmimet janë ngritur. Natyrisht se rriten të hyrat e shtetit, sepse janë rritur çmimet. Nëse qytetarët deri para një viti e gjysmë për një litët naftë ka paguar, ta zëmë 30 centë, sot e paguajnë 60 centë për të njëjtin litër. Pra, natyrisht se rriten të hyrat. Dhe në krejt këtë situatë kritike, qeveria jonë tenton t’i hedhë qytetarëve pluhur syve dhe të mashtrojë.
Këto manipulime më bëjnë mua të dyshoj edhe në procesin e dialogut me Serbinë. Ajo që po shoh unë është një marrëveshje e heshtur, jo e bashkëbiseduar, në mes të Kurtit dhe Vuçiqit për të mbajtur status quo-në. Nëse lexoni mirë qëndrimet e kryeministrit tonë, ai edhe thotë se nuk kemi nevojë për njohjen e Serbisë. Pra është një qëndrim i heshtur që të mbahet kjo situatë e ngrirë.
Nacionale:
Pse po e bën këtë kryeministri Kurti?
Limaj:
Kjo vjen për shkak të mosdijes, mosguximit për t’u sfiduar. Sepse në krye të shtetit kemi njerëz që kurrë nuk janë sfiduar. Pra, jokompetenca, frika për t’u sfiduar dhe moseksperienca në negociata ndikon që të vijë një moment ku heq dorë prej asaj pune. Tash e një kohë, nuk e di sa e keni vërejtur, kryeministri jonë është duke hequr dorë nga punët e tij. Në kohën kur Kosova i ka 100 mijë probleme, ai 30 ditë largohet nga vendi dhe shkon e mban ligjërata nëpër universitete të ndryshme. Kur punët i kanë llugë në shpi, këta kthehen në atë që dinë ta bëjnë më se miri, të flasin dhe të mos bëjnë asgjë. Mungesa e një kryeministri në vend është me heqë dorë nga puna. Pra, kryeministri i vendit tonë po heq dorë nga puna dhe vendimmarrja dhe po kthehet po mban ligjërata e po u shet pallavra njerëzve. Ky është i mirë për seminare, por jo për të qeverisur vendin.
Këta nuk kanë nerva të dëgjojnë hallet e njerëzve, këta nuk duan të merren me probleme të vogla, prandaj, këta nuk bëjnë as dialog social, as me sindikatat e as me veteranët e UÇK-së.
Nacionale:
Para disa ditësh, presidentja preu në një foto kryeministrin Rama, pastaj zëvendëskryeministri Bislimi shpërndau një status ku thuhej se Edi Rama është pro-serb, ndonëse thanë se e bëri gabimisht. Si i shihni raportet Kosovë-Shqipëri në këtë qeveri?
Limaj:
Ajo që mund të them përsëri është: mirë se erdhët në klubin e mashtrimit. A po e shihni se çka po ndodh. Nga një lëvizje e cila nuk ka lënë gjë pa përdorur për të promovuar idenë e bashkimit kombëtar, duke manipuluar kategorinë më të ndjeshme të këtij vendi, djemtë dhe vajzat e reja. Pra, duke mohuar çdo gjë që identifikohej me shtetin. Besoj se nuk e keni harru atë fjalimin e famshëm me rima: me flamurin lara-lara.
Nacionale:
Vetëm se në atë protestë ku e mbajtën këtë fjalim e keni mbështetur edhe ju. I keni rënë pishman?
Limaj:
Jo. Sepse unë kam mbështetur kauza. Unë kam besuar atëherë dhe besoj edhe sot se çështja e asociacionit ka qenë e gabuar. Këtë e ka treguar edhe Gjykata Kushtetuese. Unë nuk jam larguar asnjëherë nga kauzat e mija. Ndërsa, ky e ka ndryshuar qëllimin. Njerëzit kanë të drejtë të ndryshojnë, por jo ta ndryshojnë qëllimin. Ju mundeni t’i ndryshoni mjetet për të ardhur deri te qëllimi. Kjo po del se ata e kanë mashtruar popullin edhe në qëllim edhe në mjete. Pra qëllimi i tyre nuk paska qenë bashkimi, por pushteti. Nëse e shikoni mirë foton e Presidentes, ajo është duke qeshur me presidentin e Serbisë, ndërsa ia ka kthyer shpinën kryeministrit të Shqipërisë.

Nacionale:
Ndaj gjithë këtyre veprimeve të Qeverisë, ku është opozita parlamentare?
Limaj:
Fatkeqësisht ne sot kemi një opozitë anemike dhe të paorganizuar. Drejtuesit e partive opozitare ende nuk kanë treguar se cila është platforma dhe opozitë-bërja e tyre. Daljet e kohëpaskohshme janë për deputetë të opozitës, opinionistët dhe intelektualët. Liderët e opozitës duhet të dalin me një platformë të qartë opozitare, në vazhdimësi e në çdo kohë. Deri më tani kemi parë një opozitë sporadike në reagime. Kjo opozitë më tepër reagon sesa që krijojnë politika opozitare. Sot më opozitë i ke mediat në Kosovë, sesa që ke një opozitë të mirëfilltë. Ato parti nuk ngritin çështje në kohën dhe mënyrën e duhur në Kuvendin e Kosovës. Po ashtu, i shoh se as grupet parlamentare nuk janë të koordinuara në aktivitete, shpresoj se ata do të ringjallen. Por, tani për tani kemi një opozitë larg prej asaj që duhet të jetë.
Nacionale:
Pse nuk kemi një opozitë të mirëfilltë. Nuk po dinë të bëjnë opozitë, apo partitë opozitare nuk po kanë guxim?
Limaj:
Në krye duhet të jenë njerëz që dinë me udhëheqë beteja politike. Në politikë asgjë nuk të ofrohet, aty gjithçka duhet të fitohet, duhet të luftohet. Drejtuesit e opozitës duhet të jenë njerëz të betejave politike, jo të shmangen, jo të heshtin dhe jo të presin që dikush tjetër t’ua kryejë punën. Disa prej tyre ia ka ardhur vetë me e drejtu partinë, pa dhënë asnjë kontribut, por kjo nuk do të thotë se në të njëjtën mënyrë mund ta fitojnë edhe pushtetin. Lidershipi opozitar duhet të mobilizojë dhe të krijojë alternativa para qytetarëve dhe të tregojë pse ai nesër duhet të jetë kryeministër i vendit. Kjo bëhet kur ju merrni qëndrime për çdo temë dhe jepni alternativa për çdo temë. Pra, duhet të jepni qëndrim për Ballkanin e Hapur, për pagën minimale, për veteranët, etj.
Nacionale:
Cili është qëndrimi juaj për Ballkanin e Hapur?
Limaj:
Qëndrimi im për Ballkanin e Hapur është se në fillim është ndërtuar keq. Ne po flasim për një temë ku nuk kemi asgjë të shkruar. Ne duhet të dimë se pse është krijuar Ballkani i Hapur, çfarë qëllime ka ai, cilat janë përfitimet nga Ballkani i Hapur dhe cili është roli i shteteve veç e veç në këtë iniciativë. Mirëpo nuk thuhet apriori se jemi kundër iniciativës. Kurrë nuk duhet te jemi kundër bashkëpunimeve rajonale, mirëpo kur jeni pro këtyre bashkëpunimeve ju duhet të kërkoni se çka nënkupton ky bashkëpunim rajonal. Pra, duhet të shikohen rreziqet dhe përfitimet nga kjo iniciativë. Deri më tani asnjëherë nuk është biseduar seriozisht për këtë çështje.
Nacionale:
Pse besoni se Qeveria po e kundërshton këtë iniciativë?
Limaj:
Vetëm se ndër themeluesit është kryeministri Edi Rama. Nëse tash i thonë Albinit, a po behësh lider i Ballkanit të Hapur, nesër ai do ta ndërrojë trakën. Pra, më shumë kundërshtohet për shkak të predispozitave egoiste personale, e jopërmbajtësore. Kosova dëshiron siguri maksimale para çfarëdo iniciative rajonale. Nëse Shqipëria dhe Serbia kërkojnë dy gjëra konkrete, Kosova duhet të kërkojë 10 për të parë se ku po futet. Duhet të shikohet përmbajtja, sepse ajo ta jep qëndrimin për me u futë ose jo në këtë iniciativë.