Intervistë | Hoti: Kosova humbi shumë nga moszbatimi i Marrëveshjes së Uashingtonit, qeveria e re duhet ta zbatojë - NACIONALE

Intervistë | Hoti: Kosova humbi shumë nga moszbatimi i Marrëveshjes së Uashingtonit, qeveria e re duhet ta zbatojë

2 javë më parë

nga Muhamet Koci

Sot janë bërë 4 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Uashingtonit. Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili e ka nënshkruar këtë ujdi, ka vlerësuar se dokumenti ka vlerë të jashtëzakonshme për Kosovën. Sipas tij, Republika e Kosovës ka humbur shumë me moszbatimin e saj

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka vlerësuar lartë Marrëveshjen e Uashingtonit, të cilin e kishte nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.

Në katër vjetorin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, Hoti ka thënë se ujdia në fjalë është prej dy marrëveshjeve më të rëndësishme që ka nënshkruar Republika e Kosovës.

Në këtë intervistë për gazetën Nacionale, Hoti ka rikujtuar përftimet që parashiheshin për Kosovën.

Sipas tij, ajo do ta vendoste Kosovën në një trajektore të konsolidimit të shtetësisë dhe fuqizimit ekonomik.

Deputeti i LDK-së pret që Qeveria e re e Kosovës të merret me zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit.

Ish-kryeministri ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, i cili ka refuzuar zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit.

Nacionale: Z. Hoti, sot bëhen 4 vite nga Marrëveshja e Uashingtonit, të cilën ju si kryeministër i Kosovës e keni nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë. Cila ishte vlera e asaj marrëveshje për Kosovën?
Hoti: Nga shpallja e pavarësisë, dy marrëveshjet më të rëndësishme për Kosovën janë: Marrëveshja për Stabilizim Asociim me BE-në e vitit 2015 në Qeverinë Mustafa dhe Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020. E para vendos marrëdhënie kontraktuale formale mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian sikurse çdo vend tjetër që aspiron anëtarësimin në BE. Ndërkaq, marrëveshja e dytë e vendos Kosovën në një tjetër trajektore të konsolidimit të shtetësisë dhe fuqizimit ekonomik.

Nacionale: Çka humbi Kosova nga moszbatimi i asaj marrëveshje?
Hoti: Duke mos zbatuar këtë marrëveshje, Kosova humbi mundësinë e fuqizimit të jashtëzakonshëm ekonomik si një vend qendror në Ballkan, si urë lidhëse mes vendeve të rajonit dhe përtej. Kosova humbi besueshmërinë si partner që respekton marrëveshjet, në veçanti me aleatin kryesor. U humbën qindra miliona euro investime në rrjetin e gazit e në termocentralin me gaz, në hekurudha e në autostrada, e në shumë investime private. Sikur këto investime të ndodhnin, sot të do kishim një situatë krejt tjetër ekonomike dhe politike. Kosova do të ishte shumë më të fuqishme ekonomikisht dhe në pozitë më të favorshme për të vendosur kursin e zhvillimeve në rajon.

Nacionale: Pasardhësi i juaj në postin e kryeministri vendosi të mos e respektoi marrëveshjen në fjalë. Pse mendoni se ndodhi një gjë e tillë?
Hoti: Pasardhësi im e ka dëshmuar në vazhdimësi, me fjalë e me veprime, se është kundër aleancës me ShBA-në. Ky e do një Kosovë të izoluar ku mund të eksperimentojë me dogmat e tij. Nuk ka si të kuptohet ndryshe refuzimi i tij për të zbatuar këtë marrëveshje, sidomos kur administrata e re amerikane në fillim të vitit 2021 e konfirmoi gatishmërinë për të zbatuar marrëveshjen.

Nacionale: Në atë marrëveshje parashiheshin disa përfitime për Kosovën. Falë asaj marrëveshje, Kosova mori edhe njohjen nga Izraeli, që është njohja e fundit që ka marrë Kosova. Çka flet kjo për Kosovën?
Hoti: Njohja nga Izraeli erdhi pas një periudhe të gjatë të bllokimit të njohjeve. Njohja nga një vend si Izraeli dhe direkt nga Shtëpia e Bardhë ishte sinjal i fuqishëm dhe thirrje për të gjitha vendet skeptike sa i përket njohjes së Kosovës. Nga atëherë nuk ka asnjë njohje tjetër, që është sinjal i qartë i pasojave që ka shteti i Kosovës kur i cenon aleancat.

Nacionale: A mendoni se ende ka gjasa që ajo marrëveshje të zbatohet?
Hoti: Unë pres me besim të plotë se në qeverinë e ardhshme do të kthehet bashkëpunimi i ngushtë i Kosovës me aleatin kryesor, ShBA, përfshirë këtu edhe dakordimet që duhet të bëhen menjëherë për veprimet konkrete teknike për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit.

Nacionale: Nga ajo kohë, zyrtarët e lartë qeveritar më nuk janë futur brenda Shtëpisë së Bardhë. Madje, edhe zyrtarët e lartë amerikanë e kanë pranuar se ka dëmtim të raporteve në mes të dy vendeve. Cili është vlerësimi i juaj për këtë gjë?
Hoti: Besoj se kjo është e pritshme. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos me aleatët strategjik, është tepër e rëndësishme të ruhet mirëbesimi reciprok, të respektohen dakordimet e arritura në takime bilaterale, e të respektohet kursi i dakorduar i veprimeve. Ky mirëbesim duket qartë se është lëkundur pasi kryeministri duket se dakordohet në takime bilaterale, por më pas vazhdon me veprime të njëanshme. E mira është se Departamenti i Shtetit ka theksuar se, pavarësisht problemeve sa i përket bashkëpunimit me qeverinë aktuale, SHBA-ja qëndron fuqishëm në mbështetje të popullit të Kosovës. Besoj se ky është mesazh për të gjithë qytetarët se ku kanë degraduar marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me mbështetësin më të fuqishëm dhe garantuesin kryesor e sigurisë kombëtare të Kosovës, SHBA-në.

Nacionale: Veprimet e fundit të Qeverisë në veri kanë nxitur përsëri reagimin e ShBA-së dhe aleateve, të cilët i kanë bërë thirrje Kosovës t`i ndal veprimet e njëanshme në veri. Tani kryeministri Kurti po iu shmanget pyetjeve të gazetarëve për hapjen e urës. Cili duhet të jetë qëndrimi i Kosovës për këtë çështje?
Hoti: Nuk ka dyshim se veprimet e pakoordinuara në veri, sado të drejta të jenë, i kanë cenuar aleancat e Kosovës me miqtë kryesorë. Kjo tanimë po i kushton shtetit dhe popullit të Kosovës: (i) me vonesa në integrimit euro-atlantik; (ii) me bllokim të njohjeve dhe anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare; (iii) me qindra miliona euro humbje nga sanksionet e BE-së që kanë bllokuar dhjetëra projekte përmes fondeve të BE-së; dhe (iv) me dëmtim të imazhit ekonomik të Kosovës që ka implikime për investimet e huaja në Kosovë. Mendoj se gabimi është bërë që në fillim të mandatit të kësaj qeverie kur u braktis korniza e dialogut e qeverisë paraprake e dakorduar me aleatët, e cila e kishte fokusuar dialogun vetëm në arritjen e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke.

Dakordimet e arritura me aleatët atëherë përfshinin: (1) dialogohet vetëm për njohje reciproke dhe (2) nuk pranohet asgjë pa u dakorduar për të gjitha, përfshirë para se gjithash njohjen reciproke. Besoj se kjo kornizë e dialogut e qeverinë paraprake ka qenë arritja më e madhe e Kosovës në dialog nga fillimi i i këtij procesi në vitin 2011.

Unë sot nuk mund të jap vlerësime a do të ishte mbyllur procesi i dialogut sikur ajo kornizë të respektohej nga qeveria aktuale dhe të vazhdonte dialogu aty ku kishte mbetur. Por jam i sigurt se sot Kosova do të ishte në pozitë shumë më të favorshme në raport me aleatët dhe me gjithë procesin e integrimit euro-atlantik, e rrjedhimisht edhe me zhvillim ekonomik e shoqëror.

Lajme të ngjashme