“I shpëtove vizat me një nënshkrim të Zajednicës”: Kurti tenton të marrë merita, nervozohen disa qytetarë
Postimi ku kryeministri Albin Kurti lajmëron për vendimin e marrë rreth liberalizimit të vizave, pa dyshim është një prej më të pëlqyerave të ditëve të fundit në llogarinë e tij në Facebook. Tani, ky shkrim numëron rreth 16 mijë pëlqime dhe mbi një mijë komente. Si po e komentojnë qytetarët “lëvdatën” e kryeministrit për vetën e tij, rreth këtij zhvillimi?
Gjatë javës që po lëmë pas Këshilli Evropian me shumicë votash i tha “Po” liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Të gjitha shtetet, duke përfshirë edhe pesë që nuk e njohin Kosovën, ishin të gatshmë që t’i japin fund regjimit të vizave.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri dy reagime në lidhje me këtë situatë, një shkrim në Twitter dhe një në Facebook.
Në këtë të fundit, mori meritat për qeverisjen e tij, duke shkruar mes tjerash si vijon: “Ky vendim është vlerësim i qeverisjes sonë që po sjellë vendime të mira për qytetarët dhe njohje e reformave që po përmirësojnë indikatorët në organizata ndërkombëtare”.
Qytetarët ia përmendin “Zajednicën”
Ky postim i kryeministrit në Facebook do të pëlqehej mbi 16 mijë herë nga qytetarët, dhe do të merrte mbi një mijë komente.
Mes shumë komenteve ky qytetarët shkruanin fjalën e shumëpërdorur “respekte”, kishte shumë të tillë që edhe nuk e besuan reagimin e kryeministrit duke ia përmendur atij formimin e Asociacionit.
“Kto na kan jap per mjau jap zejadnicen boco.” – ka shkruar një komentues në Facebook.

Një tjetër, ka komentuar “Faleminderit qeverive te me parshme se per ty edhe 1000 vjet jo”.

Dikujt, edhe i është qeshur me fjalën e kryeministrit për “vendimet e Qeverisë tonë”.

“...qe 10 vjet e ke pengu liberalizimin tash pi ndrron me zajednic skena nevoj per liberalizim pi marrim vizat e punes.” – ka komentuar një person tjetër.

Të tjerë, kanë përmendur edhe marrëveshjen bazë, që Kurti tashmë veç se e ka pranuar.
“Bablok, është karota e BE për marrëveshjen ose zalloga e Lajçakut për ty.. Urime qytetarëve!” – ka shkruar një person.

Disa komente të tjera, kanë qenë si vijon:
“Ani ky vendim është vlerësim i qeverisjes sonë..? A kurrë Kosova ma keq nuk u kan, ju keni hyp në pushtet e s’jeni tu pa kurgjo.!! Jepja naj krug ka Ambasadat naj ditë, dhe ndiqe Halil Kastratin... Tani e sheh qeverisjen tënde a ke punu najse, a qa ke ba n’keto 2 vite qeverisje”

“Zhurmen e keti lajmi do e degjojm me daten 17-19 te keti muaji kur ti te shkosh ne takim Kryeminister . Do shofim ti qka ke pranu qka do nenshkruash . Me qka do e paguajm ket gje e di ti.”

“I shpetove vizat me nje nenshkrim zajednica urime me gjithse 13 vite me pare veq ish e nenshkrua kauza jote shkoj per 10 sekonda qysh tha edhe tom gashi n qofse nuk eshte ashtu dil thuj publikisht jo”

Vendimet për vizat
Më 30 nëntor, ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Pas kësaj, negociatat filluan menjëherë.
Më 12 dhjetor të vitit 2022 u mbajt një takim teknik, ndërkaq dy ditë më vonë, trilogu politik u mblodh në Strasburg. Dy ligjvënësit arritën një marrëveshje duke gjetur një kompromis për disa çështje të pazgjidhura të identifikuara në nivel teknik.
Ndërkaq, më 20 dhjetor 2022, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm analizoi tekstin final me synim arritjen e marrëveshjes dhe e konfirmoi atë.
Më 12 janar 2023, Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësinë dhe punët e Brendshme (Komiteti LIBE) konfirmoi marrëveshjen politike dhe më 13 janar 2023 kryetari i LIBE i dërgoi një letër Kryetarit të Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm duke konfirmuar se, nëse Këshilli miraton Rregulloren në lexim të parë, pas rishikimit ligjor gjuhësor, Parlamenti do të miratojë qëndrimin e Këshillit në leximin e tij të dytë.
Ndërkohë, krejt ky proces së fundi ishte kushtëzuar me sistemin ETIAS, çështje të cilën e kishte shpjeguar për Nacionalen përfaqësuesja e përhershme e Çekisë, Edita Hrda.
“Ekziston një marrëveshje në nivel Këshilli që qytetarët e Kosovës nuk do të kenë nevojë për vizë pasi të jetë funksionalizuar Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), kjo pritet të jetë në nëntor të vitit 2023. Por meqenëse ne donim që qytetarët e Kosovës të kishin një garanci, ne kemi vendosur 1 janar 2024 si datën më të fundit për liberalizimin e vizave. Kjo është më tepër një masë sigurie në rast se ka ndonjë vonesë administrative me ETIAS.” – kishte thënë për Nacionalen përfaqësuesja e përhershme e Çekisë, Edita Hrda.
Vlen të theksohet, se mes gjithë këtyre vendimeve, një prej takimeve kryesore të grupit COREPER ku do të vendosej për vizat, ishte anuluar për shkak të tensioneve në veri të vendit në fund të vitit që lamë pas.


