Çka po ndodh? Kurti i merr meritat për liberalizim të vizave, Osmani e “demanton” - NACIONALE

Çka po ndodh? Kurti i merr meritat për liberalizim të vizave, Osmani e “demanton”

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Miratimi për liberalizimin e vizave nga Këshilli i Bashkimit Evropian, solli edhe një mundësi tjetër që kryeministri i Kosovës Albin Kurti të mos e humbasë rastin e t’i japë merita qeverisjes së tij.

Duke e përshëndetur vendimin, Kurti edhe këtë radhë bëri dy postime të ndryshme në dy platforma të rrjeteve sociale, që tregojnë qartazi qëllimin e arritjes së audiencave të ndryshme.

Përderisa në Twitter, u shpreh thjesht “i kënaqur me vendimin”, në Facebook ka treguar pak më shumë entuziazëm ku duke përmendur të gjitha “të arriturat” e deritanishme të Qeverisë, ka lënë të kuptohet se edhe liberalizimi është një vlerësim që i është bërë qeverisjes së tij.

“Krahas rritjes e përmirësimit të gjithmbarshëm në indikatorët e drejtësisë, demokracisë e lirisë, sot kemi edhe vendimin e Këshillit të Ministrave të BE-së për udhëtimin pa viza për qytetarët e republikës,”- është fjalia e parë e postimit të Kurtit, ndërsa mendimin e vazhdon me një deklaratë tjetër kontraverse.

“Ky vendim është vlerësim i qeverisjes sonë që po sjellë vendime të mira për qytetarët dhe njohje e reformave që po përmirësojnë indikatorët në organizata ndërkombëtare,”- ka shkruar tutje në Facebook, kryeministri Kurti.

Megjithatë, diçka tjetër interesante që bie në sy është fakti që ky pretendim i Kurtit se liberalizimi i vizave është meritë e qeverisjes së VV-së, çuditërisht këtë herë në një mënyrë a tjetër është ‘demantuar’ nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila duke folur për liberalizimin, ka thënë se kriteret ishin përmbushur pesë vite më parë, që lë të nënkuptohet se në fakt vlerësimi për vendimin e sotëm nuk është se i takon qeverisë Kurti.

“Mirëpresim vendimin e sotëm unanim të Këshillit të BE-së për liberalizimin e shumë merituar të vizave për popullin e Kosovës. Duke përmbushur kriteret 5 vjet më parë, ky proces i vonuar është megjithatë një fitim për qytetarët dhe vendin më të rj të Evropës. Faleminderit të gjithë partnerëve tanë që na qëndruan pranë!” - ka shkruar Osmani.

'Dy Albin-at'

Duke u rikthyer te selektimet që bën kryeministri në postimet e tij për Twitter e Facebook, kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë, e duke parë tendencën e tij për të marrë vlerësime edhe aty ku s’i takojnë, me shumë gjasë s’do të jetë as e fundit.

Edhe më herët duke folur për pranimin e planit franko-gjerman, për vizitën tek dy familje të serbëve në Istog, e për disa statistika për komunat veriore, Kurti kishte zgjedhur Twitter-in që të informojë. Ndërkohë që, për punën e pagave, për kushtet e reja për Asociacionin, apo edhe për dërgimin e FSK-së në Turqi, Kurti kishte zgjedhur Facebook-un.

Nacionale duke e trajtuar këtë çështje, e kishte cilësuar Kurtin si “pulë” në Twitter e “skifter” në Facebook, ndërsa ishin marrë edhe mendime të analistëve lidhur me mënyrën se si Kurti përzgjedh informacionet dhe se si i ndanë ato me audiencën në dy rrjetet sociale.

Analisti i politikës Afrim Haliti, kishte thënë se pronocimet e kryeministrit janë shumë selektive e të filtruara, dhe kjo vjen si arsye e qëndrimeve kontradiktore të tij.

“Për shkak të një volumi të madh qëndrimesh dhe prononcimesh kontradiktore deri sa ishte në opozitë, e të cilat po bien ndesh me qëndrimet aktuale të Albin Kurtit, prononcimet e tij sot janë shumë selektive dhe të filtruara. Tashmë është e njohur se ai për të tilla prononcime përdorë dy platformat sociale më të njohura Facebookun dhe Twitterin, dhe në bazë të përmbajtjes së këtyre prononcimeve shihet qartë se ai synon për të arritur audienca të ndryshme.” – ka thënë Haliti për Nacionalen.

Ndër të tjera, Haliti kishte nënvizuar edhe se shkrimet e Kurtit në Facebook janë me informata jo shumë të rëndësishme pasi pjesa dërmuese e ndjekësve të tij në Facebook janë ata që e kanë votuar dhe kryeministri nuk do të rrezikojë ta humbasë përkrahjen e tyre.

“Ai nuk po e informon publikun aty ku ka më shumë qasje për shkak se nuk dëshiron transparencë tek ata që e kanë votuar sepse nuk dëshiron që qytetarët të jenë në gjendje të marrin vendime të mirë informuara sepse asisoji i rrezikohet numri i përkrahësve. Me këto veprime ai po e rrezikon procesin demokratik në një periudhë shumë të ndjeshme në të cilen po kalon Kosova.” – ka thënë ai.

Aktualisht Kurti në Twitter numëron mbi 97 mijë ndjekës, ndërsa në Facebook 522 mijë.

Lajme të ngjashme