Hutim, befasi, shqetësim i thellë: Fjalët domethënëse të ambasadorit amerikan për lirinë e medias - NACIONALE

Hutim, befasi, shqetësim i thellë: Fjalët domethënëse të ambasadorit amerikan për lirinë e medias

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të hidhëruara me Kosovën. Shumë të hidhëruara. Ky hidhërim është shkaktuar nga politikat e Qeverisë Kurti në veri të vendit. E megjithatë, një hidhërim i ri dhe serioz na shfaqet sërish: ai për rastin e Klan Kosovës. Pse fjalët e sotme të ambasadorit janë të rëndësishme?

Menjëherë pas vendimit të së premtes së kaluar për t’i pezulluar licencën mediumit Klan Kosova, QUINT-i kishte shprehur shqetësim.

Një shqetësim të tillë e përsëriti ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, para gazetarëve gjatë ditës së sotme.

“Nuk besoj që është mister që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë janë të shqetësuar me situatën. Thellë të shqetësuar.”u shpreh ambasadori amerikan.

Kjo thellësi shqetësimi u shpreh edhe përmes fjalëve tjera të tij.

“Nuk e shohim këtë çështje thjesht si çështje biznesi. E shohim si çështje të lirisë së mediave dhe po e adresojmë si të tillë.” – ishte fjalia tjetër e qartë e ambasadorit për rastin në fjalë.

Pra, ashtu siç edhe thanë gazetarët protestues gjatë ditës së djeshme, çështja nuk ishte ashtu siç po provojnë ta prezantojnë eksponentët e pushtetit. Çështja ka të bëjë konkretisht me lirinë e shprehjes, lirinë e mediave dhe në fund të fundit edhe me vetë demokracinë.

“Da ta them që kurdo që një qeveri e merr një vendim që mund të ketë ndikim në mundësinë e një mediumi që të transmetojë a operojë, kjo është diçka që duhet bërë pas shumë e shumë shqyrtimeve të kujdesshme dhe si opsion i fundit. Sepse liria e mediave është shumë e rëndësishme.” – u shpreh z. Hovenier, ambasadori i një vendi që për dy dekada e gjysmë ka përçuar aktivisht vlera të lirisë e demokracisë në vendin tonë.

Takimi me Devollët

Më 17 korrik, ambasadori Hovenier kishte biseduar me biznesmenin Shkëlqim Devolli.

“E kishim një bisedë të mirë për një varg çështjesh – përfshirë edhe situatën për Klan Kosovën.”njoftonte ambasadori publikun për takimin në fjalë.

Për këtë takim, znj. Dejona Mihali e VV-së kishte pasur fjalë shumë shumë shumë të rënda.

“Pritjet e këtyre kategorive sikur të ishin biznesmenë apo politikanë në selitë diplomatike kudo, brenda a jashtë Kosovës veç sa e vështirësojnë punën e organeve të hetimit ndaj krimeve të shkaktuara nga ata.”shkruante ajo në Facebook.

Ambasadori amerikan adresoi komente si këto sot duke thënë që ishte befasuar e hutuar prej tyre.

“I pashë ato komente. Jam hutuar e befasuar nga ato komente. Nuk besoj që ato kanë ndonjë bazë në realitet.” – tha Hovenier.

Më pas ai tregoi se si takonte vazhdimisht liderë biznesorë në vend dhe se kjo nuk e ndikonte vendim-marrjen e zyrtarëve qeveritarë e nuk provonte të ndikonte në vendimet e gjykatave.

Lajme të ngjashme