Hoti: Flemë mbi qymyr, por bizneset private detyrohen ta importojnë edhe nga Serbia
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova ka qymyr të mjaftueshëm, ndërkohë që importi i tij vazhdon.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se një numër i bizneseve në Kosovë e përdorin qymyrin për ngrohje të hapësirave të punës apo në teknologjinë e prodhimit.
“Zakonisht këto biznese qymyrin e kanë blerë nga ndërmarrja “Kosova Thëngjilli”, e cila funksionin si shoqëri aksionare. Kjo ndërmarrje e ka blerë qymyrin nga KEK-u, e ka përpunuar atë dhe ua ka shitur bizneseve ose e ka eksportuar”, ka shkruar ai.
Ai tutje ka pyetur se pse po vazhdon të ruhet qymyri dhe cila është strategjia pasi që siç thotë ai, Kosova Thëngjilli ka një kontratë me KEK-un e cila nuk është aktive.
Sipas tij, punëtorët e kësaj ndërmarrje vazhdojnë të jenë pa paga.
“Kontrata e kësaj ndërmarrje me KEK-un nuk është aktive. Punëtorët e saj janë pa të ardhura. Sot bizneset private detyrohen të importojnë qymyr nga jashtë. Së paku 6 milion euro qymyr janë importuar vitin e kaluar. Qymyri është importuar edhe nga Serbia, me çmim prej 200 euro për ton, krahasuar me 60 euro për ton nga “Kosova Thëngjilli””, përfundon statusi i tij.
