Thaçi: Kosova duhet të investojë në ndërtimin e një termocentrali me qymyr - NACIONALE

Thaçi: Kosova duhet të investojë në ndërtimin e një termocentrali me qymyr

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Analisti i politikës, Jusuf Thaçi, ka bërë thirrje që Qeveria e Kosovës të fillojë ndërtimin e një termocentrali me qymyr.

Reagimi i tij vjen në kohën kur në vend kishte reduktimet të ashpëra të energjisë elektrike e të cilat pritet të rëndohen edhe më shumë gjatë dimrit.

Thaçi ka thënë ata që kundërshtojnë ndërtimin e këtij termocentralit duhet të ofrojnë zgjidhje se: “1) si të kemi energji elektrike pa ndërprerje gjatë gjithë vitit dhe 2) si të kemi energji elektrike me çmim të lirë.”.

Shkrimi i tij i plotë:

Furnizimi i rregullt me energji elektrike dhe kosto e lirë e saj janë janë parakusht për jetë normale për qytetarët dhe për zhvillim të ekonomisë së vendit.

Nisur nga kjo, marrë parasysh faktin që Kosova ka rezerva të mëdha të qymyrit, si dhe duke pasur parasysh krizën globale të energjisë (që nuk pritet të zgjidhet së shpejti), atëherë Kosova nuk duhet të hamendet dhe duhet të investojë në ndërtimin e një termocentrali me qymyr, përmes së cilit do t'i plotësojë nevojat e vendit për energji elektrike gjatë gjithë vitit dhe do të ofrojë energji elektrikeme çmim të lirë.

Normalisht që për të minimizuar dëmet ambientale ky termocentral duhet të jetë i pajisur me teknologjitë më të avancuara për mbrojtjen e ambientit.

Ata që e kundërshtojnë këtë për arsye të ndotjes ambientale (të brendshëm apo të jashtëm qofshin ata), duhet të na ofrojnë zgjidhje se 1) si të kemi energji elektrike pa ndërprerje gjatë gjithë vitit dhe 2) si të kemi energji elektrike me çmim të lirë. Nëse kundërshtarët nuk na ofrojnë zgjidhje për këto dy sfida, atëherë ata duhet të injorohen dhe Kosova duhet ta ndërtojë termocentralin me qymyr.

Fatkeqësisht, Kosova nuk ka shumë alternativa për furnizim të rregullt dhe me çmim të lirë të energjisë elektrike, prandaj duhet ndarë mendjen dhe nuk duhet humbur kohë në këtë drejtim.

Lajme të ngjashme