Heshtja e çuditshme e PDK-së para "Tai Chi"-së së Përparim Ramës - NACIONALE

Heshtja e çuditshme e PDK-së para "Tai Chi"-së së Përparim Ramës

2 vjet më parë

nga Mirlind Behluli

Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, dje shfaqi episodin e dytë të “salltave” politike kundrejt degës së Partisë Demokratike të Kosovës në kryeqytet. Në episodin numër dy, Rama u tregua edhe më radikal, duke e shkarkuar Donjeta Sahatçiun, nënkryetare e Prishtinës nga radhët e PDK-së. Çuditërisht partia që ka rrënjët në luftën e UÇK-së, është e heshtur e krejt paqësore deri tani para “Tai Chi”-së së Ramës. Reagimet publike të PDK-së kundrejt këtyre lëvizjeve të Ramës janë të zbehta.

Dje ra “viktima” e dytë, më e rëndësishmja deri tash, e shkarkimeve të Ramës. Emri i saj është Donjeta Sahatçiu, një politikane e re që u bë nënkryetare e Prishtinës, pas zgjedhjeve të fundit, ku PDK-ja performoi mirë elektoralisht. Në shkrimin e tij të titulluar “Ristrukturimi i kabinetit qeverisës në Kryeqytet”, Rama përmes germave tregoi se e ka shkarkuar Sahatçiun.

“Në anën tjetër, kemi ngecje në fushën e digjitalizimit, e cila është udhëhequr nga Nënkryetarja znjsh. Donjeta Sahatçiu. Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësoj e modernizoj institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, znjsh. Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit.” – shkroi Rama.

Sigurisht, Sahatçiu, që e pësoi figurativisht me “kokën e saj”, reagoi në Facebook, duke shkruar se misioni vazhdon dhe uruar Jehona Lushakun e LDK-së për pozitën e nënkryetares së Komunës së Prishtinës.

“Prishtinë deri herën tjetër, faleminderit!

Një copëz e misionit u arrit. Nga një grua të parë nënkryetare në historinë e Prishtinës, nesër vjen një tjetër grua nënkryetare.

Jehona, në zyre e gjen shenjë këtë mural të qëndisun me shumë dashni: gratë mbështesin njëra tjetrën. Të priftë e mbara, sytë katër! 🌻

Për të tjera, kemi kohë. Misioni vazhdon.” – shkroi Sahatçiu, të cilin status e kanë pëlqyer Vlora Çitaku, Blerta Deliu e të tjerë.

Më pas, ka reaguar edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila është shprehur krenare me punën e Donjeta Sahatçiut.

Ajo ka bërë me dije se Përparim Rama do të marrë përgjigje zyrtare.

E këto lojërat e ndyta politike janë posaçërisht të rënda për gratë profesioniste e të pakompremetuara. Shkarkimi përmes Facebook është më i lehtë kur mungojnë argumentet. Jam krenare që nuk ke pranuar të jesh pjesë e skemave abuzive qoftë me pronat në Badovc, qoftë në procesin e digjitalizimit. Donjetë, je dhe ke me mbetë faqebardhë. Vetëm përpara. E Përparimit përgjien e merituar do tia japim zyrtarisht. Jo në Facebook”, ka shkruar Çitaku.

Pak, absolutisht pak, figura të rëndësishme të PDK-së kanë reaguar në lidhje me shkarkimin e njeriut kryesor të PDK-së në Qeverisjen Rama.

Por, ende nuk ka reaguar kryetari i degës së PDK-së në Prishtinë, Uran Ismaili.

Kurse, Eliza Hoxha, deputete e PDK-së, ka përmendur aferën e shkëmbimit të tokave në Badovc.

“Goxha thellë BADOVCI për ata po notojnë në te.

Donjeta Sahatçiu

#prishtinanabashkon

ama #badovcinandanë PËRFUNDIMISHT.” – shkroi deputetja Hoxha, e cila ka qenë kritike ndaj udhëheqjes së Komunës së Prishtinës edhe në disa raste të tjera.

Deri më tani nuk ka reaguar Uran Ismaili, kryetar i PDK-së në Prishtinë, i cili ishte edhe kandidat për këtë qytet në zgjedhjet e kaluara. Në fakt, Ismail nuk reagoi as për shkarkimit të Ilirik Musliut nga funksioni i drejtorit të Shërbimeve Publike, që ndodhi javën e kaluar.

Megjithatë, dega e PDK-së reagoi për shkarkimet, duke shpërndarë një fotografi të anëtarëve të saj në Kuvendin Komunal dhe të ish-nënkryetares Sahatçiu.

“KËMBIMI I PRONAVE NË BADOVC NUK KALON!” – ishte mbishkrimi që zgjodhi PDK-ja në Prishtinë.

Sjellim ndër mend që në Kabinetin e Përparim Ramës si drejtorë komunalë janë edhe tre anëtarë të PDK-së: Arta Balaj në Drejtorinë për Kulturë, Plator Gerbovci në Drejtorinë e Bujqësisë dhe Granit Rugova në Drejtorinë e Sportit.

Lajme të ngjashme