Hedhja e pacientit që rezultoi me vdekje në QKUK: Nesër do të lirohej, aktin e kreu 15 minuta pas vizitës së mjekut
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në mëngjesin e sotëm në ambientet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Një person i shtrirë ditë më parë në Klinikën e Kirurgjisë Torakale të QKUK-së, është hedhur të dielën në mëngjes nga dritarja e kësaj klinike. Nacionale mëson se viktima është rreth moshës 55-vjeçare.
I ndjeri kishte disa ditë që po trajtohen në këtë klinikë pas disa problemeve në mushkëri.
Ai sipas mjekëve pak minuta para se të hidhej nga dritarja e Klinikës ishte vizituar nga mjekët në kontrollën rutinore të mëngjesit.
Për Nacionalen, detaje për këtë rast dha drejtori i klinikës Nazmi Kolgeci.
Ai tha se nuk kishte vërejtur as ai e as mjekët e Klinikës ndonjë shenjë depresioni apo diçka tjetër tek pacienti që po e trajtonin.
“Nuk kemi vërejtur diçka. A ndonjë shprehi të tij. Ai sot në mëngjes ka ardhë nga shtëpia pas vizitës është hedhur”, tha për gazetën drejtori.
Detaje për rastin dhanë edhe nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës.
“...nga ekipi mjekësor i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, është njoftuar se sot në orët e mëngjesit, një pacient është hedhur nga dritarja e klinikës. Menjëherë janë ndërmarrë masat e nevojshme për ofrimin e ndihmës mjekësore, por përkundër masave reanimatore dhe ndihmës së vazhdueshme nga stafi i Klinikës Emergjente me mjekë konsultantë nga klinikat e tjera, për shkak të plagëve, pacienti nuk ka arritur të mbijetojë,”- thuhet në njoftimin e Klinikës.
Për rastin janë informuar organet policore dhe ato të hetuesisë, të cilat po merren me të.
Për rastin për Nacionalen folën edhe nga Policia e Kosovës.
“Sot rreth 09:30, kemi pranuar informatën se në QKUK në Prishtinë, një person ka rënë nga një ndërtesë (repart i spitalit) dhe i njëjti ka pësuar lëndime trupore. Personi i lënduar është dërguar për tretman mjekësor, ndërkohë që hetuesit policor në koordinim me prokurorinë përkatëse janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që lidhen me rastin,”- tha zëdhënësja e policisë Flora Ahmeti.

