Haxhiu: Po kërkojnë hetim ndaj Mimozës, për ta larguar vëmendjen nga dështimi për rrëzimin e Qeverisë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka vepruar njëjtë si shumë kolegë të saj nga partia në lidhje me bisedën telefonike të shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila me kriminelin serb, Milan Radojiçiq, që u publikua ekskluzivisht nga Gazeta Nacionale.
Ajo në një deklaratë para mediave, të mërkurën i ka dalë në mbrojtj Kusari – Lilës, duke thënë se kjo është “përpjekje për ta tërhequr vëmendjen nga dështimi për rrëzimin e Qeverisë”.
Këto fjalë, ajo i tha duke folur mbi kërkesat për të nisur hetimet ndaj Kusari – Lilës.
“Një opozitë që një terrorist qe ka bërë sulm terrorist në Republikën e Kosovës nuk po kërkojnë asnjëherë nga Serbia që ta dorëzojnë atë, nuk kanë kërkuar nga partnerët ndërkombëtar t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzoj terroristet, jo vetëm Radojiçiqin. Tash paskan kërkuar hetim ndaj Mimoza Kusarit, unë mendoj qe kjo është një përpjekje për të larguar vëmendjen nga një dështim spektakolar që e patën, për rrëzim të qeverisë apo shkuarje në zgjedhje. Opozita duhet të jetë e bashkuar por ju e keni parë, njëra kërkon dorëheqje të qeverisë e tjetra shpërndarje të Kuvendit.” – ka thënë Haxhiu, sipas “EO”.
Çka tha Kurti?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën komentoi audio-incizimin, duke pretenduar se “situata është e montuar”:
“Ajo është një situatë e montuar dhe Radojçiqi këto 9 muaj ndodhet i lirë dhe trysnia në Kosovë duhet të jetë që ndaj tij të ketë aktakuzë dhe të jetë i arrestuar”.
Krejt në fund të përgjigjes, Kurti sipas deklaratës së tij, la të kuptohej se e di që inizimi është me sekonda.
“Po e kuptoj që po përpiqeni të dramatizoni me çdo kusht disa sekonda prej një bisede që nuk e di se si e ku është marrë e si u pre e nga kush u organizua, por, edhe njëherë unë jam kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Mimoza Kusari-Lila nuk është anëtare e Lëvizjes Vetëvendosje; edhe po të ishte anëtare për këso gjëra ka komision disiplinor, sepse VV-ja s’e ka kryetarin diktator që merr ashtu vendime.” - është shprehur Kurti.
Çka dëgjohet në bisedë?
llavko Simiq: Kolege, kam ardhë te Milani, dëgjohu me të.
Mimoza Kusari-Lila: Në rregull.
Millan Radojçiq: Alo zemlajke, a po nihemi?
Mimoza Kusari: Po, po të dëgjoj.
Milan Radojçiq: Qysh je qysh po kalon?
Mimoza Kusari: Qe, qe në Kuvend i kam pasë disa takime. Tash u lirova, po shkoj në shtëpi.