Haradinaj nga Kroacia: Mërgata na ka ndihmuar në luftën çlirimtare
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka takuar bashkatdhetarët në Kroaci.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka thënë se mërgata ka ndihmuar në luftën çlirimtare dhe të njëjtit kanë krijuar storie suksesi në biznes e në sfera të ndryshme.
“Shqiptarët migruan në Kroaci e në vendet e tjera në Perëndim në kohë të vështira për vendin. Por kjo mërgatë, përpos që ndihmoi luftën çlirimtare, arriti të krijojë storie suksesi, si në biznes ashtu dhe në sferat e tjera. Kisha kënaqësinë të jem i pranishëm në mesin e bashkatdhetarëve në Kroaci, në ngjarjen e mbajtur për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nën organizimin e Bashkësisë Shqiptare në Prefekturën e Istrës, në qytetin e Pulës.” – ka shkruar Haradinaj.
Kreu i AAK-së ka thënë se gjatë këtij takimi ka përjetuar përshtypje të mira.
“I shoqëruar nga nënkryetari i AAK-së dhe njëkohësisht deputet i Kuvendit të Kosovës, z. Pal Lekaj, përjetova përshtypjet më të mira për atë që e pashë dhe e ndjeva nga takimet e shumta me motrat e vëllezërit tanë. Diaspora është vlerë e pakontestueshme e jona; vlerë që tregimin për Kosovën e ka ndërtuar dhe vazhdon ta mbrojë e pasurojë në mënyrën më të mirë.” – ka përfunduar Haradinaj.
