“Hajde dil në zgjedhje, shihe a të besojnë më njerëzit e njëjtë”, Krasniqi sfidon Kurtin me zgjedhje këtë vit - NACIONALE

“Hajde dil në zgjedhje, shihe a të besojnë më njerëzit e njëjtë”, Krasniqi sfidon Kurtin me zgjedhje këtë vit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Për të parin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqin, ka vetëm një zgjidhje: zgjedhje të reja në krejt vendin; dhe “idealisht” të ketë njëkohshëm zgjedhje të reja në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe. Vetëm kështu e sheh ai rrugëdaljen nga situata, që siç thotë ai, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “e ka futur vendin”.

Në një intervistë në RTV21, ku foli gjerë e gjatë për gjendjen në vend, Krasniqi u shpreh edhe optimist për tablon numerike të votës popullore, e ku madje hodhi dyshimet në atë që rëndom merret për të mirëqenë se Lëvizja Vetëvendosje gëzon po atë mbështetje që ka marrë në shkurt të 2021’ës.

Sondazhi i vetëm është kutia e votimit”, i tha Krasniqit intervistuesit, derisa u thirr në zgjedhjet lokale të tetorit-nëntorit të vitit 2021, ku Lëvizja Vetëvendosje kishte pësuar debakël të shumëfishtë e rrënues edhe për nga numri i komunave që kishte fituar (4 sosh) dhe komunat me koncentrimin më të madh të popullatës që kishte humbur, si Prishtina, Prizreni dhe Mitrovica. Aty-këtu, sipas Krasniqit, qëndron realisht Vetëvendosja.

Por, edhe nëse janë të sigurt që gëzojnë atë mbështetje proto-2021, ose nëse kjo qeveri beson se ka bërë punë të mira, “hajde dalim në zgjedhje dhe shikoje a po të besojnë njerëzit njëjtë”, u shpreh një numër herësh Krasniqi.

Shpresa ime (për zgjedhje të reja) është sa më herët, unë besoj sivjet. Këtë vit unë besoj se duhet të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme. A është dhjetori a është tetori, është e parëndësishme, sa më herët është më mirë”.

Unë besoj që s’duhet me u frikësu prej zgjedhjeve. Nëse Qeveria, nëse kryeministri Kurti beson që ka bo punë të mirë, beson që ka mbështetje, hajde dalim në zgjedhje dhe shikoje a po të besojnë njerëzit njëjtë. Nuk janë më me rëndësi sondazhet, ato janë irelevante, sondazhi i vetëm që vlen sot është kutia e votimit, qytetari i Kosovës”, tha Memli Krasniqi.

Edhe zgjedhjet e reja në veri të vendit Krasniqi i shoh si mundësi për të ato të nivelit nacional, ku edhe për formën e sugjeruar të “dorëheqjes” së kryetarëve tha se “nuk zgjidhë gjë”.

Dorëheqja nuk zgjidh asgjë, nëse do të kishim një marrëveshje me Albin Kurtin për shembull, që ishte ideale, qoftë me shpërnda Kuvendin, që e ka më lehtë sesa me dhënë dorëheqje, sepse ai dëshiron me qenë kinse i padorëzum, atëherë do të mund të bisedonim edhe për këto. Përndryshe nëse do të ketë një përshkallzim të ri, koordinimi im do të jetë me SHBA-në dhe BE-në”, ka thënë ai.

Para mëse dy javësh PDK doli me një qëndrim publik dhjetë pikësh ku konkluzioni i tyre artikulohej me atë që “zgjedhjet janë rrugëdalja e vetme nga shkatërrrimi i Kosovës”.

Rrugëdalje e vetme nga kjo rrugë e shkatërrimit të çdo gjëje që është arritur në Kosovë në vitet e lirisë e të shtetësisë, është mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme të parakohshme, sa më parë, dhe formimi i një qeverie të re që do të kthejë Kosovën në binarët e rrugës euro-atlantike. Vetëm duke rivendosur e forcuar aleancat ndërkombëtare e forcojmë edhe shtetin tonë”, shkruante PDK-ja.

Për Partinë Demokratike të Kosovës është e papranueshme që Kosova të sillet në pozitë që t’i vihen sanksione nga aleatët e saj më të afërt, SHBA-ja dhe BE-ja. Kjo gjendje në të cilën gjendet Kosova sot nuk mund të quhet si gjendje normale, andaj askush nuk duhet që edhe më tutje ta simulojë normalitetin në vend”, thonin më tej ata në deklaratë.

Lajme të ngjashme