"Grupi i Tiranës" në VV i "turret" Abdixhikut, e akuzon se po i përçan shqiptarët
Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka qenë në shënjestër dy radhazi nga aktivistët e Lëvizjës Vetëvendosje nga Shqipëria, ata që shefi i LDK-së i pagëzoi si “Grupi i Tiranës”. Elvis Hoxha, Arbër Zaimi, Boiken Abazi dhe Enis Sulstarova u kujdesën ta komentojnë kritikën e herë pas hershme të Abdixhikut ndaj tyre.
Ata, posaçërisht Sulstarova, që Kurti e cilësoi atë si “mik e profesor” të tij, e kritikuan ashpër Abidxhikut në statuset e tyre, të cilat qenë goxha në numër. E në vallen e shënjestërimit të Abdixhikut, hyri edhe Erzen Vraniqi, këshilltar i Kurtit, që është po ashtu aktivist i LVV-së, por jo nga Shqipëria.
Abdixhiku e kritikoi të gjithë “Grupin e Tiranës”, por posaçërisht zonjën Dejona Mihali, të cilën e kishte krtikuar edhe kohë më parë,e për të cilën gjë kishte raportuar edhe Nacionale.
“Grupi i Tiranës brenda VV-së ka qëndrime që janë kundër interesave strategjike të Kosovës. Ato qëndrime po bëhen edhe vendime qeveritare. Po e sulmojnë NATO-n edhe zyrtarët amerikanë.” - tha Abdixhiku në RTK.
Por e heshtur, së paku publikisht, ka qenë Dejona Mihali, koordinatorja e Komiteteve, që po ashtu vjen nga Shqipëria, e cila në fakt cilësohet si “strumbullari” i krejt “Grupit të Tiranës”. Gjithashtu, e çuditshme ishte edhe heshtja e Hysamedin Ferajt, këshilltarit të Kurtit me prejardhje nga Gjakova, që në publik njihet si aktivist i VV-së nga Shqipëria për shkak se pjesën më të madhe të jetës e kaloi atje.
Çfarë tha “Grupi i Tiranës”?
Ndër të parët që reaguan ndaj fjalëve të Abdixhikut, ishte Elvis Hoxha, anëtar i Kryesisë së LVV-së nga Shqipëria, e dikur edhe këshilltar i kryeministrit Kurti në Qeverinë e tij të parë.
Hoxha shkroi se Abdixhiku paska gjetur grupin armiqësor në Tiranë, duke theksuar se ai vetë mendonte se armiku “është në Beograd”. Hoxha pretendoi se Abdixhiku është mbase “partner alternativ”, një fjali e thënë nga Escobar, i vendosur për të realizuar Asociacionin.
“Abdixhiku e paska gjetur grupin armiqësor në Tiranë! E ndërsa unë mendoja se ai është në Beograd.
Me këtë rast kuptova se, për Lumirin, copëtimi i Kosovës dhe Zajdnica përbëjnë "interes strategjik të Kosovës".
Ne, grupi armiqësor nga Tirana në LVV, i jemi kundërvënë të dyjave.
Ne fakt, nuk e kuptoj pse mërzitet Lumiri, mbasi ky "partner alternativ" është i vendosur për realizimin e asociacionit në rrethanën e barrikadave të Beogradit.” – shkroi Hoxha, duke i urar shëndet dhe mossukses z. Abdixhikut.
Një kritikë më të ashpër e shkroi Boiken Abazi, po ashtu aktivist i LVV-së nga Shqipëria e anëtar i Kryesisë së LVV-së. Ai e akuzoi Abdixhikun se po i kontribuon përçarjes mes shqiptarëve.
“Lumir Abdixhiku sulmoi sot "grupin e Tiranës" në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, duke e veshur me "fajin" për qëndrimet e Qeverisë Kurti në lidhje me heqjen e barrikadave në pjesën veriore të Lumit Ibër, dhe kritikën që i bëhet disa misioneve ndërkombëtare për faktin që nuk po veprojnë për të hequr barrikadat. Kritikat konstruktive ndaj këtyre misioneve janë të shprehura zyrtarisht nga përfaqësuesit e lartë të Qeverisë Kurti, që janë të zgjedhur nga populli dhe marrin vendime sipas asaj që vlerësojnë se është më e drejtë dhe e dobishme për Kosovën. Ndoshta diku në mëryrë tinzare, e diku në mënyrë të pavetëdijshme, Abdixhiku thjesht i kontribuon përçarjes mes shqiptarëve. Ia kujtojmë z. Abdixhiku se nuk ka ku shkon Shqipëria pa Kosovën dhe Kosova pa Shqipërinë.” – shkroi ai.
Por “miku dhe profesori” i Kurtit, pra z. Sulstarova, ia dedikoi disa statuse, të cilat realisht qenë të shkurtra.
Në statusin e parë, ai shkroi kështu:
“Tani, këtë "grupin e Tiranës" Abdixhiku e quan "armik të brendshëm" apo "armik të jashtëm"? Pyes për një shok.” – ishte pyetja me sarkazëm e z. Sulstarovës.
Në statusin e radhës, z. Sulstarova e thelloi paksa gjuhën filozofike:
“E gjeti kohën Lumir Abdixhiku për të shfletuar "Tablonë sinoptike"!” – shkroi ai.
Gjuha sarkastike, por jo filozofike, e Sulstarovës u rithkye në statusin e tretë.
“Abdixhiku kritikon bregdetin e Shqipërisë për ndikimin e tij negativ fizik e shpirtëror te "kombi kosovar". Organet e sigurisë së Kosovës të marrin masa!” – komentoi ai.
Ndërsa Arbër Zaimi, po ashtu aktivist i LVV-së nga Shqipëria, shkroi shkurtimisht për Abdixhikun, të cilit iu referuar si “Loumiri”.
“I njëjti sistem prokurorësh që ia mori jetën në burg Astrit Deharit të pafajshëm me akuzë të pavërtetë për terrorizëm, po nxjerr sot nga burgu Dejan Pantiqin që akuzohet për qitje mbi trupat e policëve të Kosovës.
Që ta meritojnë rrogën këta prokurorë më mirë le të merren me grupin e Tiranës siç ka thënë Luomiri.” – shkruan Zaimi.
Por "Grupit të Tiranës" i erdhi ndihma edhe nga Kosova, nëpërmjet Erzen Vraniqit, aktivist i VV-së që është pjesë e Kabinetit të Kurtit.
"Interesat e Abdixhikut dëmtojnë interesin strategjik të Kosovës. Interesat e një kaste e cila sa për pushtet adopton identitet gjeografik mbi identitetin kombëtar dhe tenton të krijojë autonomi kulturore nga Shqipëria, dëmtojnë rëndë gjithë rezistencën kombëtare në bazë të së cilës është arritur vet pavarësia e Kosovës." - shkroi ai.



