Gruaja si "burrë i fortë" e "fasadë", plas seksizmi në Kuvendin e Kosovës - NACIONALE

Gruaja si "burrë i fortë" e "fasadë", plas seksizmi në Kuvendin e Kosovës

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Kuvendi i Kosovës nuk është se njihet për ndonjë gjuhë të avancuar parlamentare. Deputetët shumë herë janë të paartikuluar mirë, e jo rrallë edhe emocionalisht të papërmbajtur. “Shtëpia e popullit” për vite është karakterizuar nga sulme verbale, përplasje e komente denigruese. Por, sot nuk i mungoi as seksizmi.

E hiç më larg se sot një tjetër deklarim seksist u dëgjua në Kuvend, duke ngjallur reagimin e shumë deputeteve.

“Grua burrë i fortë”

Derisa po fliste për marrëveshjen e Qeverisë Kurti me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Hisen Berisha, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, përdori një fjali me përmbajtje thellësisht seksiste.

Ai tha se qeveritarët po dëshirojnë t’i punësojnë gratë, të cilat sipas tij mund të qëllojnë edhe “burra të fortë”.

“Duhet uruar Kosovën për këtë arritje edhe juve Qeverisë për fasadimin që po i bëni duke planifikuar t’i punësoni edhe gratë në fushën e energjisë. Do zoti që ndonjëri që e ka gruan shumë burrë të fortë atje edhe gjen shpëtim”, ka thënë Berisha në Kuvend.

Një deklarim i tillë seksist ngjalli reagimin e deputetes Shqipe Isufi, e cila mori fjalën në Kuvend, duke e pyetur kolegun e saj që vjen nga PDK, se çfarë mendonte me një shprehje të tillë.

I zënë në befasi nga kjo sekuencë ishte Glauk Konjufca, kryetar i Kuvendit, duke thënë se nuk e kishte dëgjuar.

“Nuk e dëgjova këtë, kërkoj që të ketë gjuhë parlamentare e të mos ketë deklarata diskriminuese“, ka thënë Konjufca.

E kundër Berishës, ka reaguar edhe deputetja tjetër e VV-së, Arjeta Fejza. Ajo zgjodhi faqen e saj në Facebook për të shkruar një status në kundërshtim të gjuhës seksiste të Berishës.

“Deputetit Hisen Berisha nga PDK i kujtoj se punësimi i grave nuk është fasadim por e drejtë elementare njerëzore si dhe prioritet i kësaj Qeverie dhe për fjalinë e tij të fundit "burra që i kanë gratë e forta", i kujtoj se gratë nuk janë pronë dhe do të duhej minimalisht të përgjigjej në pyetjen që ia bëri deputetja Shqipe Metaj Isufi”, shkroi deputetja nga Mitrovica.

Një reagim për faqe të zezë

Hisen Berisha, deputet i PDK-së, ka zgjedhur Facebook-un të bëjë një reagim.

Edhe statusi i tij ka një përmbajtje po aq seksiste sa edhe vetë fjalimi i tij në Kuvend.

Që në krye të shkrimit, Berisha tregon bindjet e tij seksiste, të cilat e reduktojnë gruan para së gjithash si riprodhuese e njerëzimit. Pra, vlera kryesore e gruas sipas z. Berishës është aftësia e saj për të lindur, të cilës ai i referohet si “privilegj hyjnor”.

“Unë e shoh gruan, si mëkëmbëse të perëndisë në tokë, ngase është gruaja e bekuar nga Zoti që të reprodukojë krijesën më të dashur të Zotit, NJERIUN… Në emër të privilegjimit të gruas që ua ka dhënë edhe Zoti, gruas i duhet përzgjedhur puna që bën, mu për shkak të misionit hyjnor të lindjes, gjegjësisht reprodukimit të njeriut. Ndaj kushtet e punës që bën duhet ta ruajnë nga çdo keqtrajtim apo dëm fizik apo mental”, ka shkruar tutje ai.

Edhe planet e Qeverisë Kurti për punësimin e gruas në sektorin e energjisë, ai i ka quajtur fasadë mashtruese e qeverisë.

“Ideja që gruaja të pëfshihet në fushën e punësimit për prodhimin e energjisë, është thjeshtë një "fasadë" mashtruese e qeverisë aktuale, në kontekst të nënshkrimit të projektit të "Baterive akumuluese" të energjisë me MCC, për ta kamufluar përgjegjësinë e kësaj qeverie për kohën e humbur dy vjeçare për këtë marrëveshje të nevojshme, si dhe dështimit të "Projektit të gasit" dhe bllokimit të rreth 1000 MW energji të diversifikuar në liçenca e autorizime”, shkroi tutje ai.

Problemi i seksizmit në Kuvend

Deputetët e Kuvendit ndër vite kanë pasur problem me gjuhën seksiste në raport me gratë.

Madje, deputeti tjetër i PDK-së, Ardian Kastrati, është dënuar nga organet drejtuese të Universitetit të Prishtinës, për shkrimin e tij në ditën kur Vjosa Osmani u bë presidente e Kosovës.

Ndonëse nuk e kishte përmendur emrin e presidentes Osmani, Kastrati duke cituar fjalët e Faik Konicës e kishte fyer atë dhe bullizuar për peshë.

Ai kishte shkruar se “…një fshatarake me një bark si kadë e me këmbë si magje, me një palë duar të trasha e të pjekura, e me një fytyrë të fryrë e të kuqe si piper t’Ohrit”.

E presidentja Osmani ishte bërë viktimë e gjuhës seksiste edhe një herë tjetër.

Agim Veliu, deputet i LDK-së, kishte thënë se Osmani është e “trashë” dhe se zë shumë vend në LDK.

Por, gjuhë denigruese ndaj ministres aktuale të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte përdorur edhe ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, gjatë një përplasjeje të ashpër. Por, ai kishte kërkuar falje pasi u dëgjua të thoshtë fjalë +18.

Lajme të ngjashme