Glauk Konjufca, humoristi i vitit - NACIONALE

Glauk Konjufca, humoristi i vitit

3 vjet më parë

nga Muhamet Koci

As në vitin 2022 nuk i ka munguar humori. Jo rrallë, tensionet e krijuara në seancat parlamentare i ka qetësuar me ndonjë batutë. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, edhe gjatë vitit që po e lëmë pas, disa herë i ka bërë të shkrihen së qeshuri deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Me humorin e tij të hollë, ai i ka thumbuar deputetët e pozitës dhe ata të opozitës.
Prej shakave të tij nuk ka shpëtuar as administrata e Kuvendit, e cila e mbështet atë gjatë mbajtjes së seancave plenare.

Madje, objekt i batutës kryesore të vitit nga kryeparlamentari ishte pikërisht sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi.

Derisa po konfirmohej kuorumi i një seance ku pritej të votohej projektligji për edukimin në fëmijëri të hershme, Konjufca e kishte treguar "foren e vitit", e cila tregonte për ngjashmëritë që kanë në pamje sekretarit të Kuvendit, Ismet Krasniqi, dhe ish-deputeti i PDK-së, Bajrush Xhemajli.

“Mbasi jemi duke ndenjur, a t’ua tregoj një batutë, një batutë për Ismetin? Një grua në moshë e thërret dikë këtu prej deputetëve dhe i thotë: Çka është puna e Bajrush Xhemajlit, herë po ulet atje, herë te kryetari i Kuvendit”, kishte thënë Konjufca, derisa deputetët kishin shpërthyer në të qeshura.

Humorin e tij, i pari i kuvendit e kishte përdorur edhe për t’i relaksuar debatet e nxehta që bëheshin mes deputetëve të pozitës dhe opozitës.

Derisa gjatë një seance deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, dhe deputeti i VV-së, Enver Dugolli, ishin përfshirë në një debat të ashpër për ushtrinë, kishe ndërhyrë Konjufca për t`i qetësuar gjakrat.

Kur deputeti i PDK-së ia kishte rikujtuar atij të VV-së kohën kur kishte qenë në PDK, për ta qetësuar situatën, Konjufca e kishte pyetur kolegun e tij se pse është larguar nga PDK-ja.

“Pse ke dalë prej PDK-së, Enver?”, e kishte pyetur Konjufca deputetin e VV-së, duke e paralajmëruar edhe përgjigjen e tij.

“Enver Dugolli e ka fjalën. Me siguri thotë: “po të kishte qenë mirë do të kisha nejt aty”- kishte shtuar Konjufca.

Në seancat kur vërehej mungesa e humorit të tij, ishin deputetët ata që ia rikujtonin.

Gjatë një seance, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, i kishte kujtuar kryeparlamentarit se nuk e kishte ditën e humorit.

“Sot ndoshta nuk e ki ditën e humorit, sepse shpesh po bën humor, por të kuptojmë dhe e vlerësojmë”- kishte thënë Lekaj.

Ndërsa Konjufca ishte përgjigjur se humorin e ka pa të keq.

“E kam me dëshirat më të mira”- pati thënë ai, derisa në Kuvend shqyrtohej propozimi i Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energjinë.

Të parit të Kuvendit, i cili me profesion është filozof, nuk i pëlqejnë sjelljet përçmuese për filozofinë.

Derisa gjatë një seance deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, i kishte thënë kryeministrit Kurti se “po filozofon”, kishte reaguar Konjufca.

Kryeparlamentari ia kishte tërhequr vërejtjen deputetes Musliu që të mos i përzihet në profesion.

“Gane, kujdes. mos m’u përziej në profesion, kur po thua “mos filozofo”. Me filozofu, nuk është fort kollaj. Si unë me të thanë ty: “mos juridizo” a çka me të thanë”- ka thënë Konjufca.

Edhe kjo deklaratë e Konjufcës kishte shkaktuar shumë të qeshura në Kuvend.

Batutat e tij nuk kanë munguar as ndaj deputetëve të LV-së. Në njërën nga seancat e fundit të vitit 2022, Konjufca i kishte kujtuar deputetit Mirsad Shkreta se nuk mund të votonte edhe “për”, edhe “kundër”.

“Z. Shkreta, nuk mund të votoni edhe “për”, edhe “kundër”. A votove, se e vërejta që votove? Tjetër send është nëse je habitë”- kishte thënë Konjufca.

Pavarësisht batutave, tregoi kredibilitet gjatë drejtimit të seancave

Pavarësisht humorit dhe batutave të tij shumta, nga fillimi i kësaj legjislature, Konjufca ka treguar kredibilitet gjatë udhëheqjes së punës së Kuvendit. Ai vazhdimisht ka mbajtur baraspeshë mes të pozitës dhe opozitës, duke ia respektuar të drejtat secilës palë.

Momenti më interesant gjatë mbajtjes së kësaj baraspeshe ka qenë në Ditën e Demokracisë, kur Glauk Konjufca është treguar gardian i vërtetë i mbrojtjes së demokracisë në Kuvendin e Kosovës, duke mos e lejuar ndërhyrjen e ekzekutivit në punët e këtij institucioni.

Në seancën e parë të sesionit vjeshtor, kryeministri Albin Kurti u përpoq të ndërhynte në punët e këtij institucioni, por Konjufca ia tregoi kornizat parlamentare.

Në një video që ka qarkulluar në medie, shihej një përplasje e ashpër mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryekuvendarit Glauk Konjufca.

Aty shihet kryeministri që kthehej me trup nga kryekuvendari dhe bënte gjeste edhe me duar në drejtim të tij. Në anën tjetër, edhe mimika e fytyrës së Konjufcës ishte e tillë, që tregonte për një mosmarrëveshje me Kurtin.

Roli i tij në drejtimin e institucionit më të lartë legjislativ në vend është parë në mënyrë pozitive nga opozita dhe monitoruesit e punës së Kuvendit të Kosovës.

Gjatë drejtimit të Kuvendit, ai ka mbështetur iniciativa të opozitës dhe ua ka ndalur fjalën ministrave të fuqishëm të Qeverisë.

Madje, shpeshherë ai nuk është rreshtuar në krah të partisë së tij. Deri më tani, Konjufca ka abstenuar disa herë ndaj projektligjeve që i ka votuar partia e tij dhe që i ka kundërshtuar opozita.

Lajme të ngjashme