Fjalosja Kurti-Konjufca: Momentet më shik të kryekuvendarit - NACIONALE

Fjalosja Kurti-Konjufca: Momentet më shik të kryekuvendarit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Në Ditën e Demokracisë, Glauk Konjufca ka mbrojtur demokracinë në Kuvendin e Kosovës. Në seancën e parë të sesionit vjeshtor, Kurti tentoi të ndërhynte në punët e këtij institucioni, por Konjufca ia tregoi kornizat parlamentare.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, duket se është i vetmi zyrtar i lartë që po guxon ta kundërshtojë në Kuvend pushtetin e madh të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti. Ai është treguar ‘shik’ në kryerjen e kësaj pune.

Roli i tij në drejtimin e institucionit më të lartë legjislativ në vend, është parë në mënyrë pozitive nga opozita dhe monitoruesit e punës së Kuvendit të Kosovës.

Në sesionin pranveror të punës së Kuvendit, Konjufca ka mbështetur iniciativa të opozitës, ka dalë kundër nismave ligjore të partisë së tij dhe ua ka ndalur fjalën ministrave të fuqishëm të Qeverisë.

Sot, në seancën e parë të sesionit vjeshtor parlamentar, ai ka pasur një përplasje edhe me shefin e tij në parti, kryeministrin Albin Kurti.

Në një video që ka qarkulluar në media, në të cilën shihet (fatkeqësisht, jo edhe dëgjohet) një përplasje e ashpër mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryekuvendarit Glauk Konjufca.

Aty shihet kryeministri i Kosovës që kthehet me trup kah kryekuvendari dhe bën gjestikulacione edhe me duar në drejtim të tij. Në anën tjetër, edhe mimikat e fytyrës së Konjufcës janë të tilla që japin kuptimin se kemi të bëjmë me një mosmarrëveshje.

Në këtë përplasje një rol më margjinal e ka Besnik Bislimi, zv. Kryeministër - që duket se i mban anën shefit të tij, Albin Kurtit.

Derisa kryeministri i Kosovës kthehet në drejtim të deputetëve mund të shihet fytyra e ngrysur e tij pas përplasjes me Konjufcën.

Burimet e gazetës Nacionale kanë treguar se përplasja ka ndodhur për shkak të mocionit të Partisë Demokratike (PDK) për grevën, meqë Kurti ka kërkuar përshpejtimin e procedurave në mënyrë që të mbërrinte me kohë në takim me Lajçakun dhe ta lexonte fjalimin e gjatë të tij.

Ministres Haxhiu ia mori fjalën

Qysh në fillim të kësaj legjislature, Konjufca ka treguar kredibilitet në udhëheqjen e punës së Kuvendit. Ai vazhdimisht ka mbajtur balancë në mes të pozitës dhe opozitës, duke ua respektuar të drejtat secilës palë.

Për të ua dhënë fjalën deputeteve të opozitës, ai ua kishte marrë fjalën edhe ministrave të kabinetit.

Para katër muajve, në një seancë të nxehtë në mes pozitës dhe opozitë, ai vendosur të mos ia jep fjalën ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila insistonte të merrte fjalën.

“Ministre me mirëkuptimin tuaj, a ia japim fjalën opozitës, pastaj...”, ka thënë Konjufca.

Por, ministrja kishte refuzuar në mënyrë kategorike.

Ajo është kthyer kah Konjufca, duke kundërshtuar atë. “Unë e kam fjalën time kryetar dhe nuk lëvizi pa e kryer fjalën time”, ka qenë përgjigja e Haxhiut.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit i kishte thënë se nga situata e krijuar nuk do të mund të vazhdojë seanca. “Ministre, a ka mundësi të uleni”, pati insistuar Konjufca.

Më pas, ministrja ka shkuar te kryeparlamentari për t’u sqaruar, por ky i fundit e ka injoruar, duke mos u marrë fare me të.

Duke e parë situatën, ministrja është tërhequr, duke u ulur në vendin e saj.

Në sesionin pranveror, i pari i Kuvendi disa herë kishte kundërshtuar partinë e tij edhe me votë.

Ai ka abstenuar për Projektligjin e Konfiskimit të Pasurisë, të cilin VV-ja në parim me gjithë kundërshtimet e opozitës.

Gjithashtu, Konjufca ka abstenuar edhe për dy projektligje për shëndetësinë, të cilat i kishte sjell në kuvend opozita, por i kundërshtonte VV-ja.

Nuk ua jep fjalën deputeteve të VV-së

I pari i Kuvendit në një seancë të sesionit pranveror disa deputetëve të LV-së nuk ua kishte dhënë fjalën për ta mbrojtur qeverinë.

Në mes të një debati mes opozitës dhe qeverisë, ai kishte thënë se do të iu jep të drejt të parave.

“Deputetëve të mazhorancës, Halil Thaçi, Mefail Bajqinovci, Arieta Fejza dhe Mirlinda Tishukaj-Sadikaj, nuk do t’ua jap fjalën, sepse kjo është një pjesë ku parashihet të ketë debat mes opozitës dhe ministrave, dhe jo mbrojtje prej deputetëve të mazhorancës!’”, kishte thënë Konjufca.

Në një tjetër seancë, kur PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kërkonin formimin e një komisioni hetimor për energjinë, ai kishte dalë kundër partisë se tij, duke thënë se të drejtë ka opozita.

“Po du me i dhënë të drejtë opozitës, sepse atëherë kam qenë kryetar i Grupit Parlamentar kur na është mohuar kjo çështje, dhe kam dalë e kam thënë qe është gabim!”, ishte shprehur Konjufca.

Shkëndija e një konflikti të paralajmëruar

Ish-deputeti i LV-së, Afrim Kasolli, e ka komentuar përplasjen e sotme të Konjufcës me Kurtin.

Fjalosjen e dy figurave kryesore të partisë në pushtet, ai e ka cilësuar si shkëndija e një konflikti të paralajmëruar.

“Mediat sot raportuan për një tension ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca. Spekulohet se këto mosmarrëveshje erdhën si rezultat i dallimeve ndërmjet dy prej bartëseve të institucioneve kryesore në vend, se si duhet të procedohet rendi i ditës gjatë seancës së sotme plenare. Ku thuhet se kryeministri paska kërkuar që të mos hidhet në votim kërkesa e opozitës për ta zhvilluar një debat parlamentar lidhur me gjendjen në arsim, kurse i pari i Kuvendit paska vepruar në kundërshtim me këto urdhra. Pra konflikti në shikim të parë dukët më shumë i natyrës procedurale”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, Konjufca këtë përplasje e kishte paralajmëruar edhe më herët.

“Mirëpo a është ky tension vetëm shprehje simptomatike e një çarjeje më të thellë ndërmjet të dyve, a do të agravohet ai edhe më shumë, apo do të tejkalohet me kaq, këtë nuk mund ta themi me siguri. Por se do vinte ky moment ishte e ditur prej kohësh. Madje atë e kishte paralajmëruar vetë Glauk Konjufca. Por ai synonte që vetë ta shmangte një situatë të tillë. Dhe që të tjerë ta realizonin këtë detyrë që do të qonte pashmangshëm në konflikt me kryeministrin për shkak të sjelljeve të tij politike, që sipas Konjufcës mund të jenë problematike për një rend demokratik parlamentar. Mirëpo, pak kush i kishte kushtuar rëndësi atëbotë atij kumti”, ka shkruar ai.

Megjithatë, një natë më parë, Konjufca dhe Kurti ishin parë se bashku dhe në disponim në premierën e filimit "Luaneshat e Kodrës" të regjisores së mirënjohur Luana Bajrami.

Lajme të ngjashme