Gjermania dhe aleatët do të dërgojnë rreth 80 tanke Leopard 2 në Ukrainë
Partia kryesore qeverisëse e Gjermanisë, ka njoftuar se bashkë me aleatët perëndimorë, do t’I dërgojnë Ukrainës një total prej rreth 80 tankesh luftarake Leopard 2.
“Dy batalione (gjithsej rreth 80 tanke kryesore luftarake) të tipit Leopard-2-A6 do të dorëzohen së shpejti”,- ka njoftuar Partia Social Demokrate (SPD) në Twitter, ndërsa ka shtuar se, 14 prej tyre vijnë nga aksionet e Bundeswehr-it.
Në këtë njoftim po ashtu është treguar sërish se qeveria gjermane u jep vendeve të tjera leje për të furnizuar Ukrainën me tanket e tyre Leopard,
Kujtojmë se, përveç tankeve Leopard 2, të mërkurën edhe Shtetet e Bashkuara u zotuan të dërgojnë 31 tanke M1 Abrams, ndërkohë Mbretëria e Bashkuar ka premtuar 14 tanke Challenger 2.
Ndërkohë, pak para njoftimeve zyrtare nga Berlini dhe Uashingtoni për dërgimin e tankeve në Ukrainë, qeveria ruse e ka minimizuar ndikimin që këto tanke do ta kenë në zmbrapsjen e forcave të saj në Ukrainë, duke thënë se këto ndihma ushtarake “do të digjen si të gjitha të tjerat”.
Në një konferencë për gazetarë të mërkurën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e quajti “plan të dështuar” dërgimin e tankeve “Leopard 2” e “Abrams” në Ukrainë.
“Ky është një mbivlerësim i potencialit që ky [veprim] do t’ia shtojë ushtrisë ukrainase. Këto tanke do të digjen si të gjitha të tjerat. Ato vetëm janë shumë të shtrenjta”- është shprehur zëdhënësi rus.


