Biden i dërgon tanke Ukrainës, por thotë se nuk po e kërcënon Rusinë
Pas njoftimit se ShBA do të dërgojë 31 tanke në Ukrainë, presidenti Joe Biden ka thënë se kjo mbështetje për Ukrainën “nuk është një kërcënim” për Rusinë.
Ai më tej ka shtuar se kjo mbështetje e ShBA-së ka të bëjë me ndihmën për Ukrainën që “të mbrojë sovranitetin e saj”.
"Kjo është ajo për të cilën bëhet fjalë. Të ndihmosh Ukrainën të mbrojë tokën ukrainase. Nuk është një kërcënim fyes për Rusinë. Nuk ka asnjë kërcënim sulmues,"- ka thënë Biden.
Ndër të tjera, presidenti amerikan ka shtuar se ai mendonte se trupat ruse duhet të kthehen në "aty ku i takojnë" në Rusi.
Plani aktual i ShBA-së përfshin dërgimin e 31 tankeve Abrams drejt Ukrainës për ta ndihmuar në luftën kundër agresionit rus. Megjithatë, zyrtarët kanë thënë se do të duhen shumë muaj përpara se automjetet e teknologjisë së lartë të mbërrijnë në terren në Ukrainë, dhe trajnimi për trupat ukrainase gjithashtu pritet të zgjasë disa muaj.
Vendimi për të ecur përpara me sigurimin e tankeve përbën një ndryshim drastik për administratën Biden, e cila i kishte rezistuar presionit nga Gjermania për t'i dërguar ato në Ukrainë.
Të premten e kaluar, zyrtarët amerikanë këmbëngulën se presidenti Joe Biden nuk ishte pro idesë që të dërgonte tanke Abrams në Ukrainë, sepse anëtarët e ekipit të tij të sigurisë kombëtare, duke përfshirë Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin dhe Kryetarin e Shefave të Shtabit të Përbashkët, Gjeneral Mark Milley, nuk besonin se ato për ukrainasit duke pasur parasysh se sa e vështirë është për t'u operuar dhe mbajtur.

