Kremlini: Tanket e Perëndimit do të digjen si të gjitha të tjerat
Qeveria ruse e ka minimizuar ndikimin që tanket perëndimore do ta kenë në zmbrapsjen e forcave të saj në Ukrainë, duke thënë se këto ndihma ushtarake “do të digjen si të gjitha të tjerat”.
Në një konferencë për gazetarë të mërkurën, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e quajtu “plan të dështuar” dërgimin e tankeve “Leopard 2” e “Abrams” në Ukrainë.
“Ky është një mbivlerësim i potencialit që ky [veprim] do t’ia shtojë ushtrisë ukrainase. Këto tanke do të digjen si të gjitha të tjerat. Ato vetëm janë shumë të shtrenjta”- tha zëdhënësi rus.
Deklarata e tij u bë vetëm disa orë para njoftimeve zyrtare në Berlin dhe Uashington se aleatët perëndimorë të Ukrainës do t’ia japin dritën e gjelbër dërgimit të tankeve gjermane e amerikane në Ukrainë.
Peskovi tha se grindjet diplomatike për dërgimin e tankeve tregojnë se NATO-ja është e përçarë sa i përket përkrahjes ndaj Ukrainës.
“Qartazi, nuk po rrjedh gjithçka në mënyrë të lëmuar. Nuk po rrjedh lëmuar brenda aleancës dhe me tanket që janë në dispozicion”- shtoi ai.
Përpos Gjermanisë, tanke “Leopard” Ukrainës mund t’i dhurojnë edhe shtete të tjera. Polonia madje i ka bërë kërkesë zyrtare Gjermanisë që t’ia lejojë këtë veprim dhe të mërkurën u raportua se Berlini do t’ua lejojë edhe vendeve të treta dërgimin e tankeve në shtetin e përfshirë nga lufta.

