Gërshërët e Byrosë 'veç analitike dhe përgatitore': Çka ndërroi Kurti te ligji me të cilin kërkon gjithmonë votë?
Qysh shtatë vite më parë, Vetëvendosja premtonte Byronë për Verifikim dhe Konfiskim të Pasurisë së Papërligjshme.
Dhe atë e mbajti për refren kryesor e të vazhdueshëm elektoral.
Albin Kurti me gishtat si gërshërë, si simbol i "prerjes e këputjes së korrupsionit", e bëri Byronë senzacion të katër fushatave të fundit zgjedhore.
"Pasurinë e plaqkitur do ta kthejmë në shtet," ishte fjalia më e rrahur dhe e brohoritur e Kurtit gjatë fushatave të fundit zgjedhore.
Shtatë vite më vonë, pas miratimit të ligjit të ri, Donika Gërvalla sqaroi se në çfarë roli do të përkthehet në të vërtetë kjo Byro.
Ajo tha se Byroja ka vetëm rol përgatitor dhe analitik, jo ekzekutiv.
"Byroja mbledh, verifikon dhe paraqet prova por nuk merr vendim për konfiskim, atë e merr gjykata," tha Gërvalla.
Ky sqarim erdhi si çmagjepsje e fundit për ata që prisnin "drejtësi" ndaj "të pasuruarve të 20 vjetëshit."
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese
Ligji i parë për Byronë u shpall "në tërësi i pavlefshëm" nga Gjykata Kushtetuese në korrik të vitit 2024.
GjK-ja gjeti defekte serioze kushtetuese dhe tejkalim të autoritetit të Qeverisë.
Pikat më kritike ishin cënimi i të drejtës në pronë dhe i sigurisë juridike.
GjK-ja vërente se as institucioneve të pavarura nuk mund t'u caktohen kompetenca jashtë kornizës kushtetuese.

Opinioni i Venecias
Edhe Komisioni i Venecias, qysh në qershor të vitit 2022, kishte dhënë mbi tridhjetë vërejtje ndaj projektligjit.
Komisioni pranonte nevojën për luftimin e korrupsionit sistematik, por ngriste pikëpyetje serioze mbi mekanizmin e propozuar.
Shqetësimi kryesor ishte struktura e emërimit të Drejtorit të Përgjithshëm, e cila vlerësohej si "e politizuar në shkallë të lartë."
Komisioni rekomandonte zgjedhjen e drejtorit nga një komision i pavarur ekspertësh, jo vetëm nga Kuvendi.
Dyshohej gjithashtu nëse krijimi i një trupi të ri ishte zgjidhja e duhur, duke komplikuar sistemin ekzistues.
"Nuk mund të ketë justifikim për t'i nënshtruar zyrtarët dy procedura verifikimi për të njëjtat pasuri," thuhej në opinion.
Komisioni paralajmëronte edhe rrezikun e shkeljes së të drejtave të njeriut, duke kritikuar pragun e ulët të provës.

Byroja e rishkruar
Versioni i ri i ligjit saktëson se Byroja shërben vetëm si një prokurori civile, pa kompetenca ekzekutive për konfiskim.
Roli i gjykatës është qendror dhe i paevitueshëm. Sipas Nenit 25, gjykata kontrollon çdo hap të procesit.
"Gjykata vendos me aktgjykim lidhur me propozimin për konfiskimin e pasurisë," përcakton ligji.
Pragu fillestar për nisjen e verifikimit është 25,000 euro, sipas Nenit 24 mbi mospërputhjen e pasurisë me të hyrat.

Byroja nuk mund të procedojë për shuma simbolike nën këtë kufi.
Ndryshim tjetër është përbërja e re e Komisionit Mbikëqyrës: janë larguar Auditori i Përgjithshëm dhe Avokati i Popullit.
Tash komisioni ka pesë anëtarë: tre të emëruar nga Kuvendi, drejtori i AKK-së dhe drejtori i Njësisë së Inteligjencës Financiare.
Anëtarët e emëruar nga Kuvendi nuk guxojnë të kenë qenë pjesë e subjekteve politike pesë vitet e fundit.
Për sigurinë juridike, ligji specifikon se verifikimi mbulon pasurinë e fituar nga data 17 shkurt 2008.
Verifikimi mund të bëhet deri në pesë vite pas përfundimit të funksionit të zyrtarit.
Inicimi i procedurës mund të ndodhë deri në dhjetë vite nga momenti kur personi ndalon ushtrimin e funksionit.
Ligji prezanton "vlerësimin e gjasave" si standard të provuarit, sipas Nenit 3.

Ky standard zbatohet kur pasuria e zyrtarit nuk përputhet me të hyrat dhe prejardhja nuk provohet si e ligjshme.
Drejtori i Përgjithshëm zgjidhet për mandat shtatëvjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje, për të evituar ndikimin politik.
Qeveria pretendon se i ka adresuar vërejtjet e GjK-së dhe Komisionit të Venecias me rikonfigurimin e mekanizmave.
Gërvalla e ka quajtur këtë një proces civil "të kontrolluar plotësisht nga gjykata", ku Byroja ka vetëm rol analitik.
Premtimi i shtatë viteve për konfiskim të drejtpërdrejtë ka mbetur prapa, ndërsa tash, VV e jep që "rolin kryesor" e ka gjykata, jo Byroja.