Gazetarja na ndiqte arave, tha Kurti: Pse erdhi në të vërtetë Lajçaku në Kosovë? - NACIONALE

Gazetarja na ndiqte arave, tha Kurti: Pse erdhi në të vërtetë Lajçaku në Kosovë?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri një koment tallës së fundi ndaj një gazetareje të Kosovës.

“Teksa bisedonim me bujqit, gazetarja që na ndiqte nëpër ara po më pyeste me insistim për Lajçakun. Unë e pyeta traktoristin për Lajçakun, por ai tundi kokën e i dha gaz traktorit.” - tha kryeministri derisa e ndau edhe një fotografi.

Kurti nuk ishte përgjigjur as në një pyetje të bërë nga Nacionalja gjatë ditës së djeshme: “Ku e shkollon çikën, kryeministër?”

“Ju jeni nga Prishtina, shihemi në Prishtinë,” – i tha kryeministri gazetarit të Nacionales.

Por, t’i kthehemi Lajçakut për të cilin u pyet kësaj here.

Kurti në mëngjesin e sotëm priti Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

Siç njoftoi Zyra e Kryeministrit, në takim ishte biseduar “për ecurinë e mëtejshme të procesit të bisedimeve në Bruksel, dhe për përgatitjet për takimet e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.”

Megjithatë, ashtu siç raporton Zyra e Kryeministrit ndër temat kishte qenë edhe Marrëveshja e Energjinë e cila tashmë është në rrezik.

Çka është puna?

Operatori serb që i licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) nuk ka respektuar kushtet dhe tashmë afati për ta bërë një gjë të tillë ka skaduar.

Nacionale kishte kontaktuar me ZRrE-në e cila e kishte pranuar se afati prej 100 ditëve kishte kaluar.

“Po, afati ka kaluar të dielën (2 tetor 2022). (Megjithatë) Duhet të kalojë afati prej 15 ditësh nga data e 100 ditëshit. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me Elektroseverin. Por ata po përdorin arsye të zakonshme politike (për mospërmbushje të kritereve).” – na kishin thënë ata.

Edhe Mirosllav Lajçak u shpreh sot për këtë problem të madh që mund të rrezikojë edhe procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Për energji jemi në proces të konsultimit, ka rrezik t’i tërhiqet licenca Elektroserverit, e nuk duam të ndodhë kjo. Për këtë ftuam në Bruksel gjithë aksionarët, si KEDS e Elekstroserver të hënën, ku kemi kaluar ditën duke diskutuar situatën,” – u shpreh Lajçak sot.

Dita 11

Kjo është dita e 11 e afatit të ri që na u tha se kishte nisur të rrjedhte nga ZRrE-ja.

Nëse takimi në fjalë është mbajtur të hënën që shkoi, atëherë kjo do të nënkuptonte se pikërisht atë ditë kishte qenë dita e 8 e skaditimit të afatit, ndërkohë të hënën e ardhshme përmbyllet edhe afati shtesë për plotësim të kushteve.

Nacionalja kishte kontaktuar me Drejtorin Menaxhues të Elektroseverit, z. Boban Novakoviq, dhe i cili kishte thënë se “çështja ishte politike, dhe se ai ishte punëtor (rikujtim: ai ishte Drejtor Menaxhues)”.

Pra, edhe kjo çështje është politizuar dhe përkundër që nuk ishin respektuar Marrëveshjet për Energjinë tash del se nuk po respektohet as Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë.

Kjo e minon edhe më shumë besimin në procesin e dialogut në Bruksel, por njëkohshëm rrezikon edhe gjithë përparimin e bërë deri tash nga Qeveria Kurti. Cilido që kishte qenë rezultati i së hënës, pala e cila meriton fajësimin është ajo serbe duke qenë se Elektrosever për pronare ka një kompani shtetërore.

Deri tash, nuk ka asnjë indikacion se gjërat mund të kenë ndryshuar derisa nuk janë dhënë as informacione shtesë se çka ka kërkuar sot në takim emisari Lajçak.

Lajme të ngjashme