Zyra e Kryeministrit: Kurti e Lajçak biseduan për takimin e radhës në Bruksel dhe për zbatimin e marrëveshjes për energji
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takim me takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, kanë biseduar për përgatitjet për takimin e radhës për dialogun me Serbinë si dhe zbatimin e marrëveshje së energjisë.
Kështu ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, ku ndër të tjera thuhet Qeveria e Kosovës është e përkushtuar “për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, marrëveshje kjo, e cila sjell normalizim të plotë, sepse e ka në qendër njohjen reciproke.”
Më tej, sipas komunikatës për media, në këtë takim është biseduar edhe për çështjet aktuale dhe zbatimin e marrëveshjes për energji.
“U bisedua për çështjet aktuale, si dhe domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për energjinë, që përfundimisht shpie në pagesën e energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës.”, thuhet në njoftim.
Njoftimi i plotë:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák.
Në takim u bisedua për ecurinë e mëtejshme të procesit të bisedimeve në Bruksel, dhe për përgatitjet për takimet e radhës në kuadër të dialogut për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes ligjërisht të obligueshme, marrëveshje kjo, e cila sjell normalizim të plotë, sepse e ka në qendër njohjen reciproke.
Gjatë takimit u potencua Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën, i pranuar dje, si dukshëm më i mirë sesa vitin e kaluar dhe si një ndër raportet më të mira në rajon. U tha se ky raport tregon qartë përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për agjendën e BE-së dhe dëshmon arritjet e shënuara në shumë fusha, që kanë kaluar një hap më lart në shkallët e progresit.
U bisedua për çështjet aktuale, si dhe domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes për energjinë, që përfundimisht shpie në pagesën e energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës.
