Gazetari nga Baltiku e zë 'në baltë' Gërvallën: A s'keni edhe ju pak faj për krizën rreth targave ilegale? - NACIONALE

Gazetari nga Baltiku e zë 'në baltë' Gërvallën: A s'keni edhe ju pak faj për krizën rreth targave ilegale?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka vazhduar “avazin” e dhënies së intervistave për media të huaja nga ana e pushtetit kosovar. Pas shefit të saj në ekzekutiv, Albin Kurti, dhe ish-shefes së saj në parti, Vjosa Osmani, Gërvalla ka zgjedhur të japë intervistë për një gazetë në Estonia.

Shefja e diplomacisë kosovare ka folur për shumë çështje, përfshirë situatën e tensionuar në veri, dialogun me Serbinë e Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, të cilën e cilësoi si “marrëveshje të vdekur” që s’mund të ringjallet.

Në intervistën relativisht të gjatë, zonja Gërvalla është përballur me pyetje relativisht të vështira, përfshirë një “gjysmë-akuzë” rreth fajit të Qeverisë Kurti rreth situatës së tensionuar në veri për shkak të targave ilegale.

“A s’keni pak faj edhe ju?”

Në intervisten për ERR, zonja Gërvalla u përball me një pyetje që rrallë i është shtruar në Kosovë, pasi ajo ka shmangur intervistat.

“A nuk mendoni se është pak faji i Qeverisë suaj që merret me targat dhe përfundon në të vërtetë gati duke hyrë në luftë për to?” ishte pyetje jashtëzakonisht precize e intervistuesit estonez.

Në përgjigjen e saj, zonja Gërvalla ngjau me kryeministrin Kurti, pasi e kopjoi tërësisht logjikën e përgjigjes së ofruar kohë më parë nga shefi i Qeverisë.

“Por a keni ju targa të ndryshme të veturave në regjionet e ndryshme në Estoni? Jo, ju keni targa estoneze. Është e njëjta në Kosovë. Për të kuptuar se nga vjen kjo, ne kemi një marrëveshje nga viti 2011 mbi targat. Çfarë kemi kërkuar nga fillimi është përmbushja e marrëveshjes së njëjtë prej vitit 2011 që Serbia nuk ka qenë në gjendje ta përmbushë atë. Është çështje e lirisë së lëvizjes dhe sundimit të ligjit.” – tha Gërvalla, transmeton Nacionale.

“Po, e kuptoj, por situata në Estoni dhe këtu është ndryshe. Nuk e keni menduar se edhe çështja e targave mund të ndezë një konflikt?” – e pyeti sërish gazetarja estoneze ministren Gërvalla.

“Mendoj se në Kosovë, si në Estoni, Gjermani, Francë e kudo tjetër, të gjithë qytetarët duhet të jenë të barabartë me të drejta dhe privilegje të njëjta. Mungesa e privilegjeve nuk mund të konsiderohet diskriminim. Qofshin shqiptarë, serbë, boshnjakë, turq apo kushdo tjetër, ne duhet të garantojmë sigurinë në rrugët tona. Ky është prioriteti ynë i parë. Përsëri, ky lloj kërkimi për një arsye shumë artificiale dhe nxjerrja e një skandali të madh ndërkombëtar nga kjo çështje është gjë e re për mua, dhe nuk është një çështje e targave, por një shpërqëndrim nga strategjia e zgjedhur nga presidenti serb Vuçiq, duke i mbajtur partnerët tanë së bashku me presidentin rus, Vladimir Putin.” – tha ajo.

Ndryshe, zonja Gërvalla vlerësoi se Asociacioni është një çështje e vdekur e cila nuk mund të ringjallet.

“Beogradi vërtet flet për Asociacionin, por ky propozim ka vdekur dhe nuk mund të ringjallet. Gjykata Kushtetuese vendosi që Asociacioni të mos ndodhte. Nuk është e mundur të gjesh një qeveri në një botë demokratike që është e gatshme të zbatojë diçka që shkel kushtetutën e saj.” - vlerësoi ajo për ERR.

Megjithatë, shefja e MPJD-së ka theksuar se nuk e kanë problem si Kosovë të ofrojë të drejta për pakicën serbe.

“Për ne nuk është problem t’u japim serbëve të njëjtat të drejta siç u jep Serbia minoriteteve të saj. Ne aktualisht garantojmë të drejta më të mëdha për pakicat se kushdo tjetër në rajon.” – theksoi ajo.

Lajme të ngjashme