Sekreti i madh: Pse Policia po e mban të fshehtë numrin e aplikantëve për policë në veri - NACIONALE

Sekreti i madh: Pse Policia po e mban të fshehtë numrin e aplikantëve për policë në veri

1 vit më parë

nga Besian Beha

Vetëm edhe dy ditë kanë mbetur kohë për kandidatët nga minoritetet, që duan të bëhen policë të Kosovës në pjesën veriore të vendit. Policët e rinj pritet të jenë zëvendësues të mbi 500 policëve serbë, që dhanë dorëheqje muaj më parë pas situatës politike të krijuar lidhur me targat dhe suspendimin e ish-drejtorit, Nenad Gjuriq.

Kur afati për aplikim po shkon drejt mbylljes, Policia e Kosovës po e mban sekret numrin e aplikantëve. Në interesimin e gazetës Nacionale për të pasur shifrat e aplikantëve, Policia nuk ka treguar detaje.

“Siç jeni të informuar konkursi është hapur, përfshirë me kriteret që parashihen, ndërsa sa i përket procesit/çështjeve të mëtejme rreth konkursit në fjalë do të informoheni me kohë sipas planifikimeve/fazave që parashihen”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të Policisë.

“Policia e Kosovës, çdo herë inkurajon dhe fton qytetarët që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen për Nacionalen.

Policia e Kosovës në asnjë moment deri më tani nuk ka treguar nëse do të lejohen të aplikojnë policët që kishin ofruar dorëheqje si pasojë e presioneve nga Lista Serbe.

Në Udhëzimin Administrativ për Policinë e Kosovës që është në fuqi, theksohet qartë se zyrtari policor që ka dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës, nuk mund të rikthehet në detyrë.

“Punonjësi i Policisë në çdo kohë mund të japë dorëheqje nga puna pas njoftimit paraprak për dorëheqje, të cilën punonjësi, përmes mbikëqyrësit të tij duhet t’ia dorëzojë Drejtorisë së Personelit. Afati për njoftimin apo paralajmërimin e dorëheqjes është 30 ditë. Punonjësi i Policisë i cili jep dorëheqje vullnetare nuk e ka të drejtën e rikthimit dhe ripunësimit në Polici”, thuhet në këtë udhëzim administrativ.

Autoritetet e drejtësisë në Kosovë këtë konkurs e hapën pasi rreth 550 pjesëtarë të komunitetit serb u larguan nga Policia e Kosovës në katër komunat në veri të shtetit nëntorin e vitit 2022.

Ata ishin në mesin e punëtorëve të sistemit të drejtësisë, institucioneve lokale dhe qendrore dhe të tjera, që u dorëhoqën në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që kërkonte nga serbët të riregjistronin makinat me targa e Kosovës, dhe të largonin ato të lëshuara nga Serbia.

Letrat e dorëheqjeve

Policët serbë të dorëhequr muaj më parë, kishin dorëzuar letrat e tyre të dorëheqjes në Stacionin Policor në veriun e vendit. Pjesa më e madhe e këtyre letrave ishin pothuajse të ngjashme.

Në ato letra, shkruhej se largimi i tyre po bëhet për arsye personale, familjare dhe të moralit. Letra të shkurta, dhe me përmbajtje të ngjashme.

Kosovë: Serbët largohen nga institucionet, policët serbë në veri dorëhiqen | Ballkani | DW | 06.11.2022

E këto arsye që i kishin ofruar policët serbë të dorëhequr, i kishte komentuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

“Çështja e trajtimit të dorëheqjeve të zyrtarëve policorë nuk është vendim i imi, as i MPB-së, nuk është vendim politik. Vendim politik ka qenë dorëheqja politike. Për bindjen time, për arsye të paqena, thoshin morale dhe individuale e teksti krejt i njëjtë për secilin prej tyre. E njëjta krizë morale e individuale i kishte kapur kolektivisht bashkë secilin prej tyre me tekstin identik te dorëheqjes, ky është vendim politik. E përsëris thirrjen që asnjë serb të mos i braktisë institucionet. E tillë do të jetë edhe në ditët në vijim. Institucionet nuk janë të qeverisë dhe të një komuniteti, janë të të gjithë qytetarëve të Republikës”, kishte deklaruar Kurti.

Pas largimit të policëve serbë, nëpër stacionet në veri janë dërguar policë shqiptarë nga stacionet e tjera të vendit.

Kushtet e konkursit për policë në veri

Konkursi i hapur nga Policia e Kosovës do të mbyllet me datë 26 janar. Njëri nga kushtet që është diskutuar në opinionin publik, është fakti që kandidatët aplikues duhet të jenë ndërmjet moshës 18 deri në 30 vjeçare.

Pjesëtarët e komunitetit serb në veri janë integruar në Policinë e Kosovës në bazë të Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vitit 2013, dhe shumica prej tyre tashmë janë mbi 30 vjeç.

Disa nga kushtet e tjera janë: Kopja e diplomës për arsimin e mesëm të lartë, ndërsa për kandidatët që kanë përfunduar

shkollimin jashtë vendit kopja e diplomës e nostifikuar;

b) Dëshmi për kualifikime tjera;

c) Certifikatën e lindjes/ekstrakt i lindjes;

d) Vërtetimi nga gjykata që nuk është i dënuar dhe që nuk është nën hetime;

e) Kopje e letërnjoftimit apo pasaportës

f) Një fotografi të formatit (5 x 5);

g) Dokumenti nga pika c dhe d të jenë të vlefshme dhe të nxirën pas datës së shpalljes së

konkursit.

Lajme të ngjashme