Liburn Aliu, heroi i videospotit të ri të VV-së; Partitë opozitare krahasohen me barrikaduesit serbë - NACIONALE

Liburn Aliu, heroi i videospotit të ri të VV-së; Partitë opozitare krahasohen me barrikaduesit serbë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Vetëvendosje ka publikuar video-spotin më të ri, por kësaj here me një hero të ri ani pse me antiheronjtë e vjetër. Çka thuhet në këtë video?

Videoja e re e kësaj partie politike zgjat 2 minuta dhe 51 sekonda dhe flet për rrugët.

Pushteti i vjetër

Partitë opozitare që ishin në pushtet në një mënyrë a tjetrën deri në marsin e 2021-s - PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja – quhen në mënyrë direkte si parti zhvatëse të buxhetit.

Aty paraqitet një problem i ri në diskursin e partisë që drejtohet nga Kurti: shpronësimet.

Por, akuzat ndaj këtyre partive shkojnë më tej duke i krahasuar edhe me bandat kriminale që nxitën barrikadat në veri të Kosovës së fundi.

“Në veri, e dimë se bllokimi i rrugëve ka ndodhur me barrikada fizike të një shteti armiqësor. Por bllokimi i rrugëve në jug, lindje, perëndim e gjithandej vendit tonë ka ndodhur me barrikadat e njerëzve tanë që dikur ishin në pushtet dhe provuan të pasurohen nga ndërtimi i tyre.”

Pra, bllokimi i rrugëve në veri është bërë nga serbët e dirigjuar nga Beogradi zyrtar ndërkohë që ‘bllokimi’ i rrugëve nëpër pjesën tjetër të Kosovës u bë nga... PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja.

Heroi

Nëse anti-heronjtë e kësaj videoje janë po ata të videove të kaluara, pra partitë opozitare, heroi kësaj here është një emër i përveçëm i Vetëvendosjes: Liburn Aliu.

Aliu është ministër i Infrastrukturës, dhe videoja ndërton idenë se ai qëndron prapa ndaljes së zhvatjes dhe zhbllokimit të rrugëve të Kosovës në “jug, lindje, perëndim e gjithandej vendit tonë”.

Por, Liburn Aliu ishte një prej ministrave më të kritikuar të Qeverisë Kurti II gjatë vitit 2022. Ai ishte kritikuar për mos-veprimin në rastin e skandalit të një kompanie që drejtohej nga daja i këshilltarit financiar të tij, Florent Ramqajt. Por, ishte kritikuar edhe për memorandume bashkëpunimi me kolegjin privat UBT, në të cilin edhe ligjëronte si profesor universitar.

Ku është asfalti?

Asfalti ishte një prej fjalëve më të përdorura të Vetëvendosjes për të përshkruar progresin që po bëhej në Kosovë, e për të cilin presupozohej që vendi ynë nuk kishte nevojë.

Por, në këtë video që i dedikohet asfaltit, asfalti si fjalë mungon. Ai nuk përmendet askund. Ashtu siç nuk përsëriten as kritikat e dikurshme se politikat zhvillimore ishin orientuar kah shtrimi i më shumë asfalti.

Në fakt, pushtetet e kaluara kritikohen që nuk kanë derdhur edhe më shumë asfalt (zhbllokimi i disa rrugëve).

“Do të vazhdojmë të shtrojmë rrugë,” – thotë në fund kjo parti politike.

Lajme të ngjashme