Gazetari gjerman sërish ia rrit mendjen Kurtit përballë Amerikës
Ashtu sikurse ndodhi para disa ditësh, gazetari i së përditshmes gjermane ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’, Michael Martens ka vazhduar me favorizimin e Kurtit dhe Vetëvendosjes.
Në artikullin me titull ‘Kurti gewint Wahl im Kosovo trotz US-Einmischung’ (Kurti i fiton zgjedhjet në Kosovë, pavarësisht ndërhyrjes amerikane), korrespodenti me vendqëndrim në Vjenë e ka vajtuar “ndërhyrjen e ndjeshme amerikane”.
“Fushata zgjedhore në Kosovë është shënuar prej disa ndërhyrjeve të drejtpërdrejta nga i dërguari i posaçëm i Donald Trumpit, Richard Grenell”, ka shkruar Martens në FAZ.
Teksa ka shpalosur historikun e përplasjeve, gazetari gjerman ka thënë se edhe sot e gjithë ditën, “Grenelli e sheh politikanin kryeneç kosovar me mospëlqim të fortë dhe dyshim të vazhdueshëm, që duket të jetë i ndërsjellë”.
“Kurti demonstrativisht në gusht mori pjesë në konventën e Partisë Demokratike Amerikane në Chicago, që nuk ia lehtëson aspak të merret vesh me ekipin e Trumpit”, ka shkruar Martens teksa i ka nënvizuar deklarimet e fundit të Grenellit të afishuara në platformën X.
Tutje, në tekstin e tij Martens parashikon se cilado qeveri “pa Kurtin” do të jetë ditëshkurtër.
Një mik i moçëm i Kurtit
Ndryshe, Michael Martens është dëshmuar si mbështetës i hapur i kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti.
Në nëntor të 2022-s, ai kishte intervistuar Kurtin, ku ishte trajtuar edhe çështja së veriut, gjatë të cilës kryeministri i Kosovës kishte goditur në njëfarë mënyre ish-ambasadorin amerikan, Jeffrey M. Hovenier.
Ende pa u botuar, Martens kishte bashkëndarë një pjesë të bisedës me Kurtin kur ky kishte thënë se Hovenier dinte më shumë gjëra rreth veriut se sa vetë ai si kryeministër.
Por, në versionin zyrtar të intervistës, siç u botua në FAZ, kjo pjesë ishte hequr e tëra.
Vetë gazetari gjerman qe arsyetuar se intervista kishte qenë “tepër e gjatë” dhe ishin hequr pjesët që “ishin më me pak interes për lexuesit tanë”.
Herë ledhatime, here shuplaka për Kurtin
Në korrik të 2023-s, në një intervistë për mediumin nga Maqedonia e Veriut ‘Respublica’, ai kishte qenë tejet kritik për veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri.
Sipas tij, konflikti në veri të Kosovës ishte njëmend serioz, duke vlerësuar se KFOR-i duhet t’i hynte në mes Serbisë dhe Qeverisë së Kurtit.
“Shpresoj që KFOR-i do të veprojë vendosshmërisht, po qe nevoja, kundër përpjekjeve të Serbisë për ta kthyer edhe më shumë Veriun në një zonë gri përtej sundimit të ligjit, por edhe kundër çfarëdo përpjekje të qeverisë Kurtit për ta vendosur me forcë kontrollin”, kishte thënë Martens.
Ai, madje, kishte shprehur dyshimin e tij që Kosova do të jetë ndonjëherë në gjendje të absorbojë zyrtarisht veriun brenda vendit.
“Mirëpo, mendoj se e di me siguri njëqind për qind se si Kosova mund ta humb veriun përgjithmonë: duke u përpjekur ta vendosë kontrollin me mjete të dhunshme”.
Qëndrime krejt të kundërta me Kurtin, gazetari gjerman kishte shpalosur edhe në lidhje me vendimin për t’i dërguar njësitë speciale në veri.
“Sa i përket përshkallëzimit të fundit, unë jam me pozicionin amerikan”, kishte thënë ai duke shprehur kundërshtimin ndaj vendimit që kryetarët shqiptarë të ruheshin me njësi speciale në ndërtesat e kuvendeve komunale në veri.
“Kjo, vetëkuptohet, krijoi konflikt që mund të ishte shmangur. Ndaj edhe ishte dhuratë për presidentin serb, Vuçiq”, kishte vlerësuar ai.
Shtypi gjerman e përkrahu VV-në edhe në pandemi
Përkrahja për Vetëvendosjen, me nëntekstin që ajo ishte forcë antiamerikane, nuk ka munguar në shtypin gjerman.
E tillë kishte qenë edhe revista javore gjermane Der Spiegel tek e cila analisti Keno Verseck e vlerësonte me notat më të larta qeverinë e asokohshme mes VV-së dhe LDK-së.
I çuditshëm kishte qenë pohimi i tij se qeveria e Kurtit “...nuk u krijua në pazaret e bodrumeve apo nën përkrahjen e shteteve që mbrojnë Kosovën” (sie wurde nicht in Hinterzimmerdeals oder auf Druck der kosovarischen Schutzmächte gebilde).
Në të vërtetë, formimi i kësaj qeverie pati qenë rast klasik i praktikave të mëhershme negociale në restaurante, shtëpi private e bodrume (Hinterzimmerdeals).