Gazetari gjerman ia kreh bishtin Kurtit para zgjedhjeve
Ashtu sikurse më 2019 e 2021, gazetarë të caktuar gjermanë sërish janë aktivizuar për t’i dhënë mbështetje Kurtit. Por, tani ata nuk po i fshehin arsyet e favorizimit. Me përkrahjen për Vetëvendosjen, ata e duan një qeveri që antagonizon me administratën e Trumpit.
Col Mehmeti
Pak para finales të së dielës, ‘përplasjet’ mes fuqive kanë kaluar mes platformash sociale dhe gazetash të shkruara.
Me mesazhet ose edhe preferencat e tyre mbi akterë të skenës politike në Kosovë, ata po i vlerësojnë zgjedhjet e 9 shkurtit si vendimtarisht të rëndësishme për realitetet e reja.
Gazetari gjerman i Frankfurter Allgemeine Zeitung, Michael Martens ka kaluar në përkrahje të plotë të kryeministrit në ikje, Albin Kurti.
Në vështrimin e botuar të enjten me titull ‘Trumps Sondergesandter mach Wahlkampf’ (I dërguari i posaçëm i Trumpit bën fushatë për zgjedhje), ai ka shprehur zemërimin e tij për afishimet e fundit të Richard Grenellit të hedhura në platformën ‘X’.
Shkas Grenelli
Ai e ka filluar shkrimin e tij duke kujtuar se i dërguari i Trumpit, që kishte qenë ambasador në Gjermani, do të sillte një qasje jokonvencionale në rolin e tij si ndërmjetësues në bisedimet Serbi-Kosovë.
“Sidoqoftë, pak vetë kanë parashikuar se sa larg do të shkojë Grenelli me përpjekjet e tij për të ndikuar në zhvillimet politike në Kosovë”.
Megjithëse shtypi gjerman në të kaluarën kishte qenë jo rrallëherë i rreshtuar në mbështetje të hapur të Vetëvendosjes, gazetari i FAZ e ka quajtur “ndërhyrje të paprecedentë” të diplomacisë amerikane në çështjet e brendshme të një vendi aleat.
Anipse Martens në të kaluarën kishte qenë kritik ndaj veprimeve të Qeverisë Kurti në veri, në vështrimin e tij të fundit e ka vlerësuar faktin që, sipas tij, “Kurti i ka bërë ballë trysnisë amerikane për të pranuar një marrëveshje”.
Gazetari Martens nuk ka përmendur në ndonjë vend as dështimet e Qeverisë Kurti e as mospërmbushjet në planin e brendshëm dhe atë ekonomik—ai është mjaftuar vetëm me përshkrimin e jashtëm të Vetëvendosjes.
“Kurti, një kundërshtar i kahmotshëm i elitës politike në Kosovë, njihej për pikëpamjet e tij nacionaliste e të majta. Partia e tij, Vetëvendosja, fitoi popullaritet nëpërmjet kritikave për korrupsion e ndërhyrje të jashtme në çështjet e Kosovës”, ka shkruar Martens.
Favorizim i një partie
Në rreshtat në vijim, gazetari gjerman ka ravijëzuar një paralajmërim tejet diskutabil e bardhë-e-zi të qeverisë së ardhshme.
“Për Beogradin, një qeveri më e eptueshme në Kosovë do t’i lehtësonte bisedimet që mund të çojnë në një kompromis historik por kundërthënës: njohja e Kosovës nga Serbia në këmbim të rregullimeve territoriale apo lëshimeve ekonomike”, ka shkruar Martens.
Pjesa e fundit e analizës në FAZ mbyllet me qëndrimin e autorit se përfshirja e Grenellit në “çështjet e brendshme të Kosovës” reflektonte politikën e jashtme transaksionale të administratës së Trumpit.
“Për dallim prej administratave të mëparshme amerikane, që përqëndroheshin në qëndrueshmëri demokratike afatgjate, ekipi i Trumpit u ka dhënë përparësi fitoreve diplomatike afatshkurta. Nëse kjo qasje do t’i leverdisë Kosovës në afat të gjatë mbetet e pasigurt”.
Martens, një mik i Kurtit
Por, Michael Martens është dëshmuar si mbështetës i hapur i kryeministrit aktual të Kosovës, Albin Kurti.
Në nëntor të 2022-s, ai kishte intervistuar Kurtin, ku ishte trajtuar edhe çështja së veriut, gjatë të cilës kryeministri i Kosovës kishte goditur në njëfarë mënyre ish-ambasadorin amerikan, Jeffrey M. Hovenier.
Ende pa u botuar, Martens kishte bashkëndarë një pjesë të bisedës me Kurtin kur ky kishte thënë se Hovenier dinte më shumë gjëra rreth veriut se sa vetë ai si kryeministër.
Por, në versionin zyrtar të intervistës, siç u botua në FAZ, kjo pjesë ishte hequr e tëra.
Vetë gazetari gjerman qe arsyetuar se intervista kishte qenë “tepër e gjatë” dhe ishin hequr pjesët që “ishin më me pak interes për lexuesit tanë”.
Herë ledhatime, here shuplaka për Kurtin
Në korrik të 2023-s, në një intervistë për mediumin nga Maqedonia e Veriut ‘Respublica’, ai kishte qenë tejet kritik për veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri.
Sipas tij, konflikti në veri të Kosovës ishte njëmend serioz, duke vlerësuar se KFOR-i duhet t’i hynte në mes Serbisë dhe Qeverisë së Kurtit.
“Shpresoj që KFOR-i do të veprojë vendosshmërisht, po qe nevoja, kundër përpjekjeve të Serbisë për ta kthyer edhe më shumë Veriun në një zonë gri përtej sundimit të ligjit, por edhe kundër çfarëdo përpjekje të qeverisë Kurtit për ta vendosur me forcë kontrollin”, kishte thënë Martens.
Ai, madje, kishte shprehur dyshimin e tij që Kosova do të jetë ndonjëherë në gjendje të absorbojë zyrtarisht veriun brenda vendit.
“Mirëpo, mendoj se e di me siguri njëqind për qind se si Kosova mund ta humb veriun përgjithmonë: duke u përpjekur ta vendosë kontrollin me mjete të dhunshme”.
Qëndrime krejt të kundërta me Kurtin, gazetari gjerman kishte shpalosur edhe në lidhje me vendimin për t’i dërguar njësitë speciale në veri.
“Sa i përket përshkallëzimit të fundit, unë jam me pozicionin amerikan”, kishte thënë ai duke shprehur kundërshtimin ndaj vendimit që kryetarët shqiptarë të ruheshin me njësi speciale në ndërtesat e kuvendeve komunale në veri.
“Kjo, vetëkuptohet, krijoi konflikt që mund të ishte shmangur. Ndaj edhe ishte dhuratë për presidentin serb, Vuçiq”, kishte vlerësuar ai.
Shtypi gjerman e përkrahu VV-në edhe në pandemi
Përkrahja për Vetëvendosjen, me nëntekstin që ajo ishte forcë antiamerikane, nuk ka munguar në shtypin gjerman.
E tillë kishte qenë edhe revista javore gjermane Der Spiegel tek e cila analisti Keno Verseck e vlerësonte me notat më të larta qeverinë e asokohshme mes VV-së dhe LDK-së.
I çuditshëm kishte qenë pohimi i tij se qeveria e Kurtit “...nuk u krijua në pazaret e bodrumeve apo nën përkrahjen e shteteve që mbrojnë Kosovën” (sie ëurde nicht in Hinterzimmerdeals oder auf Druck der kosovarischen Schutzmächte gebilde).
Në të vërtetë, formimi i kësaj qeverie pati qenë rast klasik i praktikave të mëhershme negociale në restaurante, shtëpi private e bodrume (Hinterzimmerdeals).