Gati një muaj që nga Marrëveshja e Ohrit, Krasniqi thotë se "nuk ka asnjë veprim" të Ekipit Menaxhues për draftimin e Asociacionin
Ekipi i Menaxhues për draftimin e Statutit të Asociacionit është bërë si fantazëm për të cilën të gjithë flasin e askush nuk e ka parë. Atë nuk e ka parë as vetë Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili supozohet të jetë pjesë e këtij Ekipi Menaxhues. Në një prononcim për KosovaPress ministri i Kurtit, Krasniqi, tha se e ka të vështirë të sigurojë dokumentacion nga ekipi në të kaluarën ngase “aktivitetet nuk kanë qenë transparente”. Ndonëse deri më 18 prill do të duhej të ishte parë një gjë konkrete rreth një drafti fillestar për Asociacionin, Elbert Krasniqi, nuk di gjë.
“Unë si ministër nuk jam pjesë aktive e dialogut dhe për këtë nuk mund të flas assesi me afate të asnjë lloji. Mirëpo unë çfarë mund të ndaj në këtë moment me juve është që nuk ka asnjë veprim të ndërmarrë deri në këto momente, si ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në këtë drejtim”, deklaron Krasniqi, i cili është pjesë e këtij Ekipi me dy serbë të jugut, dy të veriut dhe shefin e OSBE-së. Ai tregoi mënyrën se si ka ardhur deri te një kompozitë e këtillë ekipore. “Është një vendim i vitit 2013 që është plotësuar-ndryshuar edhe në vitin 2016 dhe mandej edhe në vitin 2020 nga ministri Rakiq. Flasim për një ekip teknik, i cili ka qenë i përbërë nga dy anëtarë nga veriu i Kosovës dhe dy anëtarë nga komunat e tjera të Republikës së Kosovës”.
Danijela Vujiçiç e partisë së Vuçiqit, “shefja” e draftimit të Asociacionit...Ishte vetë kryenegociatori i palës kosovare, Besnik Bislimi, i cili shqiptoi emrin e saj në publik si udhëheqja e Ekipit Menaxhues përgjegjës për draftimin e Asociacionit të Komunave (versioni shqip: të banuara me shumicë) Serbe.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, megjithatë pretendon se “versioni pëfundimtari ZSO-së” (serbisht: Zajednica srpskih opština, shqip: Asociacioni i Komunave me shumicë serbe) do të bëhet nga vetë Bashkimi Evropian. “Mëpastaj duhet të pranohet nga të dyja palët, pastaj Prishtina bën komente shtesë dhe ka për detyrë ta zbatojë atë. Aktualisht nuk kemi informacion për atë propozim të BE-së. I gjithë ky proces pasohet nga një polemikë e mos informimit të publikut deri në fund”, tha ai para disa javësh për “Nova.rs”.
Çfarë po ndodh me Asociacionin?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në bisedimet maratonëshe prej 12 orëve në Ohër muajin e kaluar ka paraqitur, siç është thënë, tri shtylla se si një Asociacioni tillë mund të ishte i bëshëm nga Kosova. E para, aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2015 në lidhje me parimet e këtij Asociacioni, e dyta qëndrimi i Bashkimit Evropian i shprehur më 2015 përmes letrës së ish-Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini, dhe e treta, një Op/Ed i botuar më 31 janar nga Derek Chollet dhe Gabriel Escobar, se çka do të jetë dhe çka nuk do të jetë ky Asociacion.