Gati 800 mijë euro shtëpi, dyqan e tokë: Pasuria e njeriut të VV-së në krye të Bordit të BQK-së - NACIONALE

Gati 800 mijë euro shtëpi, dyqan e tokë: Pasuria e njeriut të VV-së në krye të Bordit të BQK-së

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Bashkim Nurboja, ish-kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, ish-kandidat për kryetar të Pejës, dhe ish-zëvendësministër në Qeverinë Kurti I, është vendosur në krye të bordit të Bankës Qëndrore të Kosovës. I njëjti, duket të jetë mjaft i pasur sipas asaj që shihet në Agjencinë Kundër Korruspion. Çka deklaroi ai në vitin 2022?

Në prill të vitit 2020,z.Nurboja ishte emëruar nga Kurti si zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal. Më vonë, ai u vendos si anëtar jo ekzekutiv i bordit të BQK-së.

Në vitin 2022, ky i fundit ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion pasurinë e tij, e cila duket të jetë goxha e majme.

Dy shtëpi, tokë, dyqan

Në deklarimin e tij, kryetari i tanishëm i bordit të BQK-së kishte treguar se përveç pozitës në BQK, ishte edhe ligjërues në një prej universiteteve private.

Megjithatë, ajo që bie në sy është pasuria e paluajtshme e deklaruar nga personi i afërt me LVV-në, ku tregonte se ka dy shtëpi, tokë dhe dyqan të cilat së bashku, arrijnë vlerën e 760 mijë euro.

Z.Nurboja kishte deklaruar se ka një shtëpi 250 metra katrorë e cila arrin vlerën e 200 mijë eurove dhe është në pronësi të përbashkët. Te prejardhja e pasurisë, shkruan nga “prindërit”.

Veç kësaj, ai kishte treguar se ka edhe një tokë në sipërfaqe prej 4 mijë e 635 metrave katrorë, e cila arrin vlerën e 400 mijë eurove, dhe është në pronësi të vetë atij.

Po ashtu, ai para një viti deklaronte se ka edhe një shtëpi tjetër 110 metra katrorë, e cila ka vlerë prej 110 mijë eurove, dhe është në pronësi të përbashkët.

Veç kësaj, sipas asaj që shkruan në AKK, ai duket se ka edhe një dyqan 17 metra katrorë, i cili kushton po ashtu 50 mijë euro. Pronësia, edhe këtu është e përbashkët.

Ndërkohë, ai kishte raportuar si pasuri të luajtshme një veturë, e cila duket se i ka kushtuar nëntë mijë euro.

Z.Nurboja deklaronte se ka mbi 2 mijë euro para të gatshme nëpër institucione financiare.

Të hyra vjetore, ai i kishte 1 mijë e 48 euro nga fakulteti privat ku është i punësuar, 136 euro nga qiramarrësi, ndërsa 439 si pagë të bashkëshortes, e cila duket se punon në Universitetin “Haxhi Zeka”.

Ai ka deklaruar si të hyra nga BQK-ja mbi 1 mijë e 500 euro.

“Unë jam në kontest gjyqësor me Universitetin HAxhi Zeka, nëse e fitoj kontestin atëherë mund të kompenzohem për dëmet e pretenduara. Qeraja si të ardhura paguhet me para të gatshme. Kompenzimi për Bord të BQK për muajin dhjetor 2021 ka qenë 1379.23 euro, për arsye se dekretin nga Presidentja e kam pranuar me 10 Dhjetor 2021, andaj kompenzimi nuk është llogaritur i plotë për muajin Dhjetor 2021. Në tabel kam paraqitur kompenzimin e Bordit të BQK që do ta marr nga Janari i 2022 e tutje. Në UBT marr pjesë në projekt të financuar nga ERASMUS+ të quajtur STEAM edu, pagesë qe do te behet nga ky projekt ende jane percaktuara, po nuk do te tejkaloj shumen 2500 euro. Kredi per veture në TEB bank e kam marrë nga data 08.04.2021 dhe kësti mujor e kam 136.65 euro.” kishte shkruar z.Nurboja tek të dhënat e tjera, në deklarimin e tij në AKK.

Tash në krye të bordit të BQK-së

Në një njoftim të BQK-së, të publikuar të shtunën tregohej se Nurboja do të jetë në krye të bordit të këtij institucioni të rëndësishëm financiar. Tutje, BQK thekson se gjatë të premtes është mbajtur mbledhja ku është marrë ky vendim.

“Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 3 shkurt 2023, mori vendimim si në vijim: Bashkim Nurboja është zgjedhur kryetar i Bordit të Bankës Qendrore. Gjithashtu, Bordi u njoftua me Raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv.” - thuhej në njoftim.

Nacionale gjatë ditës ka raportuar edhe për pozitat që ka mbajtur personi i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, të cilat i gjeni në tekstin më poshtë.

Ndërkohë, Nacionale ekskluzivisht kishte raportuar se Nurboja, dhe anëtarja tjetër e BQK-së, Nora Latifi-Jashari, kishin votuar që t’ia rrisin kompensimin vetes.

Kjo ishte bërë në mbledhjen e 25 marsit 2022, kur është votuar Komiteti për Auditim në kuadër të Bankës Qendrore të Kosovës. Kjo pasi dy anëtarë të Bordit, janë edhe anëtarë të këtij Komiteti.

Nga 500 euro sa kompensoheshin anëtarët e Komitetit për Auditim, kompensimi ishte ngritur në 750 euro në periudhën për tre muaj.

Lajme të ngjashme