“Vazhdon kapja”: VV e vendos në krye të Bordit të BQK-së njeriun që e kandidoi për deputet - NACIONALE

“Vazhdon kapja”: VV e vendos në krye të Bordit të BQK-së njeriun që e kandidoi për deputet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lëvizja Vetëvendosje ia ka mësyer fuqishëm Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK). Në fakt, jo vetëm LVV, por i gjithë pushteti. Pasi në BQK u rehatua vëllai i presidentes Vjosa Osmani, Ramadani, dyshime të mëdha ka edhe për konkursin rreth guvernatorit të BQK-së. Kushdo që vjen aty, do të ketë punë me një kryetar të ri të Bordit. Aty nga dje është vendosur Bashkim Nurboja, ish-kandidat i VV-së për deputet, kryetar të Pejës e zëvendësministër i Zhvillimit Rajonal, pasi mori besimet e Bordit.

Në një njoftim të BQK-së, tregohet se Nurboja do të jetë në krye të bordit të këtij institucioni të rëndësishëm financiar. Tutje, BQK thekson se gjatë të premtes është mbajtur mbledhja ku është marrë ky vendim.

“Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 3 shkurt 2023, mori vendimim si në vijim: Bashkim Nurboja është zgjedhur kryetar i Bordit të Bankës Qendrore. Gjithashtu, Bordi u njoftua me Raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv.” - thuhet në njoftim, transmeton Nacionale.

Por Nurboja është i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, partinë që sot e udhëheq Qeverinë e Kosovës dhe e mbizotërone me numra edhe Kuvendin e Kosovës. Vitë më parë, pra saktësisht 5 vitë më herë, z. Nurboja ishte kandidat për kryetar të Pejës nga ana e LVV-së. Madje, një gjë e tillë vërtetohet lehtësisht.

Në një njoftim nga ana e VV-së më 14 gusht të 2017, ku publikohej emrin i Nurbojës si kandidat për kryetar të Pejës, tregohej edhe për shkollimin e tij.

“Bashkim Nurboja ka marrë votat e anëtarësisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Pejë për kandidimin për kryetar të Pejës. Z. Nurboja ka përfunduar doktoraturën për ekonomi në Universitetin e Lubjanës. Magjistraturën e ka të përfunduar në Universitetin Staffordshire në Angli. Nga viti 2006 ka punuar si mësimdhënës Universitar, ne Universitetin e Prishtinës e më pas në Universitetin Haxhi Zeka dhe Kolegjin Universum. Bashkimi ka qenë pjesëmarrës në shumë konferenca akademike në SHBA dhe Evropë. Ka publikime shkencore në fushën e ekonomisë. I urojmë shumë suksese z. Nurboja dhe aktivistëve të Pejës!” – theksonte VV në faqen e saj në Facebook.

Por z. Nurboja ishte edhe kandidat për deputet, e madje edhe kishte dhënë intervista si kandidat për deputet në vitin 2017, kur VV kandidonte me slloganin "Erdhi dita". E në Qeverinë Kurti I, Nurboja ishte pjesë e qeverisë si zv.ministër.

"Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar z. Bashkim Nurboja, zëvendësministër në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal. Kryeministri në detyrë Kurti i ka uruar z. Nurboja suksese dhe punë të mbarë në angazhimin e tij në Ministrinë e Zhvillimi Rajonal." - theksonte Zyra e Kryeministrit.

Kujtojmë që tashmë katër kandidatë i janë dërguar Kuvendit të Kosovës, i cili do të votojë për guvernatorin e BQK-së. Shkëndije Himaj, Ahmet Ismaili, Lulzim Ismajli e Nexhat Kryeizu janë emrat që BQK-ja përzgjodhi t’i dërgojë në Kuvend.

Por, i gjithë procesi po dyshohet se është përcjellur me mungesë të transparencës.

Monitoruesja në Lëvizjen Fol, Viona Bunjaku, të cilës iu kërkua nënshkrimi i një deklarate konfidencialiteti, ka thënë për KosovaPress se si shoqëri civile nuk kanë njohuri si janë vlerësuar katër kandidatët e përzgjedhur në listën e ngushtë për guvernator.

“Lista e cila ka dalë, është një listë që vet BQK-ja e ka publikuar, mirëpo që ne nuk kemi pasur mundësi që të dimë se kush janë këta persona, si janë vlerësuar, cili është ‘backgroundi’ i tyre dhe çfarë kanë punuar paraprakisht. Dhe gjithashtu nuk mund të dimë se si ka shkuar krejt procesi dhe faza e intervistimit, për arsye se ne nuk kemi qenë brenda si monitorues të këtij procesi. Andaj, ne nuk e dimë se cili do të jetë ai kandidat i cili do të zgjidhet nga Kuvendi. Po ashtu, nuk mund të dimë se cili do të jetë ai kandidat i duhur.” - tha ajo për Kosovapress.

Ndryshe, së fundmi në këtë institucion, është “rehatuar” vëllai i presidentes Vjosa Osmani, Ramadani. Burime të Nacionales brenda BQK-së, kanë bërë të ditur se Ramadan Osmani që nga muaji janar i këtij viti ka filluar punën në insitucionin kryesor financiar në vend. Osmani është punësuar në pozitën e rëndësishme të Mbikëqyrsit të Lartë të Bankave.

Lajme të ngjashme