Në krye të bordit u vendos njeriu i VV-së: Çka thuhet në raportin e FMN-së ku BQK-ja përmendet 85 herë? - NACIONALE

Në krye të bordit u vendos njeriu i VV-së: Çka thuhet në raportin e FMN-së ku BQK-ja përmendet 85 herë?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tashmë në krye të bordit të Bankës Qëndrore të Kosovës do të jetë Bashkim Nurboja, ish-kandidat i VV-së për deputet, kryetar të Pejës, si dhe ish-zëvendësministër. Një vendim i tillë pas votave të bordit, u përcoll me shumë reagime. Para disa ditësh,Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi raportin vjetor, ku ky institucion, përmendej 85 herë. Çka thuhet aty?

Me një kërkim në raportin e FMN-së që u publikua javën që lamë pasë, pamë që Banka Qëndrore e Kosovës, BQK, ndërsa anglisht me shkurtesë, “CBK”, është përmendur 85 herë.

Në raport, kryesisht flitej për punën e këtij institucioni, për veprimet që veç se janë plotësuar, ato që janë në progres, dhe ato që nuk kanë filluar ende.

“Një Bankë Qëndrore e pavarur”

Një prej pjesëve kryesore të përmendura në raportin e FMN-së, është se nevojitet që Banka Qëndrore të jetë e pavarur.

“Një Bankë Qëndrore e pavarur, e përgjegjshme dhe plotësisht funksionale, është kritike për stabilitetin e sistemit financiar. Procesi për të vendosur një guvernator të ri, (me mandat 5 vjeçar nga marsi 2023, duhet të fokusohet në kompetencën, si një prej faktorëve më të rëndësishme për selektim... Në këtë drejtim, fitimet e BQK-së duhet të rezervohen, duke përfshirë edhe mbulimin e kostove të BQK-së gjatë periudhave me norma të ulëta interesi ndërkombëtar, dhe rritjen e kapacitetit të BQK-së për të ofruar asistencë likuiditeti.” – thuhet mes tjerash në raport.

Në një pjesë tjetër, FMN-ja ka publikuar një tabelë me efektivitetin e operimit të Bordit të Bankës Qëndrore, ku cilësohet si “në progres”.

“Një mision “TA” virtual në bankën qëndrore u realizua gjatë korrikut dhe gushtit 2021 dhe gjatë prilli 2022, për të parë efektivitetin e trupave vendimmarrëse në Bankën Qëndrore të Kosovës…Hapi i radhës është që bordi i BQK-së të mbajë një punëtori me asistencën e Fondit për të diskutuar dhe për t’u pajtuar për mënyrat e ardhshme të operimit.” – bëhet e ditur.

Përveç njeriut të VV-së, u punësua edhe vëllai i presidentes

Në një njoftim të BQK-së, të publikuar të shtunën tregohej se Nurboja do të jetë në krye të bordit të këtij institucioni të rëndësishëm financiar. Tutje, BQK thekson se gjatë të premtes është mbajtur mbledhja ku është marrë ky vendim.

“Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 3 shkurt 2023, mori vendimim si në vijim: Bashkim Nurboja është zgjedhur kryetar i Bordit të Bankës Qendrore. Gjithashtu, Bordi u njoftua me Raportin mujor të Guvernatorit/Bordit Ekzekutiv.” - thuhej në njoftim.

Nacionale gjatë ditës ka raportuar edhe për pozitat që ka mbajtur personi i afërt me Lëvizjen Vetëvendosje, të cilat i gjeni në tekstin më poshtë.

Ndryshe, së fundmi në këtë institucion, është “rehatuar” vëllai i presidentes Vjosa Osmani, Ramadani.

Burime të Nacionales brenda BQK-së, kanë bërë të ditur se Ramadan Osmani që nga muaji janar i këtij viti ka filluar punën në insitucionin kryesor financiar në vend. Osmani është punësuar në pozitën e rëndësishme të Mbikëqyrsit të Lartë të Bankave.

Lajme të ngjashme