Gati 3 orë në takim, a do të arrijnë marrëveshje Kurti dhe Vuçiq në Bruksel? - NACIONALE

Gati 3 orë në takim, a do të arrijnë marrëveshje Kurti dhe Vuçiq në Bruksel?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Saktësisht 10:15 ishte ora kur nisi takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Bashkë me ta edhe kryediplomati evropian Joseph Borrell e emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Që nga atëherë, asnjë detaj ende nuk dihet nëse palët janë afër marrëveshjes, dhe nëse po, cila është ajo. Kjo pavarësisht se mediat e afërta me presidentin e Serbisë, po raportojnë se nuk pritet të ketë marrëveshje.

“Dramë në Bruksel. Nuk ka marrëveshja. Priten ditë të vështira”, thuhej në raportimin e gazetës serbe Blic, e njohur për afërsi me pushtetin në Beograd.

Në anën tjetër kryediplomati Borrell, ka paralajmëruar se pas takimit do të mbajë një konferencë për media ku do të prezantojë konkluzat, transmeton Nacionale.

Gazetarja e telvizionit publik të Kosovës në Bruksel, Gjeraqina Tuhina, deklaroi se nëse takimi zgjat, atëherë një marrëveshje mund të jetë e mundshme.

“Sa më shkurt të zgjasë i bie që s’do të ketë marrëveshje. Nëse takimi do të jetë më i gjatë, është sinjal që palët po mëtojnë të gjejnë zgjidhje kompromisi. Të gjitha opsionet janë të hapura dhe mbetet të shihet se cili do të jetë opsioni”, ka thënë Tuhina në RTK.

E në anën tjetër, korespodenti i grupit Koha në Bruksel, Augustin Palokaj, deklaroi se gjasat që të arrihet një marrëveshje për targat, janë të vogla.

“Nuk ka ende informata se çka po ndodh në takim. Borrell ka deklaruar se do të japë informata për media. Thirrjet e vazhdueshme janë për Kosovën që ta shtyjë afatin për zbatimit të vendimit për targat, ta bëjnë Asociacionin dhe serbët të kthehen në institucione. Borrell dhe zyrtarë të jetë kanë bërë thirrje që palët të angazhohen edhe për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, që të mos merren në dialog vetëm me krizat në terren. Në bazë të paraqitjeve publike të Serbisë, gjasat nuk janë të mëdha që të ketë përparim së shpejti në këtë drejtim”, deklaroi Palokaj.

E mbrëmë pak para takimit, Joseph Borrell deklaroi që në këtë situatë duhet të shmangen tensionet.

“Do të thërras nesër një takim urgjent për dialogun Prishtinë – Beograd me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq. Ne kemi nevojë për de-përshkallëzimin e situatës, të ndalojmë së shkuari nga menaxhimi i përhershëm i krizës dhe në vend të kësaj të fillojmë të avancojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve", ka shkruar Borrell.

Përveç për targat, në këtë takim po diskutohet edhe për kthimin e serbëve në institucione.

Përplasja për targat

Qeveria Kurti nuk ka treguar shenja të zmbrapsjes përkundër presionit të shtuar ndërkombëtar ditëve të fundit.

Zëvendësi i Kurtit në Qeveri dhe dialog, Besnik Bislimi, u shpreh edhe qortues ndaj BE-së dhe ShBA-ve për këtë çështje në dy intervista që pati para disa ditësh në vend.

Megjithatë, një tërheqje u pa ditën e djeshme. Kjo pasi gjobat ishte planifikuar të nisin më 21 nëntor, kurse Policia e Kosovës njoftoi se një gjë e tillë do të ndodhë nga 22 nëntori.

Në mënyrë të heshtur dhe pa asnjë shpjegim, Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë në të cilën bën të ditur se prej datës 22 nëntor do të fillojë gjobitjen e qytetarëve serbë me targa ilegale, dhe jo prej ditës së nesërme siç ishte paralajmëruar më herët (21 nëntor).

“Sipas vendimit deri me datë 21 nëntor do të vazhdojë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga njëzet e dy (22) nëntor deri me datë njëzet e një (21) Janar 2023, për të gjithë pronarët e mjeteve që qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës me targa të tilla ilegale, sipas vendimit zyrtar Policia e Kosovës do të filloj zbatimin drejt shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi.” - tha Policia e Kosovës dje.

Lajme të ngjashme