Fushata e VV-së s'i ndal produktet serbe, rriten importet nga Serbia për 1 milion e 523 mijë euro
Të dhënat e fundit të Tregtisë së Jashtme të Mallrave në Kosovë, publikuar nga ASK, tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 6.4 për qind në muajin janar 2023 krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak. E, një dorë të madhe në thëllimin e këtij deficiti tregtar vazhdon ta ketë Serbia e cila gjatë vitit 2022 eksportoi mallra në vlerë 371 milionë euro drejt Kosovës. Janari i vitit 2023 shënoi një tjetër rekord të vlerës së produkteve të importuara gjatë
“Asnjë cent Serbisë kriminale” – ishte parulla e Rinisë së Lëvizjes Vetëvendosje e cila në fund të ka filluar një fushatë sensibilizuese për bojkotimin e produkteve të shtetit serb. E njëjta fushatë kishte vazhduar edhe në shumë qytete të Kosovës.
Mirëpo, në bazë të të dhënave të janarit 2023, duket se fushata e bojkotit të VV-së ndaj produkteve serbe, përveçse nuk ka qenë e suksesshme. Pavarësisht fushatës së LVV-së, kosovarët vazhdojnë të konsumojnë një sasi të tepërt të mallrave serbe.
Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, në janar të vitit 2023, vlera e mallrave të importuara nga Serbia ishte 17 milionë 870 mijë euro. Krahasuar me muajin e njëjtë të vitit 2022, vlera e importuar nga shteti fqinj ishte 1 milion e 523 mijë euro më e lartë.

Reciprocitet?
Kryeministri Kurti gjatë fushatës në zgjedhjet e 14 shkurtit kishte premtuar se do ta vendoste reciprocitetin me Serbinë. Madje, ai e kishte cilësuar një gjë të tillë si çështje ditësh apo javësh, por kurrsesi muajsh.
“Është çështje ditësh apo javësh e kurrsesi muajsh. Nuk e di se cila do të jetë sekuenca por është ndër gjërat e para që do ta bëjmë”. – theksonte Kurti në intervistë.
Albin Kurti ka një histori të gjatë të përpjekjes kundër mallrave serbe. Me aksione “simbolike” duke rrëzuar kamionët që transportonin mallra serbe, e deri në premtim për reciprocitet të plotë me Serbinë. Por tashmë Kurti si kryeministër nuk ka vendosur as reciprocitetin dhe as nuk flet më kundër prodhimeve serbe.
Pra përgjatë qeverisjes së Kurtit, Kosova nuk ka vendosur ende reciprocitet, gjersa Lëvizja Vetëvendosje ka kohë që ka harruar aksionet për bojktoimin e mallrave serbe.
Por shumë politikanë opozitarë e analistë të politikës e kanë theksuar se Kurti tashmë e ka harruar reciprocitetin tregtar me Serbinë.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka zgjedhur që përmes disa postimeve të bëra në faqen e tyre zyrtare ti listojë disa nga ‘mashtrimet’ që Qeveria Kurti i ka bërë.
Sipas LDK-së, Lëvizja Vetëvendosje kishte premtuar reciprocitet me Serbinë, por realiteti është se ka pasur rekord të importit nga ky vend.
“Nga “Reciprociteti me Serbinë çështje ditësh”, në 371 milion € import nga Serbia. Kosova meriton më mirë!”, thuhet në postimin e LDK-së.
Nëse llogaritet vlera totale e importit nga Serbia gjatë vitit të kaluar, rezulton në një vlerë mbi 1 milion euro në ditë.
Pijet freskuese vazhdojnë të mbeten produkti me i importuar nga Serbia gjatë viteve. Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, top produktet e importuara nga Serbia gjatë vitit 2022 ishin pijet freskuese, gruri, benzina dhe vajrat, demat, biskotat, kontinerët, misri, ushqimi për kafsh, etj.
Nëse krahasojmë me importin, eksporti i Kosovës në Serbi është shumë më i vogël. Vetëm 60.7 milionë euro eksportoi Kosova drejt këtij shteti në vitin 2022. Që nga janari i vitit 2022 deri në dhjetor, Serbia ka marrë gjithsej 54.6 milionë euro para nga Kosova vetëm për pije freskuese.
Top produktet e Kosovës që eksportohen në Serbi janë tubat e çeliut, koks nafte, energji elektrik, luleshtrydhe, pllaka prej plastike, paleta prej druri, etj.
Vlera e lartë e importit nga ky shtet u përdor shpesh nga opozita për të akuzuar pushtetin se nën qeverisjen e tyre tregu kosovar po pushtohet nga produktet serbe.

