“Adios” reciprocitet: Rritet importi i mallrave nga Serbia, Kurti s’vendos reciprocitet tregtar - NACIONALE

“Adios” reciprocitet: Rritet importi i mallrave nga Serbia, Kurti s’vendos reciprocitet tregtar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Albin Kurti ka një histori të gjatë të përpjekjes kundër mallrave serbe. Me aksione “simbolike” duke rrëzuar kamionët që transportonin mallra serbe, e deri në premtim për reciprocitet të plotë me Serbinë. Por tashmë Kurti si kryeministër nuk ka vendosur as reciprocitetin dhe as nuk flet më kundër prodhimeve serbe.

Në mungesë të reciprocitetit, volumi tregtar mes Kosovës dhe Serbisë është rritur jashtëzakonisht shumë. Importi nga Serbia është në kulm, me 310 milionë euro.

Pra përgjatë qeverisjes së Kurtit, Kosova nuk ka vendosur ende reciprocitet, gjersa Lëvizja Vetëvendosje ka kohë që ka harruar aksionet për bojktoimin e mallrave serbe.

Këtë të hëne me këtë çështje, pra të importeve, shkroi edhe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili theksoi se Serbia kthehet si partner kryesor tregtar i Kosovës në rajon.

Sipas ish-shefit të ekzekutivit kosovar, që tash është deputet i LDK-së, ndërmjet mujave janar-tetor 202 janë importuar 850 milionë euro më shumë mallra nga jashtë.

“Nëse e analizojmë tregtinë me vendet e Ballkanit Perëndimor, shohim se importet me të gjitha këto vende janë ulur pa përjashtim, përveç me Serbinë. Dikush mund të thotë se tregtia është e lirë dhe ajo i përcakton importet dhe eksportet. Dakord jam me këtë. Por tregtia e lirë ka ekzistuar edhe në vitet kur këta që sot qeverisin i rrotullonin kamionët me mallra nga Serbia.” – shkroi Hoti në profilin e tij në Facecbook.

“Adios” reciprocitet

Në fakt, Kurti gjatë fushatës në zgjedhjet e 14 shkurtit kishte premtuar se do ta vendoste reciprocitetin me Serbinë. Madje, ai e kishte cilësuar një gjë të tillë si çështje ditësh apo javësh, por kurrsesi muajsh.

Është çështje ditësh apo javësh e kurrsesi muajsh. Nuk e di se cila do të jetë sekuenca por është ndër gjërat e para që do ta bëjmë”. – theksonte Kurti në intervistë.

Por shumë politikanë opozitarë e analistë të politikës e kanë theksuar se Kurti tashmë e ka harruar reciprocitetin tregtar me Serbinë.

Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së, e dikur bashkëpunëtor i Kurtit, e kishte shtruar një pyetje të qëlluar në lidhje me reciprocitetin e munguar tregtar.

Kur jemi te reciprociteti me Serbinë, pse jo në fushën e tregtisë? Sepse më vështirë? Sepse aty preken interesa më të mëdha? Sikur ta kishin për qëllim reciprocitetin, atë do ta manifestonin edhe në fushat tjera shumë më vitale. Bilancin tregtar e kemi negativ. Importi nga Serbia vetëm sa është rritur”, ka pyetur Molliqaj Kurtin.

Edison Jahkurti, ekspert i ekonomisë, ka shkruar ditë më parë një status në lidhje me importin e zmadhuar nga Serbia për në Kosovë. Eksperti që është i afërt me LVV-në, deklaroi se çdo orë rreth 42.5 mijë euro importohen nga Serbia.

Sipas ASK-së, deri në fund të tetorit të këtij viti, Kosova ka importuar mbi 310 milionë euro mallra nga Serbia. Kjo i bie që Serbisë ia kemi dhënë mbi 1 milionë euro çdo ditë. Apo rreth 42.5 mijë euro çdo orë. Apo rreth 708 euro çdo minutë. Apo rreth 12 euro çdo sekond. Bojkotoni mallrat e Serbisë! P.S. U deshën 2 minuta e 30 sekonda për ta shkruar këtë status. I bie që gjatë kësaj kohe kemi importuar rreth 1,770 euro nga Serbia. Bojkoto 860!” – shkroi Jahkurtaj, që gjatë Qeverisë Kurti 1 ishte zëvendësministër i ekonomisë.

Lajme të ngjashme