FSK-ja 'ndërton' urë më të madhe se Albin Kurti: Ura e Açarevës dyfish më e madhe se në Saradran - NACIONALE

FSK-ja 'ndërton' urë më të madhe se Albin Kurti: Ura e Açarevës dyfish më e madhe se në Saradran

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Forca e Sigurisë së Kosovës po del të jetë më e suksesshme se Qeveria në ndërtimin e urave nëpër fshatra të Kosovës.

Ekipet e Xhenios së Forcës së Sigurisë së Kosovës prej disa ditësh kanë filluar ndërtimin e një ure në fshatin Aqarevë të komunës së Skenderajt, e cila ishte dëmtuar nga vërshimet e fundit që e kanë prekur këtë zonë.

Interesante është fakti se përmasat e kësaj ure mobile ushtarake janë më të mëdha se të urës së fshatit Saradran, të cilin vitin e kaluar kryeministri Albin Kurti e kishte përuruar me pompozitet.

Sipas njoftimit të FSK-së, ura mobile ushtarake “Mabey Johnson” ka gjetësin 27 metra. Ndërsa, ura që fshatit Saradant ka gjatësinë 12 metra.

Në kuadër të bashkëpunimit dhe mbështetjes Ushtarake për Autoritetet Civile, ekipet e Xhenios së Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim me autoritetet e komunës së Skenderajt kanë filluar montimin e urës mobile ushtarake ‘Mabey Johnson’ në fshatin Aqarevë, ku në vërshimet e fundit ura në këtë fshat ishte dëmtuar dhe ishte bërë e pakalueshme. Ura që do të vendoset për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve ka gjetësin 27 metra dhe pritet të përfundoi Brenda 10 ditëve”, është thënë në njoftimin e FSK-së.

E përmasave shumë më të vogla është ura e Saradranit, që është financuar nga buxheti i Kosovës.

Më 3 dhjetor, kryeministri Albin Kurti kishte thirrur ekipe gazetarësh dhe bashkëpunëtorët të nivelit qendror dhe lokalë për të përuruar një urë 12-metërshe si investim kapital të qeverisë.

Ura që u përurua me pompozitet lidhë fshatin Saradran me fshatin Ruhot.

"Saradrani kalon. Urime banorëve! Porsa përuruam rrugën e asfaltuar "Lugu i Drinit" me gjatësi 2.1 km si dhe urën mbi lumin Drin, duke e lidhur kështu Saradranin me Ruhotin, përkatësisht komunën e Istogut me atë të Pejës. Faleminderit Ministrit tonë Elbert, Kryetarit të Komunës Ilir, punëtorëve të kompanisë "Shkëmbi" dhe banorëve të kësaj zone. Ta gëzojnë!", kishte shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.

Ura e Sardranit shndërrohet në simbol të Qeverisë Kurti

Qeveria Kurti vazhdimisht është kritikuar për mungesë të investimeve kapitale në këto dy vite.

Përurimi i kësaj ure nga kryeministri Kurti ishte shndërruar edhe në tallje nga opinioni publik dhe subjektet opozitare.

Sipas përfaqësuesit të opozitës, kjo urë simbolizon investimet kapitale të qeverisë Kurti në dy vitet e para të qeverisë.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar Qeverinë Kurti për mungesë të investimeve.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ajo ka thënë se përves kësaj ure qeveria nuk ka ofrua dicka tjetër për qytetarët e Kosovës.

Nuk ka asnjë zhvillim e asnjë investim. Ndërkohë, retorika boshe e plotë rima e kryeministrit dhe vartësve të tij mundohet të na e paraqes një realitet inekzistent, gjoja se Kosova ka rritjen më të madhe ekonomike ndonjëherë. E vërteta është se përpos urës së famshme tanimë të Saradranit, kjo qeveri nuk i ka ofruar asgjë qytetarëve të këtij vendi”, ka thënë Shoshi.

Të njëjtin mendim ka shprehur edhe zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se në fushën e investimeve kapitale kjo qeveria ka dështuar.

Në pjesën e zhvillimit ekonomik, në pjesën e krijimit të vendeve të reja të punës, në pjesën e adresimit të sfidave ekonomike që i ka vendit, sidomos në këtë kalimin nga kriza ekonomike e pandemisë në këtë krizën ekonomike të inflacionit, kjo qeveria ka dështuar në çdo aspekt. Simbol i kësaj qeverie është ajo ora 3 metra në fshatin Saradran të komunës së Istogut”, ka thënë Rukiqi.

Një projekt tjetër që Kurti e ka përuruar është ai në lagjen e komuniteteve në fshatin Gjyrkoc të Shtimes. Aty kryeministri Albin Kurti, së bashku me Kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, dhe Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, përuruan parkun dhe këndin e lodrave. Parku që ka sipërfaqen 2.200 metra katrorë është bashkëfinancim i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Komunës së Shtimes.

Gjithashtu, kryeministri gjatë këtij mandati ka marrë pjesë edhe në inaugurimin e punimeve për ndërtimin e disa shkollave dhe çerdheve nëpër komunat të ndryshme të Kosovës.

Lajme të ngjashme