Ura e vogël e fshatit në Istog që u përurua si "projekt i madh" nga Albin Kurti është e pashfrytëzueshme - NACIONALE

Ura e vogël e fshatit në Istog që u përurua si "projekt i madh" nga Albin Kurti është e pashfrytëzueshme

1 vit më parë

nga Festim Gërguri

Ende me gërshërë në dorë, kryeministri Albin Kurti, thoshte “Gëzuar rruga e re dhe ura e re”, pak sekonda pasi preu shiritin e urës në Saradran të Istogut. Por, banorët lokalë ende s’po e gëzojnë as urën e as rrugën.

I rrethuar nga kamerat dhe bashkëpunëtorët e vet, Kurti më 3 dhjetor përuroi një urë 12-metërshe si investim kapital të qeverisë.

E Zyra e tij u përkujdes që në fotografi të shfaqet vetëm rruga e asfaltuar përtej urës. Por, jo edhe pjesën tjetër që e bën të pashfrytëzueshme këtë urë tash e sa javë.

Ndërkohë që në lajmin e botuar nga Zyra e Kryeministrit citohet Kurti të ketë thënë se qytetarët “tash do të mund të lëvizin edhe lirshëm edhe më shpejt”.

Në fakt, kjo gjë s’është e vërtetë. Derisa ekipi i Nacionales qëndroi te ura, veturat vinin deri aty dhe ktheheshin mbrapa të dëshpëruara.

Kjo sepse përtej urës, rruga është e pakalueshme dhe ka ende shumë punë.

Gjithashtu në fund të shkrimit thuhet se “Projekti është në përfundim e sipër dhe pritet të finalizohet brenda muajit”.

Edhe kjo shihet si e pamundur nga kryetar i Bashkësisë Lokale për tri fshatra, Arben Morina, që thotë projekti mund të rinisë vitin e ardhshëm, sepse momentalisht s'ka kushte në dimër.

“Projekti është i fituar nga Komuna e Istogut, ata e kanë kryer punën andej. Tash do të kryhet edhe pjesa tjetër nga Komuna e Pejës, por është kohë pa kohë (dimër), besojmë se në pranverë, këto 700 metra do të kryhen” – thotë Arben Morina.

“Kjo kërkohet nga banorët përditë sepse është e rëndësishme. E kanë pa edhe banorët se tash pasi u krye ura, kanë mbetur edhe 700 metra rrugë. Po presim në pranverë nga Komuna. Kryetari ka qenë me ekipin e tij dhe inxhinierët e tij” – theksoi Morina.

Ura 12-metërshe e Kurtit u ndërtua për ta kapërcyer Drinin e Bardhë dhe për t’i lidhur fshatrat Saradran dhe Ruhot, rreth 70 kilometra larg Prishtinës.

Megjithatë kjo s’është hera e parë që shefat e shtetit bëjnë turr në prerjen e shiritave, pa marr parasysh rëndësinë e investimit.

Edhe Hashim Thaçi sa ishte kryeministër, rrinte gati me gërshërë në dorë, e më pas edhe të tjerët pas tij, përfshirë edhe kryeministrin Kurti.

Lajme të ngjashme