Premtoi autostrada, po përuron ura të fshatrave dhe kënde lojërash nëpër lagje
Kryeministri Albin Kurti ka ardhur në pushtet me premtime të mëdha. Këto premtime i bëri edhe pjesë të programit qeverisës, të cilin e ka prezantuar më 17 maj të vitit të kaluar.
Pas gati dy vite në qeverisje zotimet e programit kanë mbetur vetëm në letër. Deri me tani, ai nuk ka nisur asnjë projekt të madh infrastrukturor.
Në prezantimin e programit të Qeverisë në Kuvendin e Kosovës, ai kishte premtuar përfundimin dhe fillimin e shumë autostradave që lidhin qytetet e Kosovës. Ndërsa, në vitin e dytë të qeverisjes, ai ka përfunduar duke përuruar një urë të vogla në fshatin Saradran të Istogut dhe një kënd lojërash në fshatin Gjurkoc të komunës së Shtimës.
Autostradat e premtuara
Derisa kishte prezantuar Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vitet 2021-2025 në Kuvendin e Kosovës, fjalët e kryeministrit Albin Kurti ishin të mëdha.
Para deputetëve, ai kishte përmendur përfundimin e disa autostradave që janë nisur nga qeveritë e kaluara dhe nisjen e rrugëve të reja.
"Projektet infrastrukturore të lëna në gjysmë do t’i përfundojmë kurse ato të reja do t’i fillojmë. Do të përfundojmë ndërtimin e segmentit të autostradës Besi-Merdare dhe autostradës Prishtinë-Gjilan, zgjerimin e rrjetit ekzistues rrugor Prishtinë-Mitrovicë dhe autoudhën Kijev-Zahaq. Do të zbatojmë projektet e reja sikurse ndërtimi i unazës së jashtme të Prishtinës, zgjerimi i rrugëve nacionale Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren, përfshirë rrugët qarkore, rehabilitimin e rrugëve kombëtare Qafë Duhël-Shtime-Ferizaj, që lidhet me autostradën Prishtinë-Shkup, si dhe ndërtimi i rrugëve kufitare Deçan-Plavë, Prizren-Tetovë dhe Gjilan-Kumanovë", kishte thënë Kurti.
Deri me tani, asnjë nga këto rrugë nuk kanë përfunduar dhe nuk është filluar ndonjë e re.
Projektet infrastrukturore të cilat i ka përfunduar deri me tani kryeministri Kurti janë shumë të vogla në krahasim me ato që kishte premtuar.
Ato janë projekte që kanë të bëjnë me fshatra të caktuara në disa komuna të Kosovës.
Më 3 dhjetor, kryeministri Kurti kishte thirrur ekipe gazetarësh dhe bashkëpunëtorët të nivelit qendror dhe lokalë për të përuruar një urë 12-metërshe si investim kapital të qeverisë.
Ura që u përurua me pompozitet lidhte fshatin Saradran me fshatin Ruhot.
"Saradrani kalon. Urime banorëve! Porsa përuruam rrugën e asfaltuar "Lugu i Drinit" me gjatësi 2.1 km si dhe urën mbi lumin Drin, duke e lidhur kështu Saradranin me Ruhotin, përkatësisht komunën e Istogut me atë të Pejës. Faleminderit Ministrit tonë Elbert, Kryetarit të Komunës Ilir, punëtorëve të kompanisë "Shkëmbi" dhe banorëve të kësaj zone. Ta gëzojnë!", kishte shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.
Por, banorët lokalë ende s’po e gëzojnë urën e re. Ekipi i gazetës Nacionales ka qëndruar te ura këtë javë dhe ka parë se si veturat vinin deri aty dhe ktheheshin mbrapa të dëshpëruara.
Kjo sepse përtej urës, rruga është e pakalueshme dhe ka ende shumë punë.
Një projekt tjetër që e përuroi Kurti këtë javë ishte ai në lagjen e komuniteteve në fshatin Gjyrkoc të Shtimes. Aty kryeministri Albin Kurti, së bashku me Kryetarin e Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, dhe Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, përuruan parkun dhe këndin e lodrave. Parku që ka sipërfaqen 2.200 metra katrorë është bashkëfinancim i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Komunës së Shtimes.
Kurti kapi lopatën disa herë
Në mungesë të projekteve të mëdha infrastrukturore, gjatë mandatit qeverisës, Kurti ka marrë pjesë edhe në fillimin e disa projekteve nëpër komuna.
Në këto dy vite qeverisje, kryeministri Kurti ka vënë me duart e tij gurthemelet e disa çerdheve, shkollave dhe objekteve shëndetësore.
Prej herave të para që kryeministri Albin Kurti u pa me lopatë në dorë, ishte fillimi i ndërtimit të shkollës "Ilir Konushefci" në fshatin Llugë të Podujevës.
Pastaj, në Komunën e Gjakovës Kurti ishte dy herë. Atje u pa duke hedhur beton në themelin e çerdhes së re në lagjen Rezinë të këtij qyteti dhe me pas në Ponoshec, ku filloi ndërtimi i shkollës dhe i objektit të edukatës fizike.
Pas dore nuk e la as komunën e Gjilani, e cila qeveriset nga partia e tij.
Në këtë komunë kryeministri i Kosovës vuri gurthemelin e çerdhes së re në fshatin Miresh.
Po ashtu, në këtë komunë Kurti hodhi ca lopata me beton edhe për ndërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në lagjen Arbëria.
Qeveria Kurti është kritikuar për mungesë të theksuar të investimeve kapitale.
Një raport i institutit “GAP” tregojnë se realizimi i investimeve kapitale gjatë këtij viti është më i ulëti në dekadën e fundit.

