“Fronti i përbashkët” i Fatmir Limajt e intervista Bujar Bukoshit – ngjarjet kryesore të ditës së djeshme
Nismës Socialdemokrate mbajti dje Konventën Politike të partisë, ku kreu i kësaj partie jashtëparlamentare bëri thirrje për një front demokratik të përbashkët kundër Qeverisë Kurti që sipas Nismës është qeveri mashtruese.
“Veprat Flasin” ishte motoja që derivojë nga kjo Konventë e që sipas Nismës shënon rikthimin e tyre politikë.
Kryetari i Nismës në fjalimin e tij e ka cilësuar qeverisjen e Kurtit si të papërgjegjshme, anarkike e mashtruese. Pasi bëri analizën e tij, Limaj ftoi në krijimin e një fronti të përbashkët kundër Qeverisë Kurti II.
“Ftojmë të gjithë forcat politike, qytetarët të cilët janë të brengosur dhe të shqetësuar me këtë që po ndodh me vendin e tyre, të bashkohemi dhe të krijojmë Front e Përbashkët Demokratik në përballje me këtë grup njerëzish të cilët po e shkatërrojnë çdo gjë që është ndërtuar për vite në Kosovë.”, tha Limaj.

I pari i Nismës Socialdemokrate tha se në krye të Kosovës janë mohuesit e shtetit të Kosovës.
“Sot në krye të shtetit janë mohuesit e shtetit të Kosovës. Ata që kanë punuar në vazhdimësi kundër kësaj që e kemi. Prandaj edhe nuk është çudi kur e dëgjon të thonë se këta e kanë shkatërru që 20 vjet...Vjen nga goja e atyre që në momentet më të vështira, ata kanë qëndruar në anën e kundër të historisë, ata e kanë mohuar lirinë e Kosovës, ata e kanë mohuar krijimin e shtetit të Kosovës.”, shtoi tutje Limaj.
Deklarata e Limajt për formimin e “Frontit të përbashkët demokratik” nxiti reagime.
Rreth kësaj deklarate ka reaguar opinionisti Avni Zogiani duke ironizuar me rezultatin zgjedhor të partisë së Limajt e cila në zgjedhjet e fundit nuk ka arritur ta kaloj pragun zgjedhor.
“Nisem... dmth qaty te pragu gjithë tu dashtë mu nisë!’, ka shkruar Zogiani.
Kurse analisti Bleron Baraliu ka reaguar në Facebook me një shkrim të gjatë ku ka kritikuar Fatmir Limajn.
Baraliu tha ndër tjerash se liria dhe progresi i vendit tonë, i themelluar mu mbi supet e luftëtarëve heroikë që më vonë kanë supozuar pushtetin dhe rrënuar vlerat mbi të cilat është bazuar vet heroizmi i tyre, nuk plotësohen pa pensionuar mu këta 'heronjë të (para)luftës'. Dhe kësaj valle vështirë t'i gjenim protagonist prijës më të përshtatshëm se vet Fatmir Limaj!
“Fatmir Limaj sot paska kërkuar 'front të përbashkët për të hequr qafesh Albinin si anti-shtetëror e anti-progres, si 'helm' për shtetin' (parafrazimi është i imi)! Mu në ditën kur Albini përballet me presion të pashoq nga brenda e jashtë që t'i nënshtrohet trysnisë e diplomacisë 'pragmatike' që kërkon zgjidhje për diskursin shovenist serb pro-rus në kurriz zë bastardizimit të sovranitetit të Kosovës”, ka shkruar Baraliu.
Bukoshi: Liderët kosovarë s'duhet të sillen si njerëz vetëm të fitoreve, të zhvishen nga demagogjia populiste
Ka kohë që prezenca e tij ka munguar në opinion publik. Megjithatë, ish-kryeministri i Kosovës në ekzil, ka dhënë një intervistë interesante për gazetën Tema ku ka diskutuar për një sër çështjesh që karakterizojnë ambientin politik në Kosovë.
Ai foli edhe për lëvizjet e fundit rreth një marrëveshjeje potenciale mes Kosovës e Serbisë.
Bukoshi kritikoi liderët kosovarë duke thënë se duhet të zhvishen nga demagogjia populiste dhe të mos bëhen si njerëz vetëm të fitoreve.
"Jo nuk jam në dijeni, por arrij ta marr me mend se është një nga ato përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të krijuar klimë besimi tek firmosja e një marrëveshjeje përfundimtare. Ajo që duhet të bëjë qeveria e Kosovës, është të zhvishet nga demagogjia populiste dhe të jetë transparente me publikun duke thënë se çfarë ka në favor dhe çfarë nuk ka në favor Kosova në këtë moment, pra siç thuhet “ku është qari dhe ku zarari”...
“Ata që tani për tani janë në krye të punëve nuk duhet të sillen si njerëz që kanë lindur vetëm të fitojnë. Duhet të sillen si njerëz që po luftojnë dhe kur lufton edhe mund të pësosh diçka. Mund ta humbësh ndonjë betejë, por s’bën ta humbësh luftën", tha Bukoshi.
Ish-zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka folur edhe për Gjykatën Speciale të Hagës ku po mbahen ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Bukoshi ka thënë se është banale që prej dy vitesh po mbahen ish-krerët e UÇK-së pa u ngritur ende aktakuzat.
Sipas tij ata mund të ishin të lirë në Kosovë pasi që Kosova është i vetmi vend në Ballkan ku politikanët nuk iu kanë shmangur drejtësisë.
“Ata mbahen brenda në burg prej dy vitesh, pa u ngritur ende akuza. Mund të ishin të lirë në Kosovë ndërkohë se askush prej liderëve të Kosovës nuk i ka ikur drejtësisë. Kosova është i vetmi vend në Ballkan, që nuk ka asnjë lider që i është fshehur drejtësisë ndërkombëtare dhe asaj vendore, siç ka pasur Kroacia, Bosnja dhe sidomos Serbia. Dhe në këtë aspekt ata mund ta prisnin në liri ngritjen e aktakuzës në gjykatë”, thotë Bukoshi.
Bukoshi tha se nuk është kundër kësaj gjykate por ajo po sillet si forcë rrëmbyese dhe irracionale.
“Nuk jam kundër Gjykatës Speciale. Në një farë mënyre ne e çuam vet punën tek Gjykata Speciale, me mungesën e një drejtësie efikase në Kosovë. Por në këtë rast Gjykata Speciale, po sillet sikur forcat speciale që rrëmbejnë katër vet i fusin në burg e pastaj pyesin çka kanë bërë ata. Ka nëj sjellje irracionalë në këtë pikë që me sa duket është shkaktuar nga shumë faktorë lokalë dhe ndërkombëtarë. Nuk pajtohem me faktin që ata duhet të mbaheshin në burg ende pa një akuzë të qartë”, tha Bujar Bukoshi.
Krasniqi për Bukoshin: Mendimi i tij politik më i freskët se disa prej politikanëve të sotëm.
Ndaj qëndrimeve të Bukoshit ka reaguar profesori universitar Milazim Krasniqi i cili mendimet e Bukoshit i quajti më të freskëta se të disave politikanëve të sotëm.
"Duke e njohur angazhimin e Bujarit nga viti 1989 e këndej, me gjithë vështirësitë, moskuptimet, gabimet dhe kundërthëniet që e kanë përcjellë punën e tij dhe punën e lëvizjes sonë për pavarësi, jam i bindur se kontributi i tij për Kosovën do të vlerësohet shumë më shumë në të ardhmen, se sa që është vlerësuar deri sot", shkroi ndër të tjerash Krasniqi në një postim në profilin e tij në Facebook.





