“Filloi me qajtë”: Qytetari rrëfen rastin e familjares së tij në qendrën Orenda, e kishte lajmëruar para një viti në Ministri - NACIONALE

“Filloi me qajtë”: Qytetari rrëfen rastin e familjares së tij në qendrën Orenda, e kishte lajmëruar para një viti në Ministri

3 vjet më parë

nga Leonitë Demaku

Pamje të rënda u publikuan gjatë së mërkurës nga aktorja Kaltrinë Zeneli, ku shihej një e moshuar derisa sulmohej fizikisht nga një infermiere në Qendrën e të Moshuarve “Orenda” në Pejë. Aty ndodheshin edhe disa punonjëse të tjera, të cilat qeshnin dhe filmonin ngjarjen. Por ky, po dyshohet të mos jetë rasti i vetëm i keqtrajtimit të të moshuarve atje. Një qytetar me emrin Tomor Hasanin, për Nacionalen tregoi rastin e familjares së tij dhe foli për ankesën që ua bëri institucioneve para një viti.

Fillimisht, dyshime për raste të tjera të keqtrajtimit në shtëpinë e pleqve “Orenda”, ngriti Viola Sahatçiu, ish-menaxhere në këtë qendër.

Të mërkurën, u bënë publike pamje jashtëzakonisht shqetësuese nga atje, ku një grua e moshuar sulmohej rëndë nga një infermiere.

“…ajo ka fillu me qajtë”

Kështu rrëfen rastin e familjares së tij, qytetari me emrin Tomor Hasani në një prononcim për gazetën Nacionale, ku ngrit dyshime për keqtrajtim të saj në këtë qendër. Sidoqoftë, ai thotë se ajo nuk ka treguar që është keqtrajtuar fizikisht, pasi që sipas tij, ndoshta nuk ka pasur guxim që ta bëjë një gjë të tillë.

“Familjarja nuk ka thënë që u keqtrajtu fizikisht, ndoshta nuk ka guxu”, tha z.Hasani për Nacionalen.

Ai ka rrëfyer se e moshuara në fjalë, është motra e gjyshit të tij, të cilit edhe ia tregoi atë që e përjetoi në këtë qendër, pasi fillimisht nisi të qajë, e më pas tregoi për sjelljet e pahijshme atje.

“Para një viti, janë kanë me vizitu gjyshi dhe gjyshja jem, sepse ajo është motra e gjyshit, dhe ajo ka fillu me qajtë edhe ka tregu që po sillen në mënyrë të pahijshme, nuk poi u ndihmojnë natën kur po kanë nevojë për me shku në tualet, këto gjëra që iu duhen të moshuarve, se nuk munden”, ka thënë z.Hasani.

Personi në fjalë, e ka lajmëruar Ministrinë e Punës dhe Mirëqënies Sociale në shtator të vitit 2021, duke dërguar ankesë në lidhje me këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje nga ata.

Nacionale, posedon edhe ankesën që i njëjti ia ka dërguar këtij institucioni. Ky dikaster, tash është bashkuar me ministrinë e Financave dhe drejtohet nga Hekuran Murati.

Nacionale ka kontaktuar ministrinë, por përkundër insistimit tonë për të marrë një përgjigje në lidhje me pretendimet e z.Hasani, nuk kemi marrë përgigje.

Ky i fundit, veç kësaj thotë se ka pasë presion ndaj familjarëve të hallës së tij nga drejtori i Qendrës “Orenda” që të tërhiqet deklarata.

“Gjyshi dhe gjyshja më kanë tregu mu, edhe unë e kom lajmru këtë rast në Ministri të Punës, nuk kam marrë përgjigje nga ata. Kam marrë përgjigje nga drejtori i qendrës, ku nuk ka pasë diçka relevante. Iu ka bë presion fëmijëve të asaj gruas, që me më bë presion mu që me e tërhjek deklaratën, me thënë që kam qenë i keqinformum”, ka thënë ai për Nacionalen.

“Parregullsi, joprofesionalizëm, mungesë të kujdesit e kërcënime”

Ish-menaxherja e kësaj qendre, Viola Sahatçiu po pretendon se atje ka pasur parregullsi, joprofesionalizëm, mungesë të kujdesit dhe kërcënime.

Për këtë arsye, ajo thotë se edhe u largua nga puna.

“Sot doli një përfaqësim i keqmenaxhimit dhe keqtrajtimit hierarkik në atë vend. Ato infermiere janë vetëm një reflektim i vogël”, ka deklaruar ajo.

Znj.Sahatçiu ka thënë se i është dukur absurde mbajtja e konferencës nga drejtori i qendrës, pasi që aty ka pasur edhe kamera.

“Ajo qendër është një ënderr e bukur zvicerane, me realitetin e hidhur shqiptar e cila duhet të mbyllet sa më parë”, përfundon shkrimi i saj.

Megjithatë, Pronari i Qendrës, Anton Rasaj ka mohuar të ketë pasur më herët ankesa për keqtrajtim të të moshuarve atje.

Ai ndërkaq, në një konferencë për media të mbajtur pak më herët, kërkoi nga organet e drejtësisë që të merren me rastin dhe infermieret të marrin dënimin e merituar.

“Kam kërkuar që me shpejtësi të veprohet, për dëmtimin e shkaktuar nga ato do t’i ndjekim proceset ligjore. I ftoj organet e drejtësisë që të bëjnë punën e tyre me efasitet dhe që të njëjtat të marrin dënimin e merituar”, ka thënë ai.

Çka ndodhi në qendrën në Pejë?

Një video e publikuar nga qytetarja Kaltrinë Zeneli, e cila është aktore e njohur në Kosovë, tregon një të moshuar e cila sulmohet fizikisht disa herë nga një infermere, derisa të tjerat përreth saj qeshin dhe e incizojnë ngjarjen.

Viktima dëgjohet duke rënkuar pasi merr goditje të forta në fytyrë, kurse infermieret vazhdojnë me sjelljet e tyre skandaloze.

“Pak jom tu ia hi, qysh di, qysh me sillë une,” – thotë infermierja me inicialet A. P. që dyshohet të jetë protagonistja kryesore e këtij akti tmerrues të dhunës.

“Raport për media,” – dëgjohet duke thënë më pas infermierja që po inçizonte derisa po shkrihej së qeshuri.

Policia e Kosovës i konfirmoi Nacionales se janë arrestuar 3 inferimere të dyshuara për vepra të ndryshme penale.

“Janë arrestuar tre persona si të përfshirë në rast. Të dyshuarit ngarkohen me tri vepra: sulm, ndihmë në sulm dhe incizim i paautorizuar. Ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit,” – ka thënë Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Pejës.

Gazetarja e Nacionales, Gentiana Hasani ka raportuar nga Peja se vajza e viktimës ka arritur në Qendrën për të Moshuar dhe se ka marrë të moshuarën prej aty.

Nacionale ka mësuar nga vendi i ngjarjes se viktima është në gjendje të rëndë emocionale.

“Du me dalë prej këtu”, ka thënë e moshuara që u rrah nga infermieret gjatë gjithë kohës.

Lajme të ngjashme