Pronari i Qendrës ku u rrah e moshuara: Jam pa fjalë dhe plot mllef, infermieret të marrin dënimin e merituar
Anton Rasaj, pronar i Qendrës për të Moshuar në Pejë “Orenda”, ka folur ekskluzivisht për gazetën Nacionale në lidhje me rrahjen e të moshuarës nga disa inferemiere.
Anton Rasaj, pronar i Qendrës për për të Moshuar në Pejë “Orenda”, ku sot u sulmua fizikisht një e moshuar nga disa infermiere, ka thënë se këto zhvillime e kanë lënë “pa fjalë” dhe plot “mllef”.
Rasaj në një konferencë për media, ka thënë se familja e tij investoi në këtë qendër me paratë që kishin fituar jashtë vendit dhe se sipas tij, janë kujdesur që stafi të kishte sjellje profesionale.
“Kursimet e fituara jashtë vendit me familje, vendosëm t’i investojmë në familje. Kemi punësuar personal dhe punësuam bashkëatdhetarë. U kujdesëm që të ketë maksimalisht sjellje profesionale nga personeli në qendrën tonë. Situata në fjalë, na ka lënë pa fjalë dhe plot mllef”, ka thënë ai.
Tutje, pronari i kësaj qendre ka thënë se ngjarja e sotme i ka lënduar shumë dhe se infermieret në fjalë, janë larguar nga puna.
“Na janë besuar prindër dhe fmailjarë, për çka ngjarja sot na ka lënduar sumë sa nuk gjejmë fjalë që të shprehim këtë ndjenjë. Nuk kam fjalë që të përshkruaj si jam ndjerë kur e kam parë sjelljen e infermieres. Ju njoftoj, se menjëherë kam larguar nga puna personelin në fjalë”, ka thënë ai.
Në fund, Rasaj ka konfirmuar se do t’i ndjekin procedurat ligjore për dëmin e shkaktuar, derisa u bëri thirrje organeve të drejtësisë që vajzat të cilat sulmuan të moshuarën, të marrin dënimin e merituar.
“Kam kërkuar që me shpejtësi të veprohet, për dëmtimin e shkaktuar nga ato do t’i ndjekim proceset ligjore. I ftoj organet e drejtësisë që të bëjnë punën e tyre me efasitet dhe që të njëjtat të marrin dënimin e merituar”, ka thënë ai.
Çka ndodhi në qendrën në Pejë?
Një video e publikuar nga qytetarja Kaltrinë Zeneli, e cila është aktore e njohur në Kosovë, tregon një të moshuar e cila sulmohet fizikisht disa herë nga një infermere, derisa të tjerat përreth saj qeshin dhe e incizojnë ngjarjen.
Viktima dëgjohet duke rënkuar pasi merr goditje të forta në fytyrë, derisa infermieret vazhdojnë me sjelljet e tyre skandaloze.
“Pak jom tu ia hi, qysh di, qysh me sillë une,” – thotë infermierja me inicialet A. P. që dyshohet të jetë protagonistja kryesore e këtij akti tmerrues të dhunës.
“Raport për media,” – dëgjohet duke thënë më pas infermierja që po inçizonte derisa po shkrihej së qeshuri.
Policia e Kosovës i konfirmoi Nacionales se janë arrestuar 3 inferimere të dyshuara për vepra të ndryshme penale.
“Janë arrestuar tre persona si të përfshirë në rast. Të dyshuarit ngarkohen me tri vepra: sulm, ndihmë në sulm dhe incizim i paautorizuar. Ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit,” – ka thënë Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë për rajonin e Pejës.

Gjendja e të moshuarës
Gazetarja e Nacionales, Gentiana Hasani ka raportuar nga Peja se vajza e viktimës ka arritur në Qendrën për të Moshuar dhe se ka marrë të moshuarën prej aty.
Nacionale ka mësuar nga vendi i ngjarjes se viktima është në gjendje të rëndë emocionale.
“Du me dalë prej këtu”, thotë e moshuara që u rrah nga infermieret gjatë gjithë kohës, raporton Nacionale.
Në vendin e ngjarjet ndodhet edhe një deputet i Kuvendit të Kosovës me emrin Gramos Agusholli.


