E moshuara që u rrah nga infermieret në gjendje të rëndë: Largohet nga Qendra në Pejë
Një infermiere shihej me zë e figurë duke e dhunuar një grua të moshuar derisa të paktën dy të tjera qeshnin dhe incizonin. Tri arrestime janë bërë. Një Kosovë e tërë është tronditur nga ‘normaliteti’ i asaj dhune të ushtruar ndaj të moshuarës. Nacionale shkoi në vend të ngjarjes për të marrë më shumë informacione mbi rastin.
Vajza e viktimës që shihet në video, tashmë ka arritur në Qendrën për të Moshuar, raporton gazetarja e Nacionales, Gentiana Hasani.
Ajo ka thënë për gazetën Nacionale se po i pret vetëm procedurat, dhe më pas e ka larguar nënën nga qendra.
Nacionale ka mësuar nga vendi i ngjarjes se viktima është në gjendje të rëndë emocionale. “Du me dalë prej këtu”, thotë e moshuara që u rrah nga infermieret gjatë gjithë kohës, raporton Nacionale.
Aty është edhe një deputet i Kuvendit të Kosovës me emrin Gramos Agusholli.

Nacionale ka siguruar pamje nga vendi i ngarjes, në afërsi të Qendrës për të Moshuar “Orenda” në Pejë, ku në orën 19:00 do të ketë një konferencë për media.
Atje pritet të flasin edhe pronarët e kësaj qendre, të cilët pritet ta sqarojnë gjithë situatën.
Megjithatë, pak çaste më parë, aksionari Anton Rasaj, tha për Nacionalen se është tmerruar nga pamjet.

Rasaj i cili jeton në Zvicër, ka shprehur për gazetën Nacionale dëshpërimin e tij për ngjarjen e ndodhur.
“Kuku për neve, çka ko me bo. Në Kosovë vëlla jo, jo në Kosovë, por këto mund të ndodhin gjithkah,” deklaroi Rasaj për Nacionalen.
Rasaj ka bërë të ditur se aktualisht është me hetuesit dhe avokatët. Ai ka theksuar se punëtoret janë përjashtuar menjëherë nga puna, dhe ato janë në Stacionin e Policisë.
“Në ora 7 do të kemi deklaratë. Tani jemi me hetuesi e me avokatë. Ato motrat janë përjashtuar nga puna, faktikisht janë në Polici. Në ora 19:00 do të jepim deklaratë. Nëse keni interes mundeni me ardhë. Ne do të jepim vetëm një deklaratë të shkurtër,” - deklaroi Rasaj për Nacionalen.
Çfarë ndodhi?
“Oh,” – rënkon viktima pasi merr goditje.
“Ça po sillka fort,” – thotë duke qeshur njëra infermiere.
“Pak jom tu ia hi, qysh di, qysh me sillë une,” – thotë infermierja me inicialet A. P. që dyshohet të jetë protagonistja kryesore e këtij akti tmerrues të dhunës.
“Raport për media,” – dëgjohet duke thënë më pas infermierja që po inçizonte derisa po shkrihej së qeshuri.
E gjithë kjo ndodh me video.
Policia e Kosovës tashmë e ka konfirmuar se janë arrestuar 3 inferimere të dyshuara për vepra të ndryshme penale.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Janë arrestuar tre persona si të përfshirë në rast. Të dyshuarit ngarkohen me tri vepra: sulm, ndihmë në sulm dhe incizim i paautorizuar. Ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit,” – ka thënë z. Gashi.
Tri inferemieret janë suspenduar nga Qendra për të Moshuar.
“Pas njoftimit për sjelljet e pahijshme të punëtores A.P (ushtrim i dhunës ndaj banueses në kohën e kujdestariësë) merret vendimi si më lartë. A.P suspendohet nga puna për veprën e bërë, ndërsa A.R, R.L dhe G.N për faktin se kanë qenë në ndërrim bashkë me A.P, por nuk e kanë lajmëruar rastin tek përgjegjësi. Masat tjera do të mirren pas hetimit nga Policia e cila është njofuar dhe po mirret me rastin”, thuhet në vendimin që mbanë datën e 1 nëntorit.
