Kujdes pamjet: Publikohet videoja e rrahjes së një të moshuare nga disa infermiere - NACIONALE

Kujdes pamjet: Publikohet videoja e rrahjes së një të moshuare nga disa infermiere

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një video jashtëzakonisht shqetësuese është postuar më herët nga një qytetare me emrin Kaltrinë Zeneli, e cila është edhe aktore e njohur e Kosovës.

Në video shihet teksa maltretohet një zonjë në moshë nga disa vajza të reja, të cilat duket se janë infermiere. Ajo nuk ka treguar se ku ka ndodhur rasti dhe në çfarë kohe.

Infermierja shihet derisa e godet disa herë në fytyrë pacienten, derisa ajo është e paaftë që ta mbrojë veten. Krejt këto sjellje të dhunshme i bën derisa qeshet me disa kolege (ose gra të njohura) të tjera, të cilat nuk duken në video.

Zeneli ka shkruar se mënyra se si keqtrajtohet zonja në moshë, tregon se një gjë e tillë është normale në këtë qendër kujdesi.

Qe cka ndodhe ne vendin tone edhe kto raste siduket jane krejtesisht normale per personat qe vec punojne aty edhe marrin rroge me u KUJDESE per keta persona e QE kujdesi qe po u bojka prej anes se tyre”- shkroi aktorja ndër të tjera.

Në video, përveç sulmit fizik, dëgjohen edhe ofendime e përulje ndaj zonjës në moshë.

Gazeta Nacionale ka kontaktuar me zonjën Zeneli për të marrë më shumë infromacion se ku ka ndodhur ky akt i papranueshëm. Deri në momentin e botimit të këtij teksti, aktorja ende nuk ka kthyer përgjigje.

Nacionale do të vazhdojë të raportoj për rastin.

PËRDITËSIM (14:42): Znj. Zeneli i ka thënë Nacionales se vendi ku ka ndodhur ky rast është në një shtëpi të të moshuarve të quajtur "Orenda" në Pejë.

PËRDITËSIM (14:43): Zeneli i ka thënë gazetës se videoja është bërë këto ditë, por të cilën e ka siguruar ajo gjatë ditës së sotme.

PËRDITËSIM (14:56): Për rastin e tmerrshëm ka reaguar edhe zonja Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së, duke thënë se emrat e personave që ushtrojnë dhunë duhet të publikohen.

PËRDITËSIM (15:04): Nacionales i është konfirmuar nga zëdhënësi i policisë, Veton Elshani, se për rastin është arrestuar një person (grua). Besohet të jetë infermierja që shihet derisa e shkakton dhunën ndaj të moshuarës.

PËRDITËSIM: (15:16): Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikqi, i ka thënë Nacionales se dy prokurorë tashmë janë në vendin e ngjarjes për të mbledhur informata dhe për të kryer hetimet - dhe se më vonë do të dalin në një njoftim për media.

“Nuk pata forcë me e shiku deri në fund videon, në të cilën disa infermijere e sulmonin fizikisht dhe e maltretonin psiqikisht një grua të moshuar në Pejë.

Emrat e tyre duhet të publikohen. Tu mirret e drejta e punës në institucione shëndetësore, si dhe të ndiqen penalisht.

Kriminele”- shkroi zonja Çitaku.

Lajme të ngjashme