Rrahja e së moshuarës, arrestimet e infermiereve, konferenca e pronarit të qendrës - krejt çka dihet deri tash për rastin në Pejë - NACIONALE

Rrahja e së moshuarës, arrestimet e infermiereve, konferenca e pronarit të qendrës - krejt çka dihet deri tash për rastin në Pejë

3 vjet më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Peja në veçanti e Kosova në përgjithësi u tronditën pasditën e së mërkurës, kur në rrjetet sociale, qytetarja Kaltrinë Zeneli publikoi një video nga një shtëpi pleqsh në Pejë.

Në këtë video respektive, shihet sulmi i një infermiereje karshi një të moshuareje që vuan nga Alzhemeiri, kurse pak më tutje vërehet qeshja cinike e disa të tjerave që qëlluan aty.

Deri më tani dihet se për rastin në fjalë janë arrestuar dy qytetare.

“Pejë, 2 nëntor 2022 Policia e Kosovës – Stacioni Policore nё Pejё, duke u bazuar nё video incizimin i cili ka qarkulluar nё media sociale, ku shihet se njё punёtore nё njё shtёpi tё pleqeve nё Pejё, ёshtё duke ushtruar dhunё ndaj njё moshuare.

Policia menjёherё ёshtё vёnё ne veprim dhe rreth orёs 14:10, ka identifikuar lokacionin, dhe ka arrestuar dy (2) tё dyshuara lidhur me rastin. Tё dyshuarat janё duke u intervistuar nga hetuesit e Stacionit Policor nё Pejё, dhe nё koordimin tё plotё me prokurorin e shtetit do tё merren veprime te mëtutjeshme.”, kanë thënë nga Policia e Kosovës.

Anton Rasaj, pronar i Qendrës për të Moshuar në Pejë “Orenda”, ka folur ekskluzivisht për gazetën Nacionale në lidhje me rrahjen së moshuarës nga disa inferemiere.

Anton Rasaj, pronar i Qendrës për për të Moshuar në Pejë “Orenda”, ku sot u sulmua fizikisht një e moshuar nga disa infermiere, ka thënë se këto zhvillime e kanë lënë “pa fjalë” dhe plot “mllef”.

Më pas ai u paraqitë edhe në një konferencë për media, ku potencoi se familja e tij investoi në këtë qendër me paratë që kishin fituar jashtë vendit dhe se sipas tij, janë kujdesur që stafi të kishte sjellje profesionale.

“Kursimet e fituara jashtë vendit me familje, vendosëm t’i investojmë në familje. Kemi punësuar personal dhe punësuam bashkëatdhetarë. U kujdesëm që të ketë maksimalisht sjellje profesionale nga personeli në qendrën tonë. Situata në fjalë, na ka lënë pa fjalë dhe plot mllef”, ka pohuar ai.

E dyshuara, emri i së cilës veçse është publikuar në të gjitha platformat sociale, siç mëson Nacionale ka kërkuar largim nga kjo qendër.

Një nga reagimet ishte edhe ai i Viola Sahatçiut.

Kjo e fundit reagoi përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", duke thënë se ka qenë menaxhere deri para tre muajsh, kur edhe u largua.

Megjithatë, duhet përmendur faktin se e njëjta nuk mund të gjendet më në hapësirën për kërkime në rrjetin gjegjës social.

Thuhet se ajo ka pasur reagime të shumta, me ç'rast është detyruar ta fsheh profilin e saj përmes opsionit "unpublished".

Gjithsesi, kjo nuk është e konfirmuar, ani pse supozimet për një gjë të tillë janë më se reale.

Ministria e Shëndetësisë ndërkaq, ka dënuar dhunën në këtë institucion, duke shtuar se Inspektorati Shëndetësor ka qenë sot për inspektim.

Komunikata e plotë:

Ministria e Shëndetësisë e dënon dhunën e ushtruar ndaj të moshuarës dhe sjelljen jo-njerëzore të infermiereve, që ka ndodhur në Shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë.

Inspektoriati Shëndetësor ka qenë sot për inspektim në këtë institucion privat në të cilin jepen dhe shërbime të përkujdesit shëndetësor.

Të arrestuarat dhe të përfshirët në ngjarje janë të profesionit infermiere, të licencuara nga Oda e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë.

Pas inspektimit, Raporti i Inspektoriatit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë do t’i dërgohet Odës, institucion ky i pavarur, me qëllim marrjen e masave konform ligjit, statutit, rregullave dhe kodit etik në fuqi.

Mbesim të përkushtuar për të ruajtur dinjitetin e çdo pacienti dhe të qytetarëve në përgjithësi kur përkujdesi i tyre u besohet profesionistëve shëndetësorë. Çdo abuzim me këtë besim do të ketë reagimin tonë të pa kompromis. Të njëjtën besojmë që do ta kenë dhe Odat e profesionistëve shëndetësorë.

Në orët e vona të ditës shkroi edhe kryeministri Albin Kurti.

Shefi i ekzekutivit përmes një postimi në "Facebook" tha se ajo që pamë sot ishte e tmerrshme, ndërsa pohoi se do të qëndrojmë pranë të moshuarve si me vendime e përgjegjësi qeveritare, gjithashtu edhe me ndjenjën dhe përkujdesjen qytetare.

"Ajo që pamë sot ishte e tmerrshme. Nuk ka qytetar i cili s'është shokuar, kurse institucionet me të marrë vesh sulmin mbi nënën, të moshuaren, në Qendrën Strehimore në Pejë, janë aktivizuar dhe kanë vepruar.Të moshuarit janë më të dashurit tanë. Ata kanë kontribuar në shoqëri në aq shumë aspekte për kohën më të gjatë sesa të gjithë ne të tjerët. Do të qëndrojmë pranë tyre si me vendime e përgjegjësi qeveritare, gjithashtu edhe me ndjenjën dhe përkujdesjen qytetare".

Për më shumë video e plotë, teksa klikoni KËTU për t'u informuar me çdo detaj në kohë reale.

Lajme të ngjashme