European Pravda: Kriza politike po e rëndon gjendjen e fukarallëkut në Kosovë
Konflikti me BE-në, ShBA-në dhe Serbinë e ka zhytur Kosovën në krizë politike.
Kështu e ka vlerësuar mediumi ukrainas European Pravda gjendjen politike në Kosovë – duke marrë shkas 25 përpjekjet e dështuara për krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, përcjell NACIONALE.
Sipas këtij mediumi, anëtarët e Kuvendit janë mbledhur për çdo 48 orë për seanca të reja, pa arritur dot të pajtohen për zgjedhjen e një kryekuvendari apo për qeverinë re.
“Si rrjedhojë, shteti më i ri evropian e gjen veten në një krizë të thellë politike, pa një shtegdalje.”
Kronika e European Pravda bën një sinopsis të zgjedhjeve të sivjetme parlamentare, në të cilat doli fituese partia Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti.
“Por këtu mbaron lajmi i mirë për të. Partia e tij performoi më keq sesa në zgjedhjet e qëparshme, duke fituar vetëm 48 ulëse – 10 më pak sesa herën e kaluar”, shkruan European Pravda.
“Kjo ashiqare nuk është e mjaftueshme për të formuar shumicën në Kuvendin prej 120 vendesh. Formimi i një koalicioni del të jetë së tepërmi i vështirë.”
Sipas mediumit ukrainas, Kurti ndërmori një qasje më radikale rreth veriut duke e vënë nën kontrollin e Prishtinës, me ç’rast “kryeministri përshkallëzoi në tensione me BE-në, madje edhe me Shtetet e Bashkuara, në nivele të papara.”
“Rrjedhimisht, BE vuri sanksione ndaj Kosovës (megjithëse të buta), kurse Serbia nuk mori asnjë. Opozita druan se pos rritjes së rreziqeve të sigurisë, marrëdhëniet e dobëta me Perëndimin mund të jenë skajshmërisht të kushtueshme për Kosovën.”
Sipas vlerësimit të European Pravda, presidentja Vjosja Osmani nuk po ngutet ta shpërbëjë Kuvendin e të thërrasë zgjedhje të reja, “meqë është e paqartë nëse zgjedhjet e reja do të sillnin diçka tjetër përveç thellimit të krizës.”
“Kriza politike vetëm sa po e thellon gjendjen tashmë të vështirë të Kosovës: një pjesë e madhe e popullatës jeton në varfëri, kurse vendi përmeqatet me korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikun e drogës.”
Megjithatë, siç shkruan mediumi, këto sfida “mund të tejkalohen vetëm me ndihmën e Bashkimit Evropian.”
“Sidoqoftë, pengesa kryesore në rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE mbetet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë përmes rifillimit të bisedimeve. Bisedimet janë ngrirë qyshse terroristët serbë sulmuan fshatin e Banjës në Kosovë më 2023.”