Eulex përgënjeshtron pretendimin se kanë konkluduar që të rinjtë serbë i rrahu Policia: As s’i kemi vizituar
Dje gjatë ditës, deklarim i dy serbë nga Leposaviqi bëri jehonë në mediet serbe, por edhe në Kosovë. Miloica Gjokoviq dhe Dragosh Miqoviq dje akuzuan Policinë e Kosovës se ua kanë rrahur fëmijët në fshatin Joshanicë afër Leposaviqit, gjë të cilën e mohuan autoritet kosovare. Në akuzën e tyre, ata përmendën EULEX-in, duke thënë se misioni i BE-së për ligj e ka kontaktuar dhe u përpoqën ta ekzaminojnë. Në një përgjigje për Nacionalen, EULEX e ka mohuar një pretendim të tillë.
Në fjalën e tij, Miçoviq tha se EULEX u angazhua aq sa mundi, duke pretenduar se misioni i BE-së u tha se rrahja e fëmijve të tyre ishte "e qartë si dita".
“Ai (një polic austriak i EULEX-it) u angazhua aq sa mundi dhe u përpoq që të vinin inspektorët për të ekzaminuar fëmijët tanë... ata inspektorë (të EULEX-it) na thanë se nuk ka asnjë grimë faji te fëmijët tanë, se është e qartë si dita se janë rrahur brutalisht dhe tani gjithçka varet nga prokurori publik.” – u shpreh Miçoviqi, që pretendoi se fëmija i tij është rrahur.
Gazeta Nacionale ka kontaktuar me EULEX-in për të marrë një qëndrim në lidhje me pretendimet e Miçoviqit. Në përgjigjen e tyre, EULEX e ka mohuar se ka vizituar dy personat që pretendohen të jenë rrahur nga Policia e Kosovës. Tutje, ky mision thekson se asjë staf i saj nuk ka konstatuar se dy persona janë rrahur nga Policia e Kosovës.
“EULEX-i nuk i ka vizituar dy personat që pretendohet se janë rrahur nga Policia e Kosovës, as ndonjë staf i EULEX-it nuk ka “konstatuar” se dy personat janë rrahur nga Policia e Kosovës. Ajo që në të vërtetë ka ndodhur është se më 8 mars, këshilltarit të lartë të policisë veriore të EULEX-it iu afrua një person para ndërtesës së Komunës në Leposaviq, i cili pretendoi se djali i tij dhe një shok i tij ishin rrahur nga Policia e Kosovës një mbrëmje më parë.” – thuhet në përgjigjen e EULEX-it.
Në vazhdim të përgjigjes së tyre, EULEX tregon se nuk ka mandat ekzekutiv për të hetuar rastet e pretenduara të rrahjes, duke shtuar se pret që autoritetet e Kosovës të hetojnë rastin.
“Pas dëgjimit të këtyre pretendimeve, anëtari i stafit të EULEX-it e bëri të qartë se EULEX-i nuk ka mandat ekzekutiv për të hetuar rastet dhe i ofroi ta shoqëronte paditësin në stacionin më të afërt policor ku ai mund të raportonte rastin. Personi në fjalë nuk ka pranuar të shkojë në komisariat. Anëtari i stafit të EULEX-it më pas i tha personit në fjalë se do ta informonte Policinë e Kosovës dhe menaxhmentin e EULEX-it për këtë çështje të mundshme, gjë që ai e bëri. Këshilltarit të lartë të policisë veriore të EULEX-it më pas iu kontaktua dje Inspektorati Policor i Kosovës, i cili është autoriteti i caktuar për trajtimin e ankesave si këto. EULEX pret që autoritetet të kryejnë një hetim efektiv të akuzave.” – theksojnë EULEX.
Çka pretenduan dy prindërit e serbëve?
Miloica Gjokoviq dhe Dragosh Miqoviq ishin të qartë në akuzën e tyre. Ata theksuan se Policia e Kosovës i ka rrahuar dy të rinjtë, duke shtuar se ata mund të radikalizojnë protestën e tyre, nëse policët e Kosovës (sic) “vazhdojnë të sillen si banditë”.
Miloica Gjokoviq, babai i të rrahurit të quajtur Llazar, deklaroi dje se janë mbledhur në Leposaviq për të protestuar në lidhje me incidentin në fjalë, që pretendojnë të ketë ndodhur në fshatin Joshanicë. Dy baballarët e përsëritën pretendimet se të bijtë e tyre ishin rrahur nga zyrtarë të njësisë speciale policore të Kosovës.
“Fëmijët nuk kanë pasur asgjë në makinë. Në periudhën në vazhdim presim ta radikalizojmë protestën nëse nuk vijnë në vete dhe e kuptojnë se kjo është serioze... Unë do t’u thosha të qetësohen dhe të mos sillen me arrogancë” – u shpreh Gjokoviq në fjalën e tij.
Ndërkohë, Dragosh Miqoviqi, babai i serbit tjetër që pretendohet të jetë rrahur, deklaroi se dje kanë kontaktuar me EULEX-in dhe se të rinjtë e rrahur janë marrë në pyetje për më shumë se një orë. Këtë pretendim, siç keni mund ta lexoni më lartë, e ka mohuar tërësisht EULEX.