Eskalon "lufta verbale" e Kurtit ndaj Amerikës: Deklarata e Blinken ishte shumë naive, e gabuar dhe e padrejtë
Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, ka dhënë një intervistë telefonike për gazetën e njohur britanike “The Guardian”. Në fakt, ky prononcim i Kurtit vetëm intervistë nuk është. Në intervistën e tij, Kurti ka bërë disa deklarata skandaloze, krejtësisht skandaloze, në lidhje me ShBA-në dhe posaçërisht ndaj sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken.
Kurti e shprazi tërë krejt alternativën verbale kundër Blinkenit, i cili e kritikoi vendimin e Qeverisë Kurti për të ndërhyrë në veri të Kosovës. Këtë qëndrim të Blinkenit, Kurti e cilësoi si naive, të gabuar, të padrejtë e lënduese.
“Mendoj se nuk është vetëm e padrejtë, e gabuar dhe lënduese, por në të njëjtën kohë shumë naive.” – deklaroi Kurti për “The Guardian”, të cilës gazetë i tha intervistë përmes telefonit nga Prishtina.
Madje, Kurti theksoi se pret edhe shpjegime më tej nga sekretari Blinken.
"Ndoshta sekretari Blinken do ta shpjegojë këtë më tej një ditë, por definitivisht nuk ishte e dobishme." – tha Kurti.
Shefi i ekzekutivit foli edhe kundër Gabriel Escobarit, i dërguar i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor. Kurti tregoi se e ka refuzuar kërkesën e Escobarit që t’i dërgojë kryetarët në objekte tjera apo edhe të punojnë prej shtëpisë.
“Nuk mund të kemi kryetarë me Zoom [platformë e thirrjeve online], ne jemi republikë demokratike. Një republikë demokratike, nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste.” - ka shtuar ai.
Çka kishte thënë Blinken?
Sekretari amerikan i shtetit, pra z. Blinken, ishte jashtëzakonisht i ashpër me vendimin e Qeverisë Kurti për intervenimin në veri. Blinken shkroi në Twitter se e dënon fuqishëm aksionet e Qeverisë së Kosovë.
“Dënojmë fuqishëm aksionet nga Qeveria e Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po rrisin pasigurinë. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti t’i ndalë këto masa të dhunshme menjëherë dhe të rifokusohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.” - shkruan Blinken.
Intervista e ambasadorit…
Ndryshe, sot ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier, ka dhënë një intervistë relativisht të gjatë për gazetarët kosovarë, ku ka folur rreth zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës. Në fakt, e gjithë intervista u karakterizua nga një gjuhë e ashpër dhe e drejtpërdrejt karshi Qeverisë Kurti. Madje, për herë të parë që nga fillimi i krizës në veri të premten, z. Hovenier e bëri publik lajmin për sanksionimin e Kosovës.
Në intervistën e tij, Hovenier ka treguar se Kosova, pra FSK-ja, është përjashtuar nga “Defender 2023”, ushtrimit më të madh të NATO-së me FSK-në, e që zhvillohej në Kosovë.
“Indikacioni i parë i kësaj gjëje ishte vendimi që mori Gjenerali i NATO-s për Europë Juglindore për të anuluar pjesëmarrjen e Koforës në Defender 2023, që ndodhi gjatë natës. Dhe siç e dimë, nuk kishte aktivitete sot dhe s’do të ketë. Për Kosovën ai ushtrim u krye. Po mendojmë edhe për të tjera pasoja, po ashtu.” – vlerësoi z. Hovenier.
Tutje, ai është shprehur shumë i shqetësuar në lidhje me situatën në veri.
“Jemi shumë të shqetësuar për situatën në veri dhe besojmë që kjo krizë nuk ishte e nevojshme. Veprimet e ndërmarra të premten për të marrë qasje në ndërtimet publike nuk ishin të koordinuara me SHBA-të, dhe kur e morëm vesh fuqishëm thamë jo sepse parashikuam pasojat që po i shohim tash. Besojmë që kishte impakt negativ për imazhin e Kosovës dhe i dëmtoi përpjekjet për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Dhe siç e kemi thënë (Sekretari Blinken) kryeministri po i afekton raportet mes Kosovës dhe ShBA-së.” – tha në hyrje të fjalës së tij, z. Hovenier.
Madje, Hovenier ka treguar se Kurti nuk është përgjigjur ende në dy kërkesat që i shtroi: heqjen e njësiteve speciale nga veriu dhe mos shkuarjen e kryetarëve në objektet komunale.
“Në këtë moment i kemi kërkuar kryeministrit Kurti në mënyrë që të bëjë deeskalimin e situatës, por ai nuk është përgjigjur në këto kërkesa. Kësisoji, po shqyrtojmë se cilat do të jenë masat tjera. Por, më duhet të them se në këto momente nuk do të gjeni entuziazëm te ShBA-të që të përgjigjen për interesa të Kosovës, siç është angazhimi për shtetet mos-njohëse, apo puna për të avancuar integrimin evropian të Kosovës.” – tha Hovenier.



