Blinken: Veprimet e sotme në veri do të kenë pasoja në marrëdhëniet tona me Kosovën
Departamenti i Shtetit, në emër të sekretarit Blinken, e ka publikuar tashmë në faqen zyrtare reagimin në lidhje me zhvillimet në veri të vendit, duke “dënuar ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës”, ku e potencon se këto ngjarje, do të kenë pasoja edhe në marrëdhëniet ShBA-Kosovë.
Në reagimin e DASh-it, thuhet se veprimet e Kosovës ishin në kundërshtim me këshillat e ShBA-së dhe partnerëve evropianë.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës.” – thuhet në komunikatë.
Tutje, ShBA theksoi qartë se këto zhvillime, do të ndikojnë në marrëdhëniet mes dy vendeve, e madje përmendet edhe fjala “pasojë”.
“Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin.” – thuhet në reagim.
Ndërkohë, më herët, sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Antony Blinken, reagoi ashpër në lidhje me zhvillimet në veri, madje, duke u shprehur se “dënojnë fuqishëm” veprimet e Qeverisë së Kosovës.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ai e ka etiketuar kryeministrin Albin Kurti, duke i bërë thirrje t’i ndalojë menjëherë “masat e dhunshme”.
“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e lehtësuar nga BE.” – u shpreh ai.
We strongly condemn the actions by the Government of Kosovo that are escalating tensions in the north and increasing instability. We call on Prime Minister @albinkurti to immediately halt these violent measures and refocus on the EU-facilitated Dialogue.
— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) May 26, 2023